Arbëri

Haradinaj: Taksa do t’ia hajë kokën kësaj qeverie, siç ia hëngri të kaluarës

Haradinaj: Taksa do t’ia hajë kokën kësaj qeverie, siç ia hëngri të kaluarës
20:29

Haradinaj: Taksa do t’ia hajë kokën kësaj qeverie, siç ia hëngri të kaluarës

Daut Haradinaj, deputet i AAK-së, si iniciues i seancës së jashtëzakonshme, në fund të debatit për taksën, tha se do të duhej të propozohej një rezolute e cila do të vihej në votim, por shtoi se kjo s’do të ndodhë sepse “po e shoh se s’ka disponim”.

Ai tha se qeveria nuk e ka seriozisht as vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë.

“T’ia hapësh tregun Serbisë sot, pa asnjë çmim kundërvlerë, është gabim. Taksa do t’ia hajë kokën edhe kësaj qeveria, siç ia hëngri të kaluarës”, deklaroi Haradinaj.

Askush në Kosovë, tha ai, nuk mund ta detyrojë Serbinë ta heqë Kosovën nga Kushtetuta e saj.

Për fund, taksa s’është dashur të vendoset hiç, por me Serbinë kemi qenë në luftë, dhe gjithçka me të i kemi arritur me zor. Kompromisi i dhimbshëm me Serbinë do të jetë për të gjithë ne. Sepse po flitet për kompromise, dhe kjo nënkupton heqje dorë nga ajo që e kemi. Taksa duhet të jetë kusht që SHBA e BE të jenë garant për njohje reciproke. Ky është kushti ynë”, tha deputeti i AAK-së.

“S’e kemi qëllim të bllokojmë asnjë shtet, por të kemi njohje reciproke me Serbinë”, theksoi ai.

Me fjalimin e tij, seanca mbylli punimet.

18:58

Krasniqi, Kurtit: Thirri mendjes e merr përgjegjësi, nuk je më opozitar

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë sot në seancën për tarifën ndaj Serbisë se kryeministri Albin Kurti duhet të marrë përgjegjësi e mos të sillet akoma si opozitar.

“T’i lëmë muhabetet e kota e argumentet e lodhta, se krejt këtu e dimë që mbi të gjitha, sot është një arsye shumë e madhe pse duhet me u suspendu taksa menjëherë. Shtrëngohuni ju të koalicionit edhe folni drejt që arsyeja e vetme meritore për me e heqë taksën është kërkesa e SHBA-së. Kaq! Puna është e thjeshtë. Vendimi është i juaji. Ose e hiqni taksën dhe jeni në linjë me Amerikën ose nuk e hiqni taksën dhe pozicionoheni kundër Amerikës. Ose, siç thotë Albin Kurti, ‘Amelikes Amelikes’. Se kohëve të fundit po e përmend me pak më shumë respekt se përpara”, tha Krasniqi.

“Kosova s’guxon me vazhdu me aventura në raport me partnerët ndërkombëtarë e më së paku me Amerikën. Thirri mendjes Kryeministër, kudo qofsh tash, e merr përgjegjësi shtetërore se nuk je më opozitar. Nuk priten prej teje analiza e vjersha, po vendime e veprime. Mos e rreziko Kosovën me qenë në anën e atyre që s’e kanë mbështetjen e Amerikës. Shërbimi më i madh që mundet me ju ba Serbisë dhe Vuçiqit sot është nëse sot vepron kundër kërkesave amerikane”, tha Memli Krasniqi.

18:24

LDK-ja për heqje të taksës, PDK-ja për pezullimin e saj

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka përsëritur se qëndrimi zyrtar i partisë së tij është heqja e tërësishme e taksës.

Këtë e ka thënë në një replikë ndaj ish-ministrit Abelard Tahiri.

“LDK-ja është për heqje të taksës, pa kushte pa bllokada. Ta keni parasysh se taksa e cila është vendosur si mjet për avancimin e Kosovës, nga ju është kthyer në një mjet qe po e dëmton Kosovën”, ka thënë Gashi.

Ai ka shprehur habi dhe ka pyetur Tahirin për qëndrimin zyrtar të PDK-së.

“Nëse ju si opozitë jeni për heqje e taksës, ne si pushtet jemi për heqjen e taksës, atëherë ka diçka të paqartë këtu”, ka shtuar ai.

E Tahiri tregoi se qëndrim zyrtar i PDK-së, është ai i dhënë nga kryetari i partisë, Kadri Veseli.

“Qëndrimi i PDK-së për taksën, është ai i janarit 2019, për pezullimin e taksës që është propozim i Kadri Veselit”, tha Tahiri.

Ai kritikoi Albin Kurti se kur ishte në opozitë ishte refuzues, kurse tash si kryeministër i paqartë.

17:58

Abazi: Presidenti nuk ka mandat për të negociuar me Serbinë

Zv\kryeministri i Kosovës, Haki Abazi, në seancën e thirrur për taksën, ka folur për presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Thaçi nuk ka mandat të negociojë me Serbinë. Kjo punë i takon Qeverisë.

“Presidenti nuk ka mandat për të negociuar me Serbinë. Vetëm Qeveria ka mandat kushtetues te negociojë me Serbinë dhe aty do të kthehemi patjetër”, ka thënë ai.

Ai ka ftuar edhe presidentin Thaçi të kthehet nga SHBA-ja ku po qëndron për vizitë dhe të ulet me kryeministrin për të harmonizuar qëndrimet.

Ka folur edhe për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Sipas tij, ato nuk vihen në diskutim.

17:49

Sopi-Krasniqi: AKR-ja është për heqje të taksës

Mirlinda Sopi Krasniqi, deputete e re nga AKR-ja, ka thënë se partia që ajo e përfaqëson e ka përkrahur vendosjen e taksës, por shtoi se tanimë ajo e ka arritur qëllimin e saj.

“Taksa ishte vendosur si kundërmasë për fushatën agresive diplomatike të Serbisë që synonte dëmtimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Taksa e ka arritur qëllimin e saj. Ajo e ka pasur për qëllim të ndërgjegjësojë komunitetin ndërkombëtar për fushatën e ndotur serbe. Taksa nuk e ka synuar asnjëherë kur të mbetet një instrument për të penguar dialogun mes dy vendeve, e aq më tepër dëmtimin e raporteve me SHBA-në”, tha Sopi Krasniqi.

“Unë dhe AKR-ja mbështesim heqjen e taksës”, theksoi ajo.

17:39

Demaliaj: Kurti s’mori asnjë urim nga vendi prej nga vjen – mos e hiqni taksën

Shkumbin Demaliaj, deputet i AAK-së, ka thënë se VV-ja është e dobët karshi presionit ndërkombëtar.

Ai tha se më mirë është që të deklarohen se janë të dobët e s’po munden t’i bëjnë ballë presionit.

“Pranojeni: jemi të dobët, s’mund t’i qëndrojmë kësaj stuhie. S’po mundemi të ballafaqohemi as me LDK-në”, tha Demaliaj në Kuvend, duke iu referuar VV-së për çështjen e taksës.

“(Avdullah) Hoti u ka thënë se nëse nuk e hiqni taksën për 1 javë, ne ikim nga qeveria. Pra, tash duhet t’i dëgjoni ata. Në momentin e parë të një mocioni për qeverinë, ata do t’ju shkarkojnë nëse s’i dëgjoni”, tha më tej deputeti i AAK-së.

Ai tha se “deputetët e Listës Serbe kanë qenë sot në Kuvend derisa Kurti ishte i pranishëm këtu”.

Demaliaj ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti edhe për emërimin e shoferit të tij në pozitën e këshilltarit politik.

“S’keni njerëz. Ndoshta ai është këshilltar për shoferë”, tha Demaliaj.

Për çështjen e Xhamajkës, Demaliaj tha se “këta e kanë përcjellë Hashimin në Twitter dhe janë deklaruar se kinse na ka njohur Xhamajka”.

“Ky është skandal diplomatik. S’bëhet diplomacia duke lexu në Facebook e portale”, tha ai.

Tutje, Demaliaj tha se ne më nuk e njohim Albin Kurtin.

“S’dua ta gjykoj, por dua ta di kush është ai. Asnjë urim nuk ka marrë Kurti prej vendit prej nga vjen”, tha Demaliaj, duke përfunduar fjalimin me “taksa nuk duhet me u heq”.

17:36

Selmanaj për taksën: Ishte aksidentale, duhet hequr

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, e ka quajtur sallën e Kuvendit “treg i plaçkave”, duke iu referuar asaj që po ndodh.

“Dola këtu (në foltore v.j.) me iu pa në sy dhe me iu thënë në sy”, tha Selmanaj.

Ai tha se e kupton opozitën dhe rolin e saj, por jo edhe veprimet.

Selmanaj shtroi edhe një pyetje për ish-qeverinë që e vendosi taksën.

“Pse kur e keni vendos këtë taksë nuk e keni pyetur Kuvendin”, duke e lidhur me debatin e madh që po bëhet tash në Kuvend për mos heqje të taksës.

“Çka po më del është se nuk po i besojmë njëri-tjetrit, tash s’po na besojnë as miqtë, s’po i besojmë as vetes. Ka qenë aksidentale vendosja e tarifës, PDK-ja tha se ishte inciativë e saj, por pas dy muajve kërkoi me e heq. Ndërkohë AAK-ja nuk ka pas idenë për taksën, por kur e pa sa popullore ëstë, tha ‘po e lë’”, tha Selmanaj.

Ai foli edhe për efektin që AAK-ja ngul këmbë se taksa e arriti, për të ndalur ndarjen e Kosovës.

“Krejt efekti i taksës është kinse ‘e kemi ndalur ndarjen’. Për kë e keni vendos taksën, për presidentin. Ndërkohë keni vazhduar të qeverisni me PDK-në”, shtoi ai.

Ai foli edhe për rolin e SHBA-së, që nga vitet ‘90 e deri më tash.

“Kosova e nisi luftën kur tha Amerika, çlirimin e arriti kur dashi Amerika, pavarësinë kur deshi Amerika, krejt njohjet janë nga Amerika. Kjo temë duhet të përfundojë”, u shpreh Selmanaj, duke iu referuar kërkesës së SHBA-së për heqje të taksës. “Tarifa është dashur të hiqet dje, jo sot. Dje u dashtë për shkak te kërkesës se Amerikës. Njohja reciproke vjen kur do Amerika, jo kur duam ne”.

17:08

VV-ja për transparentet e AAK-së: Nuk e keni marrë mësimin mirë

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Rexhep Selimi, ka folur për transparentet që deputetët e AAK-së vendosën para foltores së Kuvendit, në replikën e tij me deputeten Donika Kadaj-Bujupi.

“Këto transparente i keni mësuar nga ne, por po e shoh që nuk e keni marrë mësimin mirë, siç nuk kemi çka të mësojmë ne nga ju”, tha Selimi.

Selimi ia ka kujtuar Kadaj-Bujupit edhe një deklaratë të 9 shtatorit 2017 kur ishte votuar Qeveria Haradinaj. Sipas Selimit, Kadaj-Bujupi kishte thënë “Nga Ramushi komandant në Ramushin e Veselit e Veselinoviqit, Sërpskas e Beogradit”.

Kadaj-Bujupi në replikën e saj, ka pranuar deklaratën, por ka thënë se “është pikërisht ky Ramush që u prish me Sërpskan kur erdhi puna me u nda Kosova. Ky është dallimi me ju”.

 

16:54

Kadrijaj: Taksa pasqyron ngritjen e bizneseve vendore

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se taksa 100 për qind i ka sjell shumë të mira Kosova.

Sipas saj, me të në fuqi, bizneset vendore janë rritur, kurse ato serbe kanë pësuar humbje të mëdha.

“Taksa 100 për qind pasqyron ngritjen e bizneseve vendore kosovare, shtimin e të punësuarve”, ka thënë Kadrijaj.

Ajo ka kritikuar Qeverinë Kurti, pasi siç tha po mashtron popullin me zëvendësimin e taksës me reciprocitet.

“Kosova nuk ka asnjë garanci se kjo e sjell marrëveshjen për njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Serbia po vazhdon të armatoset nga Rusia e Izraeli. E Kurti çfarë po bën”, tha ajo.

Kadrijaj shtoi se heqja e taksës do ta ndihmonte presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq që të fitojë zgjedhjet e ardhshme në Serbi.

“Vuçiqit po ia mundëson të fitojë në zgjedhje, ti po ia mundëson, pasi ai do të krekoset se ka hequr taksën ndaj mallrave serbe. Cilat kompromise tjera do i bësh? Ato që po i përmend Vuçiqi ‘Ahtisari plus, plus, plus...? Ne do të frikësohemi se pa taksë do të jemi në pozitë të pavaforshme kur të vijë koha për marrëveshjen finale”, shtoi Kadrijaj.

16:33

AAK-ja shton pankarta të reja para foltores së Kuvendit

Deputetet e AAK-së, Time Kadrijaj dhe Teuta Haxhiu, kanë vendosur pankarta të reja pranë foltores së Kuvendit, pranë atyre që më herët vendosën kolegët e tyre, Bekë Berisha e Gazmend Syla.

Mesazhet e pankartave të reja janë “Serbia kalon” dhe "Nuk kalon” me një pikëpyetje të madhe në mes.

16:10

Deputetët e opozitës vendosin pankarta para foltores së Kuvendit

Deputetët e AAK-së, Bekë Berisha dhe Gazmend Syla, kanë vendosur tri pankarta para foltores së Kuvendit.

Mesazhet në pankarta janë: “Serbia nuk kalon” dhe “Ku është kërkim falja, ku janë të pagjeturit”, duke iu referuar deklaratave të mëhershme të kryeministrit Albin Kurti, se nuk do të bisedojë me Serbinë pa kërkuar falje për krimet e luftës ndaj shqiptarëve.

16:02

Rinis seanca e Kuvendit

Seanca e Kuvendit të Kosovës, ku po debatohet për taksën ndaj Serbisë, ka rinisur pas një pauze prej një ore.

Në sallë janë një numër jo i madh i deputetëve, derisa për vazhdimin e seancës nuk janë të pranishëm as anëtarët e kabinetit qeveritar, përveç ministrit të Integrimit Evropian, Blerim Reka.

14:45

Kuvendi shkon në pauzë

Një orë pauzë është caktuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

Më pas pritet të vazhdojë seanca e thirrur për taksën 100 për qind.

13:50

Limaj-Kurtit: Veseli të është bërë si sëmundje, shko ndërtoje qëndrimin

Lideri i Nismës Social Demokrate, Fatmir Limaj, i ka thënë Kurtit se ka humbur mundësi të madhe të negocimit, sepse ka probleme me prioritetet e tij

Limaj tutje e ka porositur Kurtin të mos i ikën dialogut, duke shtuar se atë e ka temë kryesore.

“Një kryeministër nuk guxon me u fsheh mbas drejtorëve. Janë shku me negociu marrëveshje e ju keni thënë që nuk e dimë për çka është shkuar. Dialogun e ke temën qendrore, mos i ik. Nis merru me temën kryesore, lëri këto aktrime, këto nuk të ndihmojnë. 70 për qind të fjalimit tënd e ke pas për LDK-në. E ke shikuar Kadrinë se të është bërë si sëmundje. Kryeministër shko ndërtoje qëndrimin”, ka thënë ai.

13:36

Veseli: Edhe kjo Qeveri mund të bie nga taksa, Kurti po sillet si nëpunës doganor

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka thënë se kryeministri, Albin Kurti paraqet rrezik për shtetin e Kosovës.

Sipas tij ai është një person i paqëndrueshëm dhe po paraqitet si një nëpunës doganor.

Deputeti Veseli në seancën e jashtëzakonshme që po mbahet për taksën 100 për qind ndaj Serbisë tha se partia e tij e mban qëndrimin e njëjtë për taksën, edhe sa ishte në pushtet.

“Ky njeri paraqet rrezik për shtetin e Kosovës, sovranitetin. Kjo sallë është një trashëgimi, por ky më është dukur si një autonomist. Kryeministër kanë ndryshuar gjërat, duhet me u sjell si shtet i pavarur dhe sovran. Nuk mundesh me fol si një nëpunës doganor o kryeministër”, ka thënë ai.

Ai tha se në janar të vitit 2019 i ka propozuar draftin për pezullimin e taksës, që sipas tij për shkak të populizmit e kanë refuzuar këtë.

Të njëjtën, Veseli tha se e ka propozuar qeveria Kurti.

“Mbyllja e paqartësive me Serbinë është interes i Kosovës. SHBA ka investuar në këtë rajon, kjo është arsyeja pse e kam propozuar...Me këtë veprim Kosova do të kthente avantazhin ndaj Serbisë dhe do t’i ruante marrëdhëniet me aleatët tanë”, tha ai.

Krahas kësaj, shefi i PDK-së tha se raportet me SHBA-në janë në pikën më të ulët. Derisa tha se qeveria Kurti ose duhet të dëgjojë ata, ose të bie.

“Qeveria e kaluar ra nga taksa, edhe kjo qeveri mund të bie pikërisht nga taksa...unë e kam të njëjtën qëndrim, nuk do të ndryshoj, ky është një dallim i madh mes meje dhe atyre që e kanë pushtetin", ka thënë ai.

13:17

Kurti-Haradinajt: Kështjella është e familjes, shteti është më shumë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka replikuar lidhur me taksën me shefin e Grupit Parlamentar të AAK-së, Daut Haradinaj.

Kurti ka thënë se në efektin politik e ekonomik, efekti i taksës është minimal.

Ai ka thënë se është i zëshëm kundër shkëmbimit të territorit.

“Kështjella është kështjellë e familjes, e fisit, shteti është më shumë. Në kuptimin e sovranitetit politik e ekonomik në vendin tonë efekti i taksës është minimal. Unë jam më i zëshëm kundër shkëmbimit të territorit. Presidenti aktual nuk ka autorizim për të nënshkruar marrëveshjen. Nuk ka fuqi implementuese për çfarë do marrëveshje. Kjo nuk do të ndodh. E di që ka pasur një plan që të bëhet heqja e tarifës në Kosovë, e të nesërmen jo të fillojë dialogu, por të përfundojë”, ka thënë ai.

Ndërkaq Haradinaj ka pyetur se cili është reciprociteti që do të përdorë.

“Këtu është duke u diskutuar rreth një marrëveshje të ardhshme politike e cila po konsiderohet kompormis. Kompromis nënkupton më pak”, ka thënë ai.

13:05

Kurti: Do ta detyrojmë Serbinë të na njohë, ka versione më të mençura se taksa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se aplikimi i taksës është shfrytëzuar si pretekst nga Serbia për ta refuzuar dialogun.

Ai tutje ka shtuar se efekti i taksës ka qenë minimal për shkak se nuk është zbatuar si duhet.

“Ne konsiderojmë që rezolutat në Kuvendin e Kosovës nuk janë tekst në letër por janë vendime për t’u zbatuar e aplikuar. Aplikimi i taksës është shfrytëzuar si pretekst nga Serbia për të refuzuar dialogun. Në anën tjetër efekti i taksës ka qenë minimal për shkak se nuk është zbatuar si duhet. Deri më tani dialogu me Serbinë në thelb është bërë mbi e rrotull e për statusin e Kosovës. Kur të njihet patentë shoferi është njohur shteti, kur të njihet certifikata është njohur shteti, ne duhet ta detyrojmë Serbinë të na njohë”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se ka versione shumë më të mençura se si t’i arrijnë qëllimet që dëshirojnë.

“Qëndrimi im është qëndrimi i duhur për të ecur përpara. Qasja e jonë është ajo që praktikisht na ka vendosur në ofenzivë. Ka versione shumë më të mençura se si të arrijmë qëllime që i dëshirojmë se sa kjo që është bërë deri më tani. Autoritete serbe kërkojnë që dokumentet të përgatiten në gjuhën serbe”, ka thënë ai.

Sipas tij, reciprociteti si koncept qëndron në barazi, reciprociteti derivon nga barazia.

Ai tutje ka shtuar se së pari duhet ta normalizojnë vetën e pastaj marrëdhëniet me Serbinë.

“Marrëveshja për reciprocitet e cila në njëfarë mënyrë është bërë edhe në Bruksel për letër ngjitjet nuk është zbatuar në Kosovë. Ka qenë marrëveshje e Brukselit, ka qenë në interesin tonë por ja që nuk është zbatuar. Targat tona RKS nuk hyn në Serbi e të atyre hyjnë. Qeveria e kaluar me tarifën 100 për qind i ka pasur 8 muaj, 14 muaj përpara nuk e ka pas. Serbia nuk ka ndryshuar, ka qenë e njëjta që e kemi njohur gjithë. 14 muajt e Qeverisë nuk ka pasur tarifë ndoshta nuk është dashtë më pas, është dashur të ketë reciprocitet. Nga takimet që i kam zhvilluar unë kam ardhur tek qëllimi i duhur për rrugët përpara sa i përket tarifës 100 për qind. Unë po e bëjë një hap të vullnetit të mirë mandej i përket Serbisë me dëshmu. Serbia duhet të dëshmohet, duhet të deklarohet që po e ndalon fushatën. Masat tona janë normale për një shtet normal. Ne duhet ta normalizojmë veten tonë para se ta kërkojmë normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë ai.

12:20

Hamza: Kjo Qeveri nuk është e vendosur as për mbajtje të reciprocitetit

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka thënë se kjo Qeveri nuk e ka guximin e as nuk është e gatshme të punojë për të ardhmen e gjeneratave të reja.

Ai tutje ka shtuar se ata nuk kanë as një plan konkret se si të punojnë.

“PDK-ja e ka vlerësuar këtë çështje në fillim të vitit të kaluar. Ka kërkuar që të japin kontributin e tyre. Ne jemi konsistent. Historia nuk harrohet as nuk mund të shuhet por kem obligim që të punojmë për të ardhmen e gjeneratat e reja. Ju nuk e keni guximin se nuk jeni as gati e as bashkë si partnerë. Kjo qeveri nuk ka as plan konkret.. ne dëshirojmë të shtrojmë këtë çështje përtej taksës. A janë të përgatitura institucionet a kanë vizion të qartë për dialogun”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se proceset e rëndësishme kanë nevojë edhe për kohezion të brendshme.

Hamza ka thënë se kjo Qeveri nuk është e sigurt e as e qëndrueshme në vendosjen dhe mbajtjen e reciprocitetit.

“Ne presim diskutime përmbajtjesore jemi për mbrojtjen e interesave të vendit. Në këtë proces jo te lehtë duhet të jemi të koordinuar dhe në dakordim me parterët tanë strategjik. U tha këtu që mund të ketë mospajtim të plotë edhe mes nënshkruesve. PDK ka konsistencë në qëndrimet e saj por shqetësuese është mos uniteti mes partive në qeveri. A jeni të sigurt e a jeni të qëndrueshëm në vendosjen e mbajtjen e reciprocitetit. Unë dyshoj”, ka shtuar ai.

11:55

Selimi: Taksa nuk e ndali projektin për ndarjen e Kosovës, rreziku ekziston ende

Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka hedhur poshtë pretendimet se taksa ndali projekti për ndarjen e Kosovës.

Ai ka thënë se rreziku për ndarje ekziston ende.

Selimi ka thënë se Vetëvendosje mban qëndrimin e njëjtë ashtu sikur kur ishte në opozitë, se reciprociteti është masë e duhur, raporton KTV.

“Qëndrimin e cilit prej liderëve tuaj do e merrni sot për debat, atë të kryetarit të AAK-së për mosheqjen e taksës apo të kryetarit të PDK-së për heqjen e taksës. Qëndrim të njëjtë sikur sot kemi pasur gjatë gjithë legjislaturës. Të njëjtin qëndrim që e kemi pasur si opozitë e kemi edhe sot si qeveri pra reciprocitet. Pretendimet që taksa shmangu rrezikun nga ndarja nuk qëndrojnë. Rreziku ende ekziston”, ka thënë ai.

Ai thotë se nëse diçka e ka stopuar projektin për ndarjen e Kosovës janë pikërisht protestat e qytetarëve me moton një popull nuk i nënshtrohet një personi.

“Megjithë qëllimin që kishte tarifa nuk e ndali Serbinë as ndaj sulmeve të saj ndaj Kosovës. Serbia edhe sot po vazhdon fushatën për çnjohjen e Kosovës. Qytetarët e vendit presin që nga ne të veprojmë e këtë po e bën Qeveria Kurti por edhe votuesit tuaj presin që të jeni më të arsyeshëm e më konstruktiv”, ka thënë ai.

11:47

Haradinaj-Kurtit: Ne nuk e hoqëm taksën përkundër presionit, mos e hiqni as ju

Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se në kohën e qeverisjes së Haradinajt taksa nuk u hoq përkundër presionit të madh që u bë.

Ai ka thënë se Kosova nuk do të duhej të dorëzohej as tash.

"Presioni për heqjen e taksës edhe pse ishte i madh nuk i luhati institucionet e tona. Kosova nuk do të duhej të dorëzohej as tash. Mbaj mend kryeministrin Kurti dhe kauzën e tij shumë vjeçare, rrotullimin e kamionëve, protestat.. të gjitha këto për pengimin e barkodit të Serbisë”, ka thënë ai, raporton KTV.

Haradinaj ka shtuar se nëse sot hapet tregu për Serbinë, nesër do të jetë rrezik për Kosovën.

Ai ka thënë se duhet të dëshmohet se 17 shkurti dhe integriteti territorial i Kosovës, janë të panegociueshme.

"Sot i kemi 100 arsye që të kundërshtojmë mos heqjen e taksës 100 për qind. Kosova duhet ta dijë që nëse sot do i hapim tregun Serbisë ky do të jetë rrezik për nesër, ju ftoj që sot të jemi unik përballë Serbisë. Ta dëshmojmë se sa jemi të vendosur. Të ia bëjmë të qartë të gjithëve se pavarësia e 17 shkurtit dhe integriteti territorial është i panegociushëm. Kush më mirë se Kurti i njeh ata zyrtarë serbë. Mos e largo taksën sepse nëse e mbani taksën si opozitë do të jemi me ju”, ka thënë ai.

11:36

Betohen deputetët që i zëvendësojnë ministrat, vendosin flamurin kombëtar

Janë betuar 11 deputetët e rinj të cilët do t’i zëvendësojnë ministrat e zgjedhur.

Kjo ka ndodhur në seancën e sotme ku do të diskutohet për taksën 100 për qind.

Gjithashtu në radhët e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje është vendosur flamuri kombëtar.

Image
11:27

Në mungesë të kuorumit Kuvendi shkon në pauzë

Në mungesë të kuorumit seanca e jashtëzakonshme e thirrur pas paralajmërimeve të kryeministrit Albin Kurti për heqjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake ka shkuar në pauzë dhjetë minutëshe.

Kjo për arsye se brenda sallës plenare kanë qenë vetëm 15 deputetë. Ndonëse kanë kaluar rreth 20 minuta prej kur është dashur të nis.

Në mungesë të zgjedhurve të popullit, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani dha një pauzë dhjetëminutëshe.