1 perditesime
09:44

Nxënësit orën e parë ia kushtuan Epopesë së UÇK-së

Edhe këtë vit në të gjitha shkollat e vendit, ora e parë e mësimit po i kushtohet Epopesë së UÇK-së, përkatësisht sfidave dhe rrugëtimit të gjatë të UÇK-së deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Në 22 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, heroizmit të komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të kombit, mësimdhënësit me shumë përkushtim po i shpjegojnë nxënësve historinë, sakrificën dhe vlerat e kombit shqiptar.

KosovaPress vizitoi sot shkollën fillore “Faik Konica”, në Prishtinë, për të parë nga afër zhvillimin e orës së parë kushtuar Epopesë së UÇK-së.

Brenda 45 minutave sa zgjati ora, nxënësit patën mundësi të mësojnë për historinë e lavdishme të popullit shqiptar.

Drejtoresha e kësaj shkolle, Jehona Oruçi, tha për KosovaPress, se për nder të Epopesë së UÇK-së, në orët e para të gjithë mësimdhënësit i kanë njoftua r nxënësit me luftën dhe sakrificën e popullit tonë deri në pavarësinë e vendit.

“Tash e disa vite është bërë traditë që në nivel të vendit orën e parë, me 5 mars t’ia kushtojmë Epopesë së UÇK-së, edhe në Komunën e Prishtinës edhe në shkollën “Faik Konica”, ora e parë është realizuar duke e inkorporuar në të gjitha njësit mësimore temën e Epopesë së UÇK-së.... Nuk është vetëm kjo ditë, ne mundohemi që gjatë tërë ditëve të vitit që nxënësit t’i vetëdijësojmë dhe t’i inkurajojnë që historinë ta mësojnë, por këtë ditë ne mundohemi t’i japim mesazh nxënësve tanë që të kanë njohuri se kush ishin ata të cilët sakrifikuan për lirin që ne sot e gëzojmë”, tha Oruçi.

Oruçi theksoi se jo vetëm këtë ditë por çdo ditë të vitit mundohen t’i inkurajojnë nxënësit që të mësojnë historinë e lavd ishme të UÇK-së.

Se ora e parë iu kushtua Epopesë së UÇK-së, e tha edhe arsimtarja e gjuhës shqipe, Valbona Vitia-Ajeti, sipas të cilës ky vendim nga MASHT-i, ishte shumë i qëlluar dhe se nxënësit patën mundësi të mësojnë më shumë për historinë e popullit tonë.

“Sipas rekomandimeve të MASHT dhe drejtorisë komunale të arsimit të komunës tonë, dita e parë iu kushtua Epopesë së lavdishme të UÇK-së, në orën e parë sot nxënësve iu shpjeguam për Epopenë ku nxënësit shkruaj ese, disa ishin edhe të përgatitur kanë njohuri për Epopenë”, u shpreh Ajeti.

Elsa Tolaj,nxënëse e klasës së tetë në shkollën fillore “Faik Konica”, tha se muaji mars është shumë i veçantë për kombin tonë, fal sakrificës që dha UÇK dhe familja Jashari.

“Marsi në të gjithë botën është një muaj i thjeshtë, por për ne shqiptarët marsi është një muaj i veçantë ku me 5 deri me 7 mars, familja Jashari u flijua për lirin tonë që ne sot e gëzojmë”, tha Elsa.

Të njëjtin mendim ka edhe nxënësja Esma Bacaku e cila tregoi të gjitha informacionet që ajo di për Epopenë e UÇK-së.

“Ky manifestim bëhet për nder të Epopesë së UÇK-së dhe komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit, me 5 mars forcat terroriste serbe e sulmuan shtëpinë e Adem Jasharit në Prekaz”, tha Bacaku.

08:15

Ora e parë mësimore i kushtohet Epopesë së UÇK-së

Me rastin e vitit jubilar, 22 vjetorit të rënies heroike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, Familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri, Qeveria e Republikës së Kosovës në krye me Albin Kurtin më datat 5, 6 dhe 7 mars, organizon manifestimi gjithë-popullor Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa, përmes një njoftimi MASHTI ka thënë se sot me datë 5, ora e parë e mësimit do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së.

“Bazuar në programin e Qeverisë së Kosovës për shënimin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, MAShTI kërkon nga të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës që, nesër (e enjte), 5 mars 2020, ora e parë e mësimit t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.