16:15

Përfundon takimi në MASHTI: Mësimi do të vazhdojë normalisht

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka thënë pas takimit të jashtëzakonshëm me drejtorët komunalë të arsimit, se procesi mësimor do të vazhdojë normalisht, deri në një vendim tjetër, nëse paraqitet nevoja.

Bajrami ka mbledhur drejtorët në lidhje me masat që duhet të merren për mbrojtje nga koronavirusi.

“Sapo përfunduam takimin. Prezent kishim përfaqësues edhe të ministrisë. Drejtoret komunalë janë lajmëruar për gjendjen e koronoavirusit në Kosovë. Kemi bërë një plan të veprimit për të treguar se çka do të bëjmë. Qëllimi i takimit ka qenë për të parë se a janë duke u mbajtur këshillat e IKSHP-së për higjienën në shkolla. Nuk ka hapësirë për panik, mirëpo situata është serioze. Atë çka konstatuam sot është se ne duhet të ngrisim vetëdijen tek qytetarët tonë për higjienën personale. Ju bëjmë thirrje prindërve e nxënësve që mësimi të mbahet në kushte normale. Kemi bërë kërkesë në komuna qe t’i kushtojnë rëndësi furnizimit me mjete higjienike në shkolla|, ka thënë ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Deri më tash, në Kosovë nuk është raportuar për ndonjë rast me koronavirus.

“Fatmirësisht nuk kemi raste të prekur nga virusi. Në këtë drejtim mund t’u them se jemi duke punuar hap pas hapi dhe jemi duke e përcjell gjendjen. Do të lajmëroheni në kohë normale për çfarëdo rasti, nuk ka asnjë indikacion epidemiologjik që të mbyllen shkollat. Deri tash ju them që të mos bëhet panik, falënderojmë mediat për reagimet e sakta duke mos nxitur panik. Ne do të komunikojmë vazhdimisht për çfarëdo rasti”, ka thënë drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani.

E përfaqësuesi i drejtorëve komunalë të arsimit, ka thënë se duhet të respektohen këshillat.

“Të jemi vigjilentë për rrezikun nga virusi dhe të respektojmë të gjitha këshillat e dhëna. Lus komunat që të marrin masa për çfarëdo rasti të mundshëm si dhe lus profesorët e drejtorët komunalë të arsimit që të bëjnë evidencat për çdo lloj mungese të nxënësve në shkolla”, ka thënë Besim Avdimetaj, përfaqësues i DKA-së.

15:20

Me dyer të mbyllura, nis takimi rreth koronavirusit

Ka nisur një takim pune për implementimin e planit të veprimit për reagim kundër koronavirusit.

Takimi i ministres Hykmete Bajrami, me drejtorët komunalë të arsimit po mbahet me dyer të mbyllura, raporton Koha.

Pas këtij takimi pritet të dalin me një konferencë për të treguar pikat e diskutimit. Pjesë e konferencës është edhe drejtori i IKSHP-së, Naser Ramadani.

13:49

Takimi i jashtëzakonshëm në MASHT - shqyrtohet mbyllja e shkollave

Një takim i jashtëzakonshëm në MASHT do të mbahet sot me drejtorët komunalë të arsimit, gjatë të cilit do të diskutohet çështja e mbylljes ose jo të shkollave.

Takimi mbahet në orën 15:00.

Mbajtjen e këtij takimi e ka konfirmuar për Kohën drejtori i Arsimit Parauniversitar, Alush Istogu.