00:27

S’ka kuorum për votim, mbyllet seanca

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se s’ka kuorum për të votuar rezolutën.

“Meqenëse i kemi vetëm 57 deputetë, do ta vazhdojmë seancën në një seancë tjetër”, tha Osmani në fund.

00:25

Veseli nuk propozon rezolutë, uron që të mos largohen ushtarët amerikanë nga Kosova

Kadri Veseli, kryetar i PDK-së, njëherësh lider i opozitës në Kuvendin e Kosovës, para deputetëve gjatë seancës së thirrur nga partia e tij rreth raporteve Kosovë-SHBA, tha se seanca është thirrur si “shqetësim kombëtar, e jo luftë politike”.

“Ne s’jemi antiamerikanë, por jemi proamerikanë, e madje më shumë se ju. Kryeministri dhe qeveria na u përgjigjën, e kuptuam mesazhin, por qytetarëve nuk iu dhatë përgjigje. Ju erdhët në pushtet se pritshmëritë ishin të mëdha. Por, në rastin e Prishtinës s’keni dëshmu se keni punuar për shkatërrim të korrupsionit me ato mbi 70 dosjet. Pse po i leni në Prizren drejtorët e korruptuar? Unë i kam heq vet para zgjedhjeve”, deklaroi Veseli.

“Nuk ka rezolutë prej neve sepse nuk i krijuat kushtet, vazhdoni me këtë formë që e keni sjellë. S’është e mirë. A mendoni që ne zmbrapsemi, është çështje e juaja. Do t’ju ndihmojmë kur e keni mirë, por në këtë formë s’po na lejoni t’ju ndihmojmë. Orientimi euro-atlantik qenka i përbashkët, ushtarët amerikanë urojmë që s’do të largohen, ne e vazhdojmë luftën politike pozitë-opozitë”, tha Veseli.

Pas fjalimit të tij, kur kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani propozoi që të shkohet me votim të rezolutës, deputetët e opozitës u larguan nga salla.

00:11

Osmani: Tarifa dhe Thaçi duhet të hiqen njëkohësisht

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbajtur një fjalim në seancën e sotme të Kuvendit në lidhje me raportet Kosovë-SHBA.

Ajo tha se tarifa ndaj mallrave serbe dhe Presidenti Hashim Thaçi duhet të hiqen njëkohësisht.

“Tarifa duhet të hiqet në të njëjtën kohë me Presidentin Hashim Thaçi. Sepse kështu mbrohet edhe interesi i vendit e edhe marrëdhëniet me miqtë tanë. Tarifa duhet të hiqet që kjo qeveri të vazhdojë t’ia prishë strofullën krimit, t’ua prish planet atyre që tërë karrierën e tyre politike menduan vetëm për ta shpëtuar lëkurën e tyre”, tha Osmani gjatë fjalimit të saj në mbyllje të seancës së sotme të jashtëzakonshme të thirrur nga PDK-ja.

16:57

LDK-ja fton Kurtin të veprojë: Kundërshtarët e heqjes së tarifës janë pakicë

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka ftuar kryeministrin Albin Kurti, që sa më parë ta heq tarifën ndaj Serbisë.

Gashi gjatë fjalimit të tij në seancën e jashtëzakonshme që po vazhdon të mbahet, ka thënë se shumica e përfaqësuesve të popullit kërkon heqjen e tarifës, të vendosur nga Qeveria e kaluar në krye me Ramush Haradinajn.

“Kemi folur për këtë tarifë gjerë e gjatë, për dhe kundër, me argumente e shifra, kush sa kemi mundur, por neve na kërkohet të veprojmë, jo të analizojmë e prolongojmë procesin. Prandaj, kërkoj nga kryeministri Kurti, duke i ofruar gjithë mbështetjen e LDK-së, të heqë sa më shpejt plotësisht tarifën. Z. Kryeministër, prej teje, prej nesh këtu, priten vendime. Akuzat e pabaza, që u nënshtruam para presionit amerikan, nuk duhet të na ngarkojnë neve si ekzekutiv. Ju bëj thirrje Z. Kryeministër, që të reflektoni dhe mos të veproni në kundërshtim me kërkesat e popullit, partnerit në qeveri, pjesës më të madhe të opozitës dhe aleatëve. Shumica janë pro heqjes. Kundërshtaret janë në pakicë”, ka thënë Gashi, i cili fjalimin e tij e ka postuar edhe në Facebook.

Ai ka thënë se në rast të ftohjes së marrëdhënieve me SHBA-në, një ditë populli do të gjykojë këtë qeveri.

“Asnjë nga aleatët tonë perëndimor amerikan apo evropian nuk kanë miratuar këto masa, krejt e kundërta, kanë kërkuar heqjen e menjëhershme të tyre. Sado që ish-kryeministri Haradinaj është përpjekur të glorifikojë këtë gjest heroik të kundërvënies ndaj Serbisë, tarifa pati pasoja negative për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar”, tha ai.

Ditëve të fundit, SHBA-ja ka shtuar presionin për heqje të tarifës. Senatorë të ndryshëm kanë përmendur si mundësi edhe tërheqjen e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it.

Gjithashtu, duhet të kemi parasysh po ashtu se SHBA-ja sot nuk është SHBA-ja e vitit 1999. Në aspekt gjeostrategjik, ne vazhdojmë të konsiderohemi aleat për vlerat evropiane dhe interesat veri-atlantike. Por, në realizimin praktik të këtyre synimeve, ne të gjithë jemi dëshmitarë që presidenti Trump ka sjellë një energji të re, jo vetëm në mënyrën e bërjes politikë në Uashington, por gjithandej nëpër botë”, ka shtuar Gashi.

16:50

Selimi thotë se Kosova nuk i prish raportet me SHBA-në për shkak të taksës

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi, ka thënë se opozita e tanishme është e pakuptueshme dhe me kërkesa të padefinuara.

Ai u tha tri partive opozitare që janë nënshkruar për t’u mbajtur seanca se janë të ndara dhe se bashkohen vetëm kundër qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, transmeton kp.

“A na thoni a ta heqim siç po kërkon PDK-ja apo ta mbajmë siç po kërkon AAK-ja, apo t’i bëjmë të dyja siç po kërkon Nisma. Prej tre grupeve parlamentare të nënshkruara këtu kemi tre qëndrime të ndryshme. Edhe po të donim t’iu marrim parasysh nuk mundemi. Ju jeni të ndarë për taksën, por kur bëhet fjalë për qeverinë Kurti bashkoheni, e harroni edhe taksën edhe Amerikën. Ju bashkon qeveria dhe kryeministri i saj që bashkë me partnerët tanë ju kemi bashkuar në opozitë. Nëse po pretendoni se jeni aq të brengosur saqë nuk duket që jeni, se po prishemi me Amerikën, atëherë dua t’i kujtoj se me SHBA-të prishemi kur instalojmë korrupsion siç përfaqësoni ju, kur ka kriminalitet, kur ka shtet mafioz, kur ka nepotizëm, kur vidhet shteti që shpesh prej jush e keni bërë kur keni qenë në pushtet. Kosova dhe Amerika nuk i prishin raportet për shkak të taksës siç po keni dëshirë, por po ashtu edhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë nuk rregullohen vetëm me një taksë siç po pretendoni ju”, tha ai.

Ai ka ftuar opozitën që të votojnë një rezolutë që në emër të LVV-së dhe në koordinim me LDK e ka paraqitur, e që përmban tri pika.

“Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes republikës së Kosovës dhe republikës së Serbisë që do të rezultojë me njohje reciproke. Nën dy, Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Kosovës janë të pacenueshme, askush nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negocioj për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Kosovës. Nën tre, në përputhje me kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e gjykatës Kushtetutës është qeveria që ka mandatin të udhëheqë bisedimet me Serbinë”, tha ai.

Grupi Parlament i VV-së dhe LDK-së kanë propozuar një draftrezolutë për dialogun me Serbinë.

Kjo është draftrezoluta e tyre:

Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke

Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.

16:36

Veseli: Sjelljet e Kurtit po e rrezikojnë miqësinë e shenjtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, tha sot në hapje të seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit se nuk ka besuar kurrë se do të vijë një ditë që të flas në Kuvendin e Kosovës për rëndësinë e raporteve Kosovë-SHBA.

Lideri i opozitës, Kadri Veseli, tha se për vetëm 1 muaj qeverisje, Albin Kurti nuk ka ndërmarrë asgjë në politikat e brendshme, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, ndërsa për kaq pak ditë qeverisje, po e rrezikon edhe shembjen e investimit historik në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Nuk e kam besuar se do të vinte një ditë si kjo, që në Kuvendin e Republikës së Kosovës do të flisnim në këtë mënyrë për rëndësinë e raporteve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk e kam besuar as që për vetëm pak ditë – kjo Qeveri do të krijonte kaq shumë paqartësi, kaq shumë frikë qytetare dhe dilema shtetërore. Jo se kam pasur ndonjë iluzion në këtë koalicion qeverisës. Por, kam besuar se nuk do të harrohet asnjëherë rruga dhe çmimi që na kanë sjellë deri këtu", tha Veseli.

Ai tha se sjelljet e kryeministrit aktual po e rrezikojnë miqësinë e shenjtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, transmeton KOHA.

"Dhe, më e rënda, mbase edhe për shkak të dogmave ideologjike personale - po sakrifikohet qytetari dhe shteti, në vend se të sakrifikohej dogma – për ta ruajtur qytetarin dhe shtetin. Pas një muaji shqetësimesh, të ditëpërditshme, kulmi po arrihet me paralajmërimet e fundit për Kosovën nga partneri ynë më i madh strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për tërheqjen e trupave ushtarake dhe suspendimin e programeve zhvillimore në vlerë prej qindra miliona dollarësh", tha Veseli.

Sipas tij, me këtë mendësi të qeverisë aktuale, dëmi që po i shkaktohet Kosovës është tepër i madh, jo vetëm në relacion me aleatin strategjik, jo vetëm me pozitën tonë në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe për vetë qenien tonë nacionale.

Kreu i PDK-së tha më tutje se me dëshirë në këtë seancë do të fliste për programin qeverisës, për premtimet e Qeverisë dhe kryeministrit.

"Sot, më me dëshirë do të pyesja për mundësitë e realizimit të planeve të kësaj Qeverie. Se çfarë do të bëjnë për mjekët, arsimtarët, për rininë që po ikë nga vendi i vet, fermerët, pensionistët, punëtorët e sektorit privat - rritjen e pagave të tyre dhe balancimin me sektorin publik, për rimbursimet e familjeve që kanë të ardhura më të vogla se 5 mijë euro në vit, siç kanë premtuar; për forcimin e ushtrisë, për fuqizimin e ekonomisë? Se çfarë do të bëjnë për luftimin e korrupsionit, nepotizmit, krijimit të shanseve të barabarta? Për të gjitha këto, janë dhënë premtime dhe ka pritje nga qytetarët. Për të gjitha këto, më me dëshirë do të kërkoja llogari në emër të qytetarëve", tha Veseli duke shtuar se për këto, si lider i opozitës do ta mbështeste Qeverinë për ta bërë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar.

"Edhe për t’i çuar hajnat në burg. Të gjithë hajnat në burg, pa dallime partiake. Të gjithë keqpërdoruesit. Të gjithë abuzuesit. Por, frikësohem se nuk jeni të sinqertë. Janë ndërtuar iluzione dhe po manipulohet me emocionet e qytetarëve", tha Veseli. "Më me dëshirë do ta kisha pritur dështimin tuaj të pashmangshëm, për katër vjet qeverisje, për shkak të premtimeve të pabazuara dhe të pambajtura, sesa ta shoh rrëzimin tuaj të shpejtë nga konfrontimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Ai theksoi se e din saktë se lojërat politike të kryeministrit aktual që ta luftojë të jashtmen me të brendshmen dhe ta luftojë të brendshmen me të jashtmen, janë strategji e tij për ta mbuluar dështimin.

"Por, tendosja e shtetit, me krijimin e tensioneve të tilla të panevojshme, deri edhe me miqtë tanë më të mëdhenj, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është gabim jashtëzakonisht i rëndë. Është llogari e bërë keq", tha Veseli.

Ai tha se kryeministri aktual po mendon se do ta mbajë nën kontroll dhe do ta menaxhojë orkestrimin e nisur për kultivimin e frymës anti-amerikane.

"Më vonë, ndoshta keni menduar të paraqiteni edhe me pro-amerikan se ne të tjerët. Por, qëndrimi personal i juaji, i imi, i kujtdo tjetër, është i parëndësishëm. Mirëpo, si Kryeministër dhe Qeveri, qëndrimi ka shumë, shumë rëndësi. Rruga që keni zgjedhur, duke e ndarë popullin në dysh - në amerikan dhe anti-amerikan, po rrezikon vërtet ta bëjë çarjen e kohezionit tonë shoqëror, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha Veseli, ndërsa i ka parashtruar disa pyetje Kurtit.

"A mund të na tregoni – çfarë po synoni të arrini me këtë qasje? A mund t’i garantoni qytetarët e Kosovës për sigurinë e tyre fizike dhe për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial, në gjithë hapësirën e territorit të Republikës së Kosovës? Çfarë garanci kanë qytetarët shqiptarë në shtëpitë e tyre në Veri të Kosovës? A mund të garantoni se me politikat që po ndiqni, nuk largohen trupat amerikane nga Kosova? Cilët janë aleatët tuaj të rinj, në këtë rrugëtim tuajin, nëse trupat amerikane largohen nga Kosova? Cila është alternativa tjetër e politikës suaj karshi partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Për të gjitha këto, populli i Kosovës sot ka nevojë ta dëgjojë një përgjigje të qartë nga ju", tha Veseli.

"Në vendin tonë të lirë, ne mund të jemi të djathtë ose të majtë. Konservatorë, liberalë, ose komunistë. Por, Kosovën do të duhej ta kishim përtej ideologjive. Mund të jemi në pushtet, ose në opozitë. Mund të kemi vizione ose programe të ndryshme politike. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë që e kemi vetëm këtë shtet, me interes nacional të qartë. Është e patolerueshme që ky shtet, i ndërtuar me mund e sakrificë, të na rrezikohet nga kushdo qoftë, aventuristë politikë, njerëz që nuk ia dinë peshën të arriturave të deritashme, përfshirë marrëdhëniet tona të shenjta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës", tha lideri i PDK-së.

Në fund të fjalës së tij, Veseli i tha kryeministrit Kurti se deputetët e opozitës nuk janë armiq të qeverisjes.

"Por, me këtë qasje, ju jeni duke u bërë kundërshtari më i madh i vetvetes dhe i Kosovës. Dhe, ne nuk jemi me juve", tha Veseli.

16:28

VV dhe LDK propozojnë draftrezolutë për dialogun me Serbinë

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë propozuar një draftrezulotë për dialogun me Serbinë.

Më poshtë gjeni draftrezolutën e VV-se dhe LDK-së:

1. Republika e Kosovës është e përkushtuar për bisedime politike në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që do të rezultojnë me njohje reciproke.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës rithekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, sovraniteti shtetëror, integriteti territorial dhe karakteri shtetëror unitar i Republikës së Kosovës janë të pacenueshme. Askush, nuk ka të drejtë të bisedojë, dialogojë apo negociojë për sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe karakterin unitar të Republikës së Kosovës.

3. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese nr. K043/19, të datës 27 qershor 2019, është Qeveria e Republikës së Kosovës që ka mandatin të udhëheqë bisedimet dhe/ose dialogun me Serbinë si dhe të bëjë përgatitjet për negociata e të negociojë lidhur me një marrëveshje të mundshme përfundimtare e cila do të rezultojë me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, brenda vijave të patejkalueshme të rendit kushtetues të Republikës sonë.

15:52

Fillon seanca, në sallë 62 deputetë

Pas pauzës 20 minutëshe ka filluar seanca në Kuvendin e Kosovës.

Në sallë, të pranishëm janë 62 deputetë, raporton KOHA.

Seanca e thirrur me kërkesë të 41 deputetëve, u bë për çështjen që lidhen me raportet Kosovë-SHBA.

15:21

Ende pa filluar seanca në Kuvend, shkon në pauzë 20 minutëshe

Kuvendi i Kosovës u parapa të nisë seancën e thirrur nga opozita në orën 15:00.

Por, kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka kërkuar pauzë 20 minutëshe për shkak se në sallë, të pranishëm ishin vetëm 28 deputetë, raporton KOHA.

Kjo seancë është thirrur për shkak të siç ka thënë opozita, “rrezikimit të marrëdhënieve me SHBA-në”.