1 perditesime
12:20

Veseli: Negociatat po rrjedhin mirë, ditët në vazhdim do t’i mbyllim me sukses

Xhemë Veseli, kryesues i ekipit që po negocion me Serbinë për hekurudhat, ka thënë se kanë pasur negociata të mira e është shprehur optimist se në ditët në vazhdim do të mbyllen me sukses bisedimet.

Në një deklaratë për KP-në, pas takimit në Berlin, Veseli ka thënë se palët kanë zhvilluar “diskutime konstruktive”.

“Kemi pasur bisedime të mira. Kemi bërë përparim dhe jemi dakorduar që në ditët në vijim të mbyllim me sukses bisedimet”, është shprehur Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit të Republikës së Kosovës.

Ambasadori Grenell gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe në Serbi javën e kaluar paralajmëroi arritjen e marrëveshjes edhe për hekurudha dhe për autostrada.

10:11

Xhemë Veseli e Ramë Qupeva negociojnë me Serbinë detajet e marrëveshjes për hekurudhat

Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, ka vendosur që Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor në këtë ministri dhe Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore të udhëheqin negociatat për fillimin e linjës direkte hekurudhore me Serbinë.

Veseli do të jetë kryesues i këtij ekipi, ndërsa Qupeva anëtar.

Në vendimin e Lekajt, thuhet se kryesuesi mund të kërkojë mbështetje edhe nga zyrtarët tjerë apo këshilltarë të jashtëm.

Pika e dytë e vendimit thotë që marrëveshja e mundshme përfundimtare duhet të jetë konform Kushtetutës dhe legjislacionit në fuqi të Kosovës.

Në takimin që pritet të mbahet sot në Berlin, Serbia do të përfaqësohet nga Marko Gjuriq, drejtor i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë.

I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trumpit për dialogun Kosovë - Serbi, Richard Grenell, në një bisedë telefonike për gazetën “Koha Ditore” të premten, kishte bërë të ditur se është arritur marrëveshja në parim për hapjen e transportit hekurudhor ndërmjet shteteve.

Grenelli kishte thënë se gjatë vizitës në Prishtinë dhe asaj në Beograd, të premten ka marrë pajtimin e të dy palëve për këtë marrëveshje, për të cilën nga e hëna pritet të negociohen detajet në nivel ekspertësh.

Derisa këtë marrëveshje ai e kishte konsideruar si hap tjetër të rëndësishëm dhe pozitiv, ka thënë se pret që konkludimi dhe zbatimi i të dy marrëveshjeve të bëhet sa më parë që të jetë e mundur, duke mos dashur të japë data apo afate.