Vendimi për rastin “Syri i Popullit”, jepet më 22 janar

Donika Voca-Gashi 17 January 2020 19:11

Për 4 të akuzuarit në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, mbrojtja e ka dhënë këtë të premte fjalën përfundimtare.

Gjykata, gjatë javës së ardhshme, pritet ta japë verdiktin në këtë proces.

Mbrojtja e të akuzuarit Murat Jashari ka kërkuar që klienti të lirohet dhe të dërgohet për trajtim shëndetësor në Zvicër, bazuar në rekomandimet e ekspertëve të forenzikës së psikiatrisë.

Në fjalën përfundimtare, gjykata e ka lejuar të deklarohet personalisht edhe vetë të akuzuarin Murat Jashari.

Jashari ka thënë se listën se kush duhej të vritej e ka përpiluar ai vetë.

Fjalën përfundimtare e kanë dhënë edhe tre të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Bexhet Luzha, Bajrush Konjusha e Rexhep Toplana, të cilët kanë kërkuar aktgjykim lirues pasi, sipas tyre, Prokuroria nuk ka arritur ta argumentojë këtë aktakuzë.

Seanca ka përfunduar me replika në mes të prokurorit special Sylë Hoxha dhe të akuzuarit Sadri Ramabaja e avokatit të tij, raporton KTV.

Hoxha ka thënë se etiketimet e bëra një ditë më parë nga Ramabaja, si ish-pjesëtar i UDB-së e prokuror i klanit Pronto, nuk e frikësojnë atë.

Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana akuzohen për përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Derisa Prokuroria Speciale, një ditë më parë, u tërhoq nga ndjekja penale ndaj dy të akuzuarve të tjerë në këtë rast, në mungesë të provave.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme