15:50

Zvogëlohet numri i komisioneve parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka votuar pro zvogëlimit të numrit të komisioneve parlamentare nga 16 sa ishin në 14.

Është votuar edhe përbërja e tyre. Pro ishin 90 deputetë, kundër nuk kishte, ndërsa një ishte abstenim.

Pas këtij votimi, ka përfunduar kjo seancë e Kuvendit.

15:29

Kuvendi vazhdon punët për formimin e komisioneve

Ka nisur seanca në të cilën Kuvendi i Kosovës po vazhdon punët për formimin e komisioneve parlamentare.

Seanca ka nisur në orën 10:00, por pas mospajtimeve mes grupeve, u kërkua një seancë e re në të cilën pritet votimi i këtyre komisioneve.

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi ka propozuar të shtohet një pikë e vazhdimit të vlefshmërisë së rregullores së punës edhe për legjislaturën e shtatë, gjë që u mbështet nga të gjitha grupet parlamentare.

14:10

Grupet parlamentare dakordohen për komisionet, seanca vazhdon në orën 15

Ka përfunduar mbledhja e kryesisë se Kuvendit. Në këtë mbledhje të gjitha grupet janë dakorduar që të ketë 14 komisione, derisa në orën 15 do të vazhdojë seanca për votimin e formimit të komisioneve parlamentare.

13:58

Në Kryesi pritet të sqarohen vërejtjet për komisionet parlamentare

Pak pas orës 13:00 ka nisur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit në të cilën pritet të sqarohen vërejtjet e paraqitura në seancë sa i përket komisioneve parlamentare.

12:24

Përfundon seanca e Kuvendit të Kosovës, në orën 13 mblidhet Kryesia

Pas replikave të të gjithë shefave të Grupeve Parlamentare, Kuvendi i Kosovës ka përfunduar mbledhjen e sotme.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, pas dëgjimit të propozimeve, ka marrë vendim që mbledhja të shtyhet për herë tjetër.

Kuvendi i Kosovës, në seancën e sotme, pritej të bënte shqyrtimin e propozim-vendimit për formimin e komisioneve parlamentare, ku do të bëhej ndryshimi nga 16 në 14.

Ndryshimi i këtij neni, bëhet me votimin e 2 të 3 të votave. Aty u deshën 80 vota, por në votimin e sotëm, kjo dështoi.

Osmani tha se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nis sot në orën 14:00, por përmes kumtesës zyrtare, u njoftua se nis në 13:00, raporton Koha.net.

Pas mbledhjes së Kryesisë do të vazhdojë seanca për të përfunduar pikat e mbetura.

Shefi i GP të VV-së, Rexhep Selimi ishte i pari propozoi për pauzë.

“Propozoj të na ftoni një takim për të gjitha që janë diskutuar sot. Propozimi është të bëjmë një pauzë dhe të bëjmë një takim me ju”, tha ai.

Arben Gashi nga LDK-ja tha “Mendoj që është propozim i arsyeshëm”.

Bedri Hamza nga PDK tha se “Diskutimet janë harxhuar dhe kërkojmë qe kjo çështje të hedhet në votim”.

Teuta Haxhiu nga AAK tha se “edhe grupi jonë parlamentar mendon njëjtë që të hedhet në votim meqë diskutimet kanë përfunduar”.

Haxhi Shala nga Nisma tha se”edhe ne mendojmë që debatet janë kryer edhe kjo pikë duhet të qitet në votim”.

Osmani, tha se Kryesia do të caktojë datën, ditën e orën.

“Duke parasysh që akoma jemi minus 12 deputetë dhe presidenti ende nuk e ka përfunduar detyrën e tij kushtetuese dhe duke pas parasysh që kemi disa vërejtje propozimi im është që këtë temë ta përfundojmë ta shtyjmë për një ditë tjetër dhe mbledhja e kryesisë do ta caktojë ditën dhe orën e saktë se kur vazhdojmë me konstituimin e kuvendit”, tha Osmani.

Ndërkaq, Bedri Hamza, i tha se “mos prezenca e 11 deputetëve prapë nuk ua bën votat”.

10:45

Ndarja buxhetore për 2020-n zgjatet për muajin mars

Me 100 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar që ndarja buxhetore për vitin 2020 të zgjatet për muajin mars, pas kërkesës së ministrit të Financave, Besnik Bislimi.

10:24

Seanca e Kuvendit nis nën tingujt e muzikës së Nexhmije Pagarushës

Nën tingujt e muzikës së së ndjerës Nexhmie Pagarusha, ka nisur seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës.

Në sallë, të pranishëm janë 97 deputetë, raporton KTV.

Kjo u bë për ta nderuar Pagarushën.

LEXO EDHE: Sot seanca për formimin e komisioneve parlamentare