Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, inaugurohet RadioUP

Në Ditën Ndërkombëtare të Radios, inaugurohet RadioUP

13 February 2020 22:23

Me një ceremoni të mbajtur në Fakultetin e Filologjisë, u inaugurua sot radio e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, e emërtuar “RadioUP”. Radioja më e re, ka lansuar sot programin e saj eksperimental në 50 vjetorin e Universiteti, duke shënuar kështu edhe Ditën Ndërkombëtare të Radios.

Fjalimin e parë në programin e RadioUP-së e drejtoi për të pranishmit dhe audiencën e radios në uebfaqen e Universitetit, rektori, prof. dr. Marjan Dema. Entuziast për hapjen e këtij kanali të ri të komunikimit, Dema falënderoi stafin dhe studentët e Departamentit të Gazetarisë për këtë dhuratë dhënë për Universitetin në këtë jubile.

“Është një moment i veçantë krenarie në karrierën time që të bëje hapjen zyrtare të RadiosUP-së dhe të jem prijës i këtij tempulli të ndryshimeve pozitive në vend, në këtë jubile të rëndësishëm për institucionin, për vendin e për kombin tonë” tha Dema, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Ai u uroi punë të mbarë studentëve dhe stafit të gazetarisë, ndërkaq konfirmoi gatishmërinë e menaxhmentit për të mbështetur nga afër këtë projekt dhe të tilla projekte të rëndësishme për studentët dhe stafin.

Ndërkaq, shefi i Departamentit të Gazetarisë, profesori Milazim Krasniqi tha që kjo radio do të jetë në shërbim të Universitetit, studentëve dhe qytetarëve të vendit tonë.

“Sot po inaugurojmë radion e UP-së me një moment simpatik që po ndodh ë 50 vjetorin e universitetit tonë, i cili me gjithë vështirësitë, pa dyshim është universiteti më i mirë në hapësirën shqiptare” theksoi profesori Krasniqi.

Vlenë të përmendet që edicionin e parë të transmetuar në RadioUP e moderoi studentja e gazetarisë, Flaka Zogu, ndërkaq, profesor Alban Zeneli u falënderua nga folësit për kontributin e dhënë në realizimin e këtij projekti.

RadioUP është një arritje që bazën e ka tek vullneti i studentëve dhe profesorëve të Departamentit të Gazetarisë, vend nga i cili kjo radio do të iu drejtohet audiencës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme