00:01

Abdullahu: Për 20 vjet borxhet ndaj Ujësjellësit janë 47 milionë euro

Kryeshefi i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës, Ilir Abdullahu, ka thënë se resurset në Kosovë nuk janë të mjaftueshme, por se këto që janë duhet të mirë menaxhohen.

Duke folur për borxhet që qytetarët ia kanë Ujësjellësit, ai ka thënë se shuma arrin deri në 47 milionë euro dhe datojnë që nga viti 2000.

“Pjesa dërrmuese e tyre janë nga vitet e kaluara dhe ne po insistojmë që këto borxhe të kryhen nga konsumatori e që pastaj të bëhet edhe ndërrimi i rrjeteve. Situatë aspak e mirë është edhe në ndërtesat kolektive që janë të ndërtuara para 2-3 dekadave. Këtu duhet të ndërhyjë komuna për shkak se rrjetet brenda ndërtesave nuk janë në menaxhimin tonë”, ka thënë ai.

Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se borxhet për një familje janë nga 100 deri në 1000 euro.

Sipas tij afër 800 lëndëve iu është dërguar përmbarimi, por shton se po mundohen që me telefonata e vërejtje të paguhen borxhet dhe jo me përmbarim.

Abdullahu thotë se borxhlinjtë më të mëdhenj janë nga zonat rurale, duke shtuar se ka edhe raste sociale të cilët nuk paguajnë.

Duke folur për planifikimin e ndërtimit të një lagjeje në Liqenin e Badocit, ai ka thënë se pika ku është menduar të ndërtohet lagja nuk është në distancë më të largët se 400 metra.

Sipas tij, tendencat mund të rriten për ndërtimin e vendbanimeve.

“Tani për tani ne jemi njoftu ditën e premte nga gazetarët dhe nuk kemi pas informacione. Nëse i kthehemi pjesës profesionale, trajtimi i ujërave është shumë i vështirë dhe ka kosto të madhe. Në momentin e reshjeve do të ishte e pamundur të menaxhohej dhe do të ishte situatë e vështirë e kontrollueshme. Po themi në vazhdimësi se në pjesën e Badovcit duhet pasur kujdes në ndërtimet e reja. Është mirë që në të ardhmen të kemi planifikim të dhe kujdes gjatë ndërtimit sepse kemi resurs të kufizuar”, ka thënë ai.

Duke folur për aktivizmin qytetarë, ai ka thënë se paraprakisht duhet prirë institucionet që të mos ketë nevojë edhe për reagim qytetarë.

“Unë mendoj që për çdo problem duhet të mblidhen njerëzit. Kur bëhet fjalë për resursin e ujit duhet të jemi të kujdesshëm sepse në dekadën që po futemi do të ketë probleme globale. Është një resurs që është në rrezik për shkak të ndryshimeve klimatike”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe niveli i ujërave nëntokësor në zonat rurale ka pësuar ulje.

Duke folur për Liqenin e Batllaves, ai ka thënë se është faza e rindërtimit të kanalizimit dhe një impianti për trajtimin e ujërave të zeza.

“Sa i përket këtyre zonave një farë forme po mbrohen por nuk duet të tejkalohen sidomos buzë liqenit. Është mirë që edhe institucionet të reagojnë me kohë”, ka thënë ai.

Ai thotë se për momentin furnizimi me ujë është 24 orë në të gjitha zonat përveç Lipjanit.

Sipas tij, një shërbim i tillë është mbajtur edhe në kohën kur temperaturat kanë qenë më të larta.

Ai tutje ka apeluar për kujdes dhe mos keqpërdorim të ujit të pijes.

Abdullahu ka thënë se edhe autolarjet kanë qenë problem për shkak të shpenzimit të ujit, sidomos gjatë stinës së verës.

“Ne po futemi në kohën e thatësirave dhe është mirë që të sensibilizohet opinioni dhe të ruhet uji’, ka thënë ai,

Duke folur për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit, ai ka thënë se po mundohen që në shumë zona ku rrjetet janë të amortizuara të bëhen rrjete të reja dhe të ketë qëndrueshmëri.

“Brenda pesë vjetëve mendojmë të krijojmë një rrjet smart. Këtu do të përfitojë edhe ujësjellësi edhe konsumatori, pastaj edhe kualiteti do të jetë më i mirë’, ka thënë ai.

Ai ka thënë se problemin më të madh e kanë me ndërtuesit privat, që për shkak të punimeve shpesh herë prishën tubacionet e ujit.

23:43

Abdullahu tregon se çfarë dëmi mund t’i shkaktohet ujit nëse ndërtohet diçka në pellgje të liqeneve

Drejtori i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu, ka thënë se ka pasur shqetësime ditëve të fundit rreth ndërtimit të një lagjeje në Badoc, por po duket se kjo çështje po shkon drejt normalizimit dhe drejt largimit të shqetësimeve të qytetarëve.

Ai thotë se rezervat që janë në rënie për shkak të thatësirave, për shkak të ndryshimeve klimatike, do të bëjmë çmos që të menaxhohen mirë dhe të kemi kujdes gjatë planifikimeve për gjithçka që ndodh në ato pellgje.

“Ngritja e qytetarëve për problemet jetike, siç është furnizimi me ujë, është pozitive kur kemi të bëjmë me kujdesin e këtij resursi ujor”, tha ai.

Sipas tij, nëse vazhdon ky trend i mosreshjeve, duhet të aplikohen reduktime, duke filluar nga shkalla më e butë, siç janë zakonisht pjesët rurale që kanë alternativa, por zakonisht do të ndodhë gjatë natës sepse edhe konsumi do të jetë më i vogël.

“Besojmë se gjatë pranverës, do të ketë reshje të shiut dhe të rikuperohen nivelet e liqeneve”, tha ai.

Sipas Abdullahut, liqenet me të cilat menaxhon KRU Prishtina kanë rezerva të ujit për 7-8 muaj nëse nuk do të ketë reshje dhe të rikuperohen nivelet e dy liqeve.

Sipas tij, nga kuota maksimale, niveli i ujit në dy liqenet ka rënë për 10 metra.

Duke folur për idenë e ndërtimit të një lagjeje në Badoc, Abdullahu tha se “çdo lëvizje, çdo ndërtim, çdo aktivitet, që bëhet në pellgje, sidomos në Zonën 1 dhe 2, mund të rrezikojë cilësinë e ujërave”.

“Ka edhe një udhëzim administrativ nga Ministria e Ambientit ku flitet për Zonën 1, Zonën 2 dhe Zonën 3. Zona 1, nga niveli maksimal i ujit, është në 10 metra gjetësi, Zona 2 është 200 metra ku ndërptriten të gjitha këto aktivitete, dhe Zona 3 është ajo që e mbyll pellgun. Ndonëse në Kosovë në Zonën e 3-të kemi vendbanime, në vendet tjera kjo nuk ndodh”, tha ai.

“Çdo ndotës në afërsi të liqenit do të ishte rrezik për cilësinë e ujit. Kur flasim për zonat, shohim që në brezin e rrugës ka pompa derivatesh. Çdo aksident në brigjet e Badocit do ta nxirrte sistemin nga furnizimi me ujë të pijes. Ka pompa benzine, ka edhe autocisterna që lëvizin nëpër brigjet e liqeneve që mund të rrezikojnë ndotjen e ujit sipërfaqësor. Është mirë të mendojmë që në të ardhmen të ngrihet vetëdija, e edhe njerëzit që i frekuentojnë këto liqene do të sillen më mirë, duke mos hedhur mbeturina”, tha Abdullahu.