Edhe një javë kohë që të mandatohen anëtarët e rinj të KQZ-së, druhet që mund të ketë zvarritje

Valbona Bytyqi 19 January 2020 19:07

Një javë ka mbetur deri në kohën kur duhet të mandatohen anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor. Anëtarët e rinj të KQZ-së duhet të zgjidhen 60 ditë pas certifikimit të zgjedhjeve, gjë e cila ndodhi në fund të muajit nëntor.

E lidhur me këtë çështje, presidenti u ka dërguar njoftim grupeve parlamentare të përfaqësuara në legjislaturën e shtatë, raporton KTV.

“Kemi dërguar njoftim tërësisht teknik për grupet parlamentare dhe përfaqësuesit e komuniteteve tjera që nuk janë shumicë në Kosovë, të cilët mbajnë vende të garantuara në Kuvend, që propozimet/nominimet e tyre për anëtarë të KQZ-së të jenë të kompletuara dhe në pajtim me legjislacionin në fuqi. Pra, në mënyrë të detajuar u është specifikuar se cilat dokumente duhet t’u bashkëngjiten propozimeve të tyre për anëtarë të KQZ–së. Ky njoftim është bërë si pjesë e përgatitjeve për emërimin e anëtarëve të KQZ-së nga Presidenti dhe është në pajtim me nenin 139 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës*, nenet 61 dhe 62 të Ligjit Nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës (GZ, Nr. 31, 15 qershor 2008), si dhe me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. KO 58/19, ku në pikën 104 të këtij aktgjykimi, Gjykata Kushtuese rikujton se anëtarët e KQZ-së nuk kanë mandat të caktuar kohor, ngaqë ai është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim fillon jo më vonë se 60 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, përveç përjashtimeve të parapara në nenin 61, paragrafi 3, nën paragrafin (e) të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.

Në anën tjetër, nga Instituti Demokratik i Kosovës shpresojnë se ky proces nuk do të zgjatet si ai paraprak.

Eugen Cakolli nga ky institut, thotë se KQZ-ja ka hasur në vështirësi të mëdha gjatë funksionimit, si rezultat i vonesave në mandatimin e anëtarëve.

Bazuar në ulëset e siguruara, grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës do t’u takojë nga një anëtar në KQZ, përveç Vetëvendosjes që do t’i ketë dy.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme