4 perditesime
21:26

Gashi: Ka kohë që Rama sillet me inat ndaj Kosovës

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në Rubikon të KTV-së ka thënë se ka kohë që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po sillet me inat ndaj Kosovës.

Ai ka shtuar gjithashtu se Kosovës nuk i intereson Minishengeni.

“Kryeministri i Shqipërisë ka kohë që me Kosovën sillet me inat. Ndoshta sepse në kohën e kryeministrit Mustafa, ky i ka thënë në mënyrë eksplicite i kishte thënë se ne nuk jemi për Jugosllavinë e re, por se ne jemi për një integrim në BE. Idetë e mbrapshta mbesin të tilla pa marrë parasysh rrethanave dhe kohës që bëhen. E shohim painteres ekonomik, strategjik për Kosovën. Pra, ka programe që i ngritin kapacitetet ekonomike evropiane. Por, minishengeni nuk i intereson Kosovës”, ka thënë Gashi.

Gashi thotë se Rama nuk heziton ta quajë mik të tijin presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, derisa me kryeministrat e Kosovës në vazhdimësi ka pasur përplasje.

“Ndoshta mund të jetë inat edhe më i thellë pasi Rama nuk heziton ta quajë ‘miku im Vuçiq’. Në vazhdimësi ka pas deklarime të një miqësie personale ndërmjet tyre. Dhe në vazhdimësi ka pasur përplasje ndërmjet kryeministrave të Kosovës me atë të Shqipërisë. Sjellja paternaliste, mënyra e komunikimit, nuk mund t’i japë arsye se si vepron Rama, unë po citoj deklaratat e Ramës, unë nuk po e them këtë. Këto janë raporte bilaterale, aq sa jep edhe merr”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka folur edhe për ambasadorët të cilëve u ka kaluar afati.

“Konjufca, i ka propozuar presidentit që të kthehen ambasadorët që janë duke shërbyer jashtëligjshëm. Nuk ka nga LDK-ja. Në momentin kur diplomatët janë politikë, duhet të tërhiqen pasi nuk e kanë mbështetjen e qeverisë pasuese”, ka thënë Gashi.

Sipas tij ishte i drejtë vendimi i Konjufcës për kërkesën për kthimin e shtatë ambasadorëve, përfshirë edhe Vlora Çitakun, pasi sipas tij ata janë diplomatë politikë, e jo të karrierës.

“Znj. Çitaku kur është emëruar ambasadore do të duhej të kthehej në vend pas përfundimit të mandatit katër vjeçar, asaj i janë vazhduar edhe dy mandate, pra ka më shumë se tre vjet është duke tejkaluar provizionet ligjore, dhe që të shtatit kanë tejkaluar këto afate. Pritet që të kthehet edhe Teuta Sahatçiu e LDK-së pasi i kalon afati, pasi ne e dimë se ajo është ambasadore politike. Me sa e di unë Nazane Breca ka qenë dhe është kthyer, dhe nuk e di kush është tjetër ambasador politik”, ka thënë Gashi.

Kurse për Ramadan Gashin, Sami Ukellin, Shkëndije Sherifin dhe Fitim Gllarevën ai ka thënë se janë ambasadorë të karrierës, me këtë të fundit madje thotë se nuk është i LDK-së fare.

Duke folur për Lidhjen Demokratike të Kosovës, Gashi ka thënë se nuk ka qenë asnjëherë kundërshtar i Isa Mustafës, por se ka pasur kohë që kanë menduar ndryshe.

Ai ka thënë se nuk e ka votuar qeverinë e përbashkët me PDK-në, por sipas tij, kjo nuk ka pasur të bëjë me Isa Mustafën si lider.

Gashi ka thënë se nëse Mustafa dëshiron të jetë kandidat për president, atëherë ai është kandidati më i mirë që ka LDK-ja.

21:19

Gashi: Aseti kryesor i Kurtit është LDK-ja

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, në Rubikon të KTV-së ka thënë se aseti kryesor i Kurtit është LDK-ja për shkak të përvojës së saj institucionale.

Sipas tij LDK-ja shërben si urë lidhëse e mbajtjes së sistemit në Kosovë dhe mos rrezikimit të raporteve me ndërkombëtarët.

“Aseti kryesor i Kurtit është LDK-ja, pra i qeverisë, dhe besoj se këtë e pranojnë. Nuk dua të hyjë se kush është më i rëndësishëm në qeveri, por patjetër se përvoja institucionale, përkushtimi dhe këtë besoj se nuk ia mohon askush LDK-së”, ka thënë Gashi.

Tutje ai ka kritikuar edhe kryeministrit Albin Kurtin, edhe presidentin Hashim Thaçi, për mos transparencën e këtij të fundit për një letër këmbim me NATO-n ku ia delegonte të gjitha kapacitet në veri të Kosovës dhe ia mohonte FSK-së shkuarjen atje pa lejen e KFOR-it.

Ai thotë se ishte shumë shqetësuese pasi kishte menduar në fillim se ishte një marrëveshje e Thaçit me Serbinë.

“E kam parë si shqetësues këtë veprim, edhe te Thaçi që e ka mbajtur fshehtë, edhe Kurtit që e ka publikuar me aq pompozitet. Me arsyetimin se është një letërkëmbim me NATO-n, por unë mendoj se raportet e tona me NATO-n janë më komplekse dhe NATO ka kapacitete në Kosovë përtej asaj letre. Më ka ardhë letra në mënyrë zyrtare nga kryeparlamentarja”, u shpreha ai.

Por, sipas Gashit nuk ka material që të ngritët procedurë për shkarkimin e Thaçit nga posti i presidentit.

“Nuk mendoj se ka material për të nisur një procedurë shkarkimi, por le ta bëjë kryeministri këtë. Ishte shqetësuese në fillim pasi menduam se ishte një marrëveshje ndërmjet kryeministrit dhe Serbisë, por jo me NATO-n. Nuk është çështje që përbën bazë për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit”, është shprehur Gashi.

21:04

Gashi: Nëse ka një fajtor për Gjykatën Speciale, ai është Thaçi

Duke folur për letrën që Thaçi i kishte dërguar sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo lidhur me Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha që nëse ka një fajtor për Gjykatën Speciale ai është Thaçi.

Ai  në Rubikon të KTV-së ka thënë se është shumë vonë që kjo gjykatë të zhbëhet.

“Mendoj se nuk mundesh asnjë partner të besueshëm ndërkombëtar ta bindësh për zhbërjen e Gjykatës Speciale. Nëse thua duhet të zhbëhet Gjykata Speciale, ata kërkojnë arsye. Nëse jep arsyet që dha Thaçi në letrën e tij, ata do të thonë por në Kosovë nuk ka drejtësi. Nëse ka një fajtor që lidhet me bërjen e Gjykatës Speciale, në mënyrën të drejtpërdrejt, në mënyrë logjike dhe hiearkike ai është Thaçi. Ai ka qenë kryeministër, vetë ka kërkuar që të bëhet, vetë e ka inicu tash është shumë vonë të zhbëhet kjo gjykatë”, ka thënë ai.

Duke folur për ftesat e Kurtit drejtuar presidentit Hashim Thaçi, Gashi ka thënë se ata të dy nuk po duan që të takohen.

Sipas tij propozimet për takime që Thaçi ia dërgonte Kurtit para formimit të qeverisë por edhe letrat që Kurti po ia dërgon tash presidentit nuk janë propozime për tu takuar, sepse nëse vërtetë ka vullnet për takime takimet mund të koordinohen pa u publikuar paraprakisht në Facebook.

“Nëse ia dërgon një letër publike dhe para se ajo letër të mbërrijë te kryeministri apo te presidenti ti e publikon letrën në Facebook, ajo nuk është ftesë për t’u takuar, për çdo takim në botë koordinohet administrata, pastaj bëhen formalitetet. Kosova si vend i vogël nuk e ka luksin të ketë luftë institucionale mes qeverisë dhe presidencës”, tha Gashi.

20:49

Gashi: Kurti nuk u konsultua me LDK-në për letrat që ua dërgoi Trumpit e Pompeos

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se LDK nuk ka qenë e konsultuar për letrat që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka drejtuar presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe sekretarit të Shtetit Mike Pompeo.

“Sa i përket letrës së Kurtit, kemi akoma paqartësi në botëkuptimin e qeverisjes. Dërgimi i njëanshëm i letrave nuk i ndihmon as çështjes së Kosovës përballë partnerëve ndërkombëtarë, as partnerëve të koalicionit. Kurti para se të nis letrën është dashur ta dakordohet me partnerin e koalicionit. Nuk ka pasur konsultim e as dakordim për përmbajtjen e asaj letre”, ka thënë ai.

Ai ka refuzuar të deklarohet nëse Mustafa I ka dërguar letër presidentit Donald Trump ose sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Gashi tutje ka shtuar se nuk dëshiron ta shoh Kosovën në gjendjen kur SHBA-ja do të vendosë sanksione ndaj saj.

Ai thotë së ka zëra në të gjitha institucionet se do të ketë rikonsiderim të përkohshëm të projekteve që zhvillohen në Kosovë.

Gashi thotë se në seancën e fundit për taksën, kishte darkordim të të gjitha partive përveç AAK-së se ajo duhet të hiqet.

“Ekziston një perceptim i përgjithshëm që tarifa duhet të hiqet sepse është shndërruar në problem për Kosovën, nuk e kuptoj pse duhet të tregojmë kryeneçësi për një çështje që ka dakordim për heqje”, ka thënë ai.

Duke folur për kërkesën e presidentit për seancë, ai ka thënë se Thaçi nuk ka dashur që seanca të mbahej.

Sipas tij, qëllimi i letrave të tij, ishte më shumë që të mos shkonte në Kuvend të raportonte.

“Thaçi ka dërguar dy letra për të ardhur në Kuvend, por qëllimi i letrave ka qenë të mos vije, letra e parë ka qenë një letër jo institucionale se Thaçi do t’i drejtohet Kuvendit. Letra e parë është dërguar nga sekretari i Përgjithshëm i Presidentit te sekretari i Kuvendit, e ne e dimë që sekretarët nuk thirrin seanca. Ndërkaq letra e dytë ishte me gabime në referimin e neneve, presidenti e ka të drejtën e thirrjes së seancave të jashtëzakonshme dhe Kuvendi do të ishte i detyruar të mblidhej. Presidenti ka dashur të krijojë përshtypjen që ka dashur ta thërras Kuvendin, e pastaj sikur mazhoranca nuk ka dashur ta dëgjojë e pastaj iu drejtua mediave”, ka thënë ai.

Ai thotë se presidenti do të duhej t’i drejtohej popullit nga Kuvendi.

Gashi thotë presidenti e ka ditur se nëse thirr seancë të jashtëzakonshme, aty do të kishte debat, e sipas tij, këtë nuk e ka dashur Thaçi.

Ai thotë se nëse presidenti mbetet pranë kërkesës për seancë, ajo mund të caktohet javën tjetër.

20:30

Gashi: Taksa mund të shkatërrojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, së shpejti do hiqet

Arben Gashi, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, në Rubikon të KTV-së ka thënë se taksa së shpejti do të hiqet plotësisht, derisa ka bërë thirrje që ajo të mos shndërrohet në instrument që mund të shkatërrojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.

“Çështja e tarifës që është vendosur para më shumë se një viti, është njëra prej çështjeve që tash e sa kohë është shndërruar problematikë ndërmjet Kosovës dhe partnerëve të saj. Besojmë se shumë shpejtë do të zgjidhim këtë çështje, megjithëse kemi qëndrime të ndryshme. Jemi në një situatë ku taksa prej një instrumenti ekonomik është shndërruar në politik, që ka rreziqet e veta në raport me SHBA-në si partner strategjik”, ka thënë Gashi.

Sipas tij nuk është vendim i Qeverisë heqja e ngadalshme e taksës, por deklarim i Kurtit.

“Është deklarim i Kurtit dhe ndoshta ka ardhë si ide apo konsultim që ka pasur me njerëzit e tij, duke menduar se do të kishte ndoshta presion më të ultë për këtë. Kurti e ka të qartë qëndrimin e LDK-së rreth kësaj çështje. Në këto rrethana duhet ta trajtojmë me kujdes këtë çështje, që të mos shndërrohet në instrument që mund të shkatërrojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë. Duhet që kjo të hiqet në mënyrë që Kosova të ketë mundësi të zhvillimit”, ka thënë ai.

Sipas Gashit kryeminsitri akoma po heziton për të marrë vendim final, megjithatë insiston se ajo së shpejti do të hiqet sepse profiti nuk është i njëjtë së vonohet heqja e taksës.

“Mendoj se së shpejti kjo do të zgjidhet, pasi produkti është i njëjtë – heqja e menjëhershme apo të ngadalshme, por nuk është profiti i njëjtë. Besoj që shumë shpejt do të arrijmë në finale të këtij procesi dhe Kosova do të jetë në një fazë më të mirë me partnerët strategjikë”, thotë Gashi.

Ai thotë se ka bisedime e takime të vazhdueshme ndërmjet Kurtit e Mustafës, pra punohet në baza ditore që kjo çështje të tejkalohet.

“Shkuarja në qeveri mendoj se është çështje e saj, por mendoj se shumë shpejtë do të jetë pjesë e vendimmarrjes. Procesi i kushtëzuar ka krijuar përshtypjen e gabuar. Tashmë heqja e taksës është një strategji. Pasoja është e njëjtë, ndërsa profiti për Kosovën do të jetë më i vogël”, ka thënë Gashi.

Ai pranon se janë bashkëpërgjegjës për veprimet apo mosveprimet e Qeverisë, derisa thekson se s’ka ultimatum ndaj Vetëvendosjes për taksën.

“Ky koalicion nuk funksion me ultimatume, ky është një sistem i partneritet të barabartë, dhe si i tillë do të ofrojë zgjidhjen e duhur. Duhet të veprojmë si partnerë. Kemi këndvështrime të ndryshme për taksën, ndërsa për reciprocitetin e shohim si instrument ligjor, e jo politik. Nuk ka nevojë të shpallet një luftë politike, kur janë të gjitha instrumentet ligjore. Nuk kemi nevojë të krijojmë rrethana acaruese me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Sipas tij Kosova është e pafuqishme pa ndihmën e SHBA-së.

“Nuk jemi mjaftueshëm të aftë pa ndihëm e drejtpërdrejtë të SHBA-së të mbijetojmë vet, pra ne duhet të jemi vetëkritikë. Nuk e kontestoj as dëshirën e as guximin e liderëve kosovarë, unë e trajtoj mundësinë se sa ne mund t’i imponohemi Serbisë dhe partnerëve të saj të vetëm. Ne kemi dëshmuar në këto 20 vite se nuk mundemi me i përballuar pa ndihmën e SHBA-së, por ne duhet të veprojmë në mënyrë të vazhdueshme. Nuk është çështje e guximit individual, por neve na duhet orientim strategjik dhe taksën duhet ta trajtojmë si instrument të interesit strategjik të Kosovës. Për LDK-në partneriteti me SHBA-në është i pazëvendësueshëm”, ka thënë Gashi.