2 perditesime
14:08

Haziri: Dallimi për pozitën e kryeparlamentarit nuk është kaluar, jam optimist për marrëveshjen me VV

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se angazhimet dhe përpjekjet e tyre janë që të ndahet roli i tyre në Kuvend në mënyrë që ekzekutivi dhe Kuvendi të koordinohen në zbatimin e politikave programore.

Ai thotë se finalizimi i marrëveshjes bie mbi supet e dy partive politike.

Haziri ka thënë se ende nuk është përballuar ndryshimi për pozitën e kryetarit të Kuvendit.

“Edhe më tutje duhet të diskutohet e të punohet që LDK e VV të kenë rol të balancuar në udhëheqjen e institucioneve. Takimet me VV nuk janë ndërprerë asnjëherë, por sot takim të paralajmëruar nuk ka”, ka thënë ai.

Ai thotë se tejkalimi apo marrëveshja për kryeparlamentarin bëhet përmes takimeve, duke shtuar se do të behet përpjekje deri ditën kur mbahet seanca.

“Ne nuk kemi kërkuar të heqin dorë nga kërkesat e tyre, as ata nuk kanë kërkuar, por ne kemi kërkuar që të kemi balancim të udhëheqjes së institucioneve”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjasat janë të mëdha që Kosova do të ketë ekzekutiv të udhëhequr nga VV-LDK.

12:45

Osmani: Përpjekjet për arritjen e marrëveshjes me VV-në më intensive se asnjëherë më parë

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se pas pak anëtarët e kryesisë së partisë do të mbajnë një takim të cilin e ka quajtur konsultativ, rreth përpjekjeve për arritje të marrëveshjes për bashkëqeverisje me LVV-në.

Ajo para mediave ka thënë se përpjekjet për arritjen e marrëveshjes VV-LDK janë më intensive se asnjëherë më parë, raporton KTV.

Derisa po hynte në selinë e partisë, Osmani është pyetur nëse kanë sinjale që LVV ka hequr dorë nga pozita e kryeparlamentarit, ajo ka thënë se nuk dëshiron të lëshohet në deklarata të tilla.

Rreth takimit të mundshëm sot ndërmjet Isa Mustafës dhe Albin Kurtit, ajo ka thënë se do t’i njoftojë mediat nëse një takim i tillë caktohet për sot.

Pas Osmanit, në zyrat e LDK-së ka hyrë edhe nënkryetari Agim Veliu, i cili nuk ka pranuar të deklarohet.

11:40

LDK-ja mbledh kryesinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka mbledhur disa prej anëtarëve të kryesisë në selinë qendrore të partisë në Prishtinë.

Kjo mbledhje po mbahet dy ditë para seancës për votimin e kabinetit qeveritar të mandatarit për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, raporton Koha.net.

Kryesia e LDK-së është mbledhur edhe dje, ku pas mbledhjes nënkryetari i partisë, Lutfi Haziri ka thënë se të hënën nuk do të votohet qeveria e pakicës, duke u shprehur optimist se marrëveshja mes dy partive do të ndodhë.