16:21

Zyrtare: Grenelli do vazhdojë të jetë emisar special për dialogun Kosovë – Serbi

Ambasadori Richard Grenell do të vazhdojë të jetë emisar special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Këtë për Kohën Ditore e ka konfirmuar zëdhënësi i Grenellit, Dick Custin.

“Mund të konfirmojmë se Ambasadori Grenell do të shërbejë si ambasador i SHBA-së në Gjermani, emisar special për negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe tani, si ushtrues detyre i drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, në të njëjtën kohë”, ka thënë Custin.

Tutje Custin ka thënë se Grenell është pajtuar që të marrë detyrën e re përkohësisht, derisa të bëhet një nominim zyrtar nga Shtëpia e Bardhë.

“Theksoj se ambasadori Grenell është pajtuar me kërkesën e presidentit Trump për të marrë pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit për Inteligjencë Kombëtare, dhe se Shtëpia e Bardhë së shpejti do të konfirmojë nominimin e tij”, ka thënë ai.

Custin ka deklaruar për Kohën Ditore gjithashtu se Grenell do të jetë i përkushtuar 100 për qind për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Duke u bazuar në këto fakte ambasadori Grenell do të mbajë emërimet si ambasador i SHBA-së në Gjermani dhe i dërguar i posaçëm presidencial në negociatat e paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndaj së cilët ai mbetet i përkushtuar 100 për qind”, ka deklruar Custin.

 

14:43

Zyra e Grenellit ende pa qëndrim rreth rolit të tij në dialogun Kosovë-Serbi

Ende nuk dihet nëse Richard Grenell do të vazhdojë të jetë i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, meqenëse nga zyra e tij, thonë se ende s’kanë ndonjë vendim.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump, kishte emëruar ambasadorin amerikan në Gjermani, Richard Grenell, të dërguar të posaçëm për bisedimet e paqes mes Kosovës e Serbisë.

Megjithëse mbanë atë pozitë, tash presidenti Trump e ka emëruar edhe ushtrues detyre të drejtorit të Inteligjencës Kombëtare.

Grupi Koha ka kontaktuar zëdhënësin e Grenellit, Dick Custin, për të kuptuar nëse ai do të vazhdojë t’i mbajë pozitat që ka, apo lidhur me dialogun Kosovë-Serbi do të emërohet dikush tjetër, por ai ka thënë se “fatkeqësisht”, nuk është marrë ende ndonjë veprim rreth kësaj çështjeje.

Çka ka bërë Custin, është veçse një referencë në njoftimin e presidentit Trump, për emërimin e postit të ri për Grenellin.

“Jam i lumtur t’ju njoftoj se ambasadori ynë shumë i respektuar në Gjermani, Richard Grenell, do të emërohet Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare. Ricki ka përfaqësuar vendin tonë jashtëzakonisht mirë dhe unë mezi pres të punojë me të. Do të doja të falënderoja Joe Maguire, për punën e mrekullueshme që ai ka bërë, dhe mezi presim të punojmë me të nga afër, mbase në një kapacitet tjetër brenda Administratës”, kishte njoftuar Trumpi.

Ambasadori Grenell, ka qenë zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdo ambasador tjetër, duke shërbyer për katër ambasadorë të ndryshëm.

Grenelli, kohët e fundit është i zëshëm në heqjen e taksës kundër Serbisë, në mënyrë që të rifillojë sa më parë dialogu.

Por, një deklaratë për media është lëshuar nga Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, ku konfirmohet detyra e re e Grenellit.

Megjithatë, nuk specifikohet nëse ai do të vazhdojë të ketë rolin e tij në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sot, Presidenti caktoi ambasadorin i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell si ushtrues detyre i drejtorit për Inteligjencë Kombëtare. Grenelli ishte konfirmuar në rolin e ambasadorit nga Senati në prill 2018, dhe ka disa vite përvojë pune me komunitetin tonë të inteligjencës në disa pozicione, përfshirë këtu si i dërguar special për negociatat ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe si zëdhënës i SHBA-së në Kombet e Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Tutje thuhet se, “ai është i përkushtuar për qasje jo-politike, jo-partizane si kreu i Komunitetit të Inteligjencës, nga e cila varet siguria jonë. Presidenti ka besimin se ambasadori Grenell do të kryejë detyrat e tij të reja me nderim”.