12:48

Thaçi: S’ulem në tavolinën e Brukselit pa u hequr vizat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot pas takimit me këshilltarët e Merkelit e Macronit, tha se ai si president i Kosovës nuk do të ulet në tavolinën e Brukselit derisa BE-ja ta heqë liberalizimin e vizave.

“Fillimisht të ndodhë liberalizimi i vizave, pastaj ulemi dhe flasim për hapat e tjerë”, u shpreh Thaçi.

Këtu Thaçi theksoi se derisa s’ka liberalizim vizash, ai s’do të pranojë asnjë ftesë për bisedime në Bruksel.

“Roli i BE-së duhet të jetë i shpejtë, duhet të nxjerrë vendim për liberalizimin, kur nxirret ky vendim, atëherë ne si lidership diskutojmë për ftesat e BE-së. Përderisa, po flas si president, nuk ndodhë liberalizimi nga BE-ja unë si president nuk ulem në Bruksel për diskutime. Nuk e meriton Kosova këtë kredi t’ia japë Brukselit Meritojmë vizat, pastaj shohim hapa tjera. Në Bruksel, nuk ka qëndrim, nuk ka kapacitete e as unitet. Liberalizimi është jetike, të tjerat janë tema dytësore”, tha Thaçi, transmeton Koha.

Thaçi foli edhe për rëndësinë e rolit të SHBA-së, në veçanti në dialogun me Serbinë.

“Roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm në arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi. Gjithmonë kemi insistuar që në tavolinën ku janë ulur Kosova e Serbia të jetë edhe SHBA-ja”, tha Thaçi.

12:28

Thaçi: Premtime boshe nga BE-ja

Edhe njëherë, pas takimit që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, zhvilloi me këshilltarin e kancelares Angela Merkel, Jan Hecker dhe këshilltarin e Presidentit francez Emmanuel Macron, Emmanuel Bonne, në Twitterin e tij ka shfaqur pakënaqësi ndaj Bashkimit Evropian.

“Zhgënjyese, premtime boshe nga BE-ja”, shkruan ndër tjera Thaçi.

“Zhgënjyese. Asgjë e re nga takimi i sotëm. Asgjë për liberalizimin e vizave, asnjë ide e re rreth dialogut as perspektivës së Bashkimit Evropian. Premtime boshe”, shkruan Thaçi.

11:39

Thaçi: Takimi i sotëm i zakonshëm, nuk pashë qartësi – BE-ja të jetë më e qartë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, takimin e sotëm me këshilltarët e Macronit dhe Merkelit, e ka quajtur të zakonshëm dhe pa diçka konkrete.

“Sot nuk pashë qartësi në asnjë çështje, përveç si të lëvizim përpara, por asnjë pozicion të qartë që është në interesin tonë. Gjithçka e zakonshme, biseda të zakonshme. BE-ja duhet të jetë shumë e qartë me ne, në veçanti me vizat”, u shpreh Thaçi, transmeton Koha.

11:29

Thaçi pas takimit me këshilltarët e Macronit e Merkelit: Asnjë fjalë për liberalizimin

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pas takimit që zhvilloi me këshilltarët e presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelares gjermane, Angela Merkel, tha se fatkeqësisht, në takim s’u tha asnjë fjalë për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Sapo përfundova një takim me të dërguarit e kancelares Merkel dhe të Macronit, me ta diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë, Ballkanin Perëndimor, për aktualitetin dhe perspektivën tonë”, u shpreh Thaçi, raporton KOHA.

Por sipas tij, pa e hapur ai temën për liberalizimin, dy këshilltarët e Macronit dhe Merkelit, s’do të flisnin fare.

“Ajo që është në interes për qytetarët dhe opinionin, për fat të keq, edhe sot, nuk u dëgjua asgjë për liberalizimin e Kosovës madje sikur mos ta hapja si temë, as që do ta ngrisnin së diskutuari, kjo është zhgënjyese për qytetarët. Ky mos unitet i BE-së dhe qëndrim ligjit e ndëshkues për Kosovën është i padrejtë që po bën BE-ja në raport me Kosovën, sepse Kosova i ka implementuar të gjitha kërkesat. Një herë na kushtëzuan me demarkacionin me Malin e Zi. Atë kohë ne e kryem edhe atë kushtëzim, por përsëri është një tjetër hezitim, e BE-ja nuk e ka vërë këtë fare në plan të ditës. Nuk kemi të ardhme tjetër pos asaj evropiane”, tha Thaçi.

 

11:15

Këshilltari i Macronit ritakon Thaçin pas përfundimit të takimit

Presidenti Hashim Thaçi ka përfunduar takimin me delegacionin franko-gjerman.

Por, vetëm pas pak minutash, Emmanuel Bonne, këshilltari i presidentit francez, Emmanuel Macron, është kthyer sërish në takim me presidentin Thaçi, që zgjati rreth 10 minuta, raporton Koha.

Pas takimit Bonne nuk ka pranuar të flasë për arsyet e rikthimit të tij në takim dhe as se për çfarë është biseduar.

 

10:25

Thaçi takon delegacionin franko-gjerman

Pas takimit me kryeministrin Kurti, delegacioni franko-gjerman është pritur nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Delegacioni përbëhet nga këshilltari i kancelares gjermane, Angela Merkel dhe ai i presidentit francez, Emmanuel Macron, Jan Hecker, respektivisht Emmanuel Bonne. Bonne, para takimit me Kurtin kishte thënë se kanë sjellur “porosi të veçantë” për të.

Vizita e tyre në Prishtinë përkon me rritjen e presionit për heqjen e taksës dhe rinisjen e dialogut me Serbinë, raporton Koha.

Image