3 perditesime
21:21

Selimi: Qeveria Kurti është stabile, nuk prishemi me Amerikën për taksën

Duke folur për stabilitetin e Qeverisë Kurti, Selimi ka thënë se nuk ka Qeveri të betonuar.

Sipas tij, Qeveria Kurti është më seriozja që ka pasur Kosova, por se e njëjta po përballet me sfida shumë të mëdha.

“Aq shumë probleme ka, sa që e kemi sfidë shumë të madhe që të ecim përpara me objektivat tona politike. Jemi të bërë për t’u përballur me këtë probleme. Në rrethanat çfarë po flasim sot, ka stabilitet dhe po funksionojmë mirë. Edhe ne po themi që nuk do të lejojmë që të prishemi me Amerikën për taksën. Ne me Amerikën nuk do të prishemi për taksën. Ne me Amerikën na bashkojnë edhe kundërshtarët”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se me taksën nuk ndreqen me Serbinë, njëjtë sikur me të nuk prishen me Amerikën.

Ai ka thënë se nuk ka rrethana që mund të bie Qeveria.

“Qeveria Kurti po funksionon shumë më mirë se sa që kanë pritur kundërshtarët”, ka thënë ai.

Selimi ka thënë se opozita nuk po di të luaj rolin e vet.

Ai thotë se në seancën e mbrëmshme përkundër se ata ishin thirrësit e seancës, nuk ditën të tregojnë se çfarë duhet bërë që të ruhen raportet me Amerikën.

“Gjithë ai debat i djeshëm ishte një çfryrje, përveç që kishin dallime partitë nga njëra-tjetra, ata kishin dallime edhe brenda partisë.

I pari i GP të VV-së, Rexhep Selimi, ka thënë se Thaçi është problem dhe nuk duhet të neglizhohet.

Ai ka thënë se është shumë e rrezikshme neglizhenca ndaj tij.

Selimi në Rubikon ka shtuar se procedurat për shkarkimin e Thaçit mund t’i fillojnë tash duke dërguar 30 nënshkrime.

Sipas tij në parlamentin e Kosovës shumica e deputetëve janë të pakënaqur me presidentin.

“Kurti ka publikuar në përputhje me detyrat e veta këtë marrëveshje me NATO-n. Ajo e ka karakterin dhe nivelin juridik të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe ato sillen në parlamentin e Kosovës. Kurrë këtë marrëveshje nuk e ka parë asnjë deputetë i Parlamentit të Kosovës. Nëse është një marrëveshje e mirë atëherë pse ka qenë e fshehtë. Ajo çka kemi vënë në fokus ka qenë se si është emëruar një pjesë e territorit të Kosovës si ‘Kosova veriore’. Aty nuk pash adresim, nuk e kërkoi NATO nga ne, por kryeministri i atëhershëm atyre”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk do të heqin dorë nga dërgimi në Gjykatë Kushtetuese dhe se po presin nënshkrime të tjera pasi nuk duan që vetëm Vetëvendosje e vetme ta dërgojë.

Ai ka thënë se këtu nuk po i ndërhyjnë NATO-s sepse nuk është kërkesë e tyre.

Selimi thotë se kjo nuk ka pse të ndërlidhet me çështjen e NATO-s në Kosovë.

21:12

Selimi për taksën: Qëllimi na bashkon me LDK-në, mënyra na ndanë

Rexhep Selimi nga radhët e Vetëvendosjes në Rubikon të KTV-së ka thënë se qëllimi për taksën i bashkon me LDK-në, por i ndan mënyra.

Ai thotë se taksa do të hiqet me çmimin e reciprocitetit.

“Ne do të heqim taksën por ka një çmim, që është reciprociteti. Heqjen e taksës po e lidhim me reciprocitetin, suspendimin e taksës Serbia e përdor kundrejt dialogut, e ne kundrejt reciprocitetit”, ka thënë Selimi, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes.

Sipas tij presionet e sulmet ndaj taksës, në realitet janë sulme ndaj reciprocitetit.

“Reciprociteti pastaj është nivel politik, prandaj sa herë që ka sulm ndaj taksës është sulm ndaj reciprocitetit. Madje reciprocitetin e kërkojmë prej që jemi në parlament. Me gjithë këtë presion mendoj se qëndrimi më i drejtë është i Kurtit, që taksa duhet të hiqet në mënyrë graduale siç është reciprociteti. Reciprociteti nënkupton barazi”, ka thënë Selimi.

Tutje ai ka shtuar se, “ajo çfarë na bashkon është se në harmonizimin e programit jemi pajtuar që taksa të zëvendësohet me reciprocitet. Qëllimi na bashkon, por mënyra na ndanë me LDK-në”, ka thënë Selimi.

Ai thotë se vetëm edhe tre ditë kanë mbetur deri të heqja e taksës.

“Ne dallojmë në mënyra me LDK-në, dorën në zemër kanë qenë fer. Ata po duan që kjo të bëhet ndaras, e ne po duam që kjo të bëhet në mënyrë të ndërlidhur. Nuk besoj që LDK-ja të kërkojë të bëjë me datë 13 ose 14. Edhe tri ditë na ndajnë nga ky moment i ri, të këtij problemi. Kësaj pune duhet t’ia vëmë pikën dhe të ecim përpara”, u shpreh ai.

 

21:04

Selimi: Nuk besoj se Thaçi nuk është intervistuar nga Specialja

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi në Rubikon të KTV-së ka thënë se nuk i beson presidentit Hashim Thaçi se nuk është intervistuar nga Gjykata Speciale.

Ditë më parë presidenti Thaçi kishte deklaruar se nuk është intervistuar nga Specialja.

“Unë nuk i besoj se nuk është intervistuar. Edhe unë kam mundur të mos e bëj publike. Gjykata askujt nuk ia bën publike. Varet nga personi që do ta bëjë ose jo publike intervistimin, nëse ka aktakuzë sigurisht se do të jetë publike. Ka disa gjëra që mund të negociohen, e disa jo. Thaçi mund të prolongojë, por jo të shpëtojë, por unë nuk i besoj që nuk është intervistuar. Më mirë të zmadhojmë frikën se sa të neglizhojmë problemin”, ka thënë Selimi, i cili e ka vlerësuar si të rrezikshëm për Kosovën presidentin Thaçi.

Ai ka thënë tutje se Thaçi duhet të kthehet brenda kornizave të mandatit të tij, dhe të ndajë dekorata.

Sipas tij Thaçit ndoshta do t’i lejohej të tejkalonte përgjegjësitë e tij, sikur të ishin me qëllime të mira.

“Ai nuk do të duhej t’i tejkalonte mandatin e tij, madje ndoshta do ta lejonim t’i tejkalonte nëse do të kishte qëllime të mira. Në rast konkret e kemi situatën se qysh po e keqpërdor mandatin. Besoj se do ti shohim në tavolinë Kurtin e Thaçin, nëse presidenti tregohet më i përgjegjshëm”, ka thënë Selimi.

Sipas tij Thaçi në mënyrë arrogante e kërkoi seancën e Kuvendit.

“Kur u kthye nga SHBA-ja, kërkoi të mblidhet Kuvendi në orën 4 me një arrogancë siç di ai. Ky është mësuar më herët të përdorë parlamentin e Kosovës për të mbuluar gabimet që bënë bashkë. Nuk ishte përgjigje negative ajo e kryetares së parlamentit. Nuk është e vërtetë që iu mohua e drejta. Ai e bëri kërkesën për t’ia refuzuar. Adresimi i presidentit nuk ishte urgjente”, u shpreh Selimi.

Selimi tutje ka thënë se nuk ka ndonjë pikë të caktuar kur ai ka filluar të mos i besojë Hashim Thaçit.

“Ajo çfarë unë mund të them se nuk ka ndonjë pikë ndarëse të besimit ose mosbesimit, por kjo ka ndodhur pas luftës dhe kjo është shkuar në rritje, por nuk kam asgjë personale me të. Po të kisha personale ndoshta do të isha më zemërgjerë dhe do ia falja, por çështja është te vendi. Kam thënë edhe atëherë se nuk i besoj”, ka thënë Selimi.

Sipas tij nuk është hera e parë që Thaçi ka lëshuar pe në dëm të Kosovës, derisa shton se presidenti është në panik.

“Kam qëndrimin e njëjtë ndaj Gjykatës Speciale, është i padrejtë ndaj UÇK-së. Por, më shumë e kanë problem ata që e kanë sjellë. Nuk është hera e parë që Thaçi ka lëshuar pe në dëm të Kosovës. Shantazhi tani ka shkuar duke u përshkallëzuar. Por, mendoj se ai është i panikosur nga ky fakt”, ka thënë Selimi.

20:36

Selimi: Në marrëveshjen e fshehtë Thaçi-Vuçiq bëhet fjalë për territore nën kamuflimin e korrigjimit të kufijve

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka thënë se mënyra e komunikimit, gjuha dhe qasja nuk janë të njëjta mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit, Hashim Thaçi.

Sipas tij, Kurti duke respektuar mandatin e tij kushtetues ka qenë dhe është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionin e presidentit.

Selimi në Rubikon të KTV-së ka deklaruar se dje nuk kanë qenë të barabarta adresimet publike që janë bërë.

Ai thotë se Kurti dje në Kuvend ka thënë se heqja e taksës po kërkohet më shumë që t’i hapet rrugë një marrëveshje që ka negociata sekrete.

“Në vend që ta demantojë këtë, duket që presidenti Thaçi u tregua jo i qetë. Ai nëse ka dashur ta demantojë, ka pasur podium ta bëjë këtë. Nervozizmi i tij lë shumë të kuptojmë se ai ka problem edhe me stabilitetin karshi opinionit. Kurti ka pasur të drejtë që ka thënë se ka pasur edhe negociata sekrete, si rrjedhojë ka edhe një marrëveshje sekrete që po mbahet fshehtë. Kurti e tha dje që ka informacione nga pozita e kryeministrit, që ka pasur negociata sekrete”, ka thënë ai.

Sipas tij, gjatë gjithë raporteve mes Thaçit dhe Serbisë kanë qenë marrëveshje jo transparente dhe bisedime sekrete.

Ai thotë se opinioni në Kosovë kurrë nuk e ka ditur se çka po nënshkruhet paraprakisht.

Selimi tutje ka shtuar që në Kuvendin e Kosovës duhet të listohen gjërat të cilat duhet dhe nuk duhet të negociohen.

Ai thotë se rezoluta e brendshme nuk dështoi por mbeti të votohet në seancën tjetër.

“Duhet në Kuvend të dimë qartë se çka negociojmë dhe çka jo. Raportet me Serbinë kanë shkuar me një fazë që janë shumë serioze. Zhvillimi dhe ardhja në prag të finales, e bënë çështjen shumë më serioze. Kërkohet heqja e taksës për t’i hapur rrugë dialogut, në anën tjetër në interpretim nga i njëjti thotë se sapo të hiqet taksa do të ketë takim dhe do të nënshkruhet marrëveshja. Edhe Veseli tha se ka bërë një ofertë që hiqet taksa dhe të nesërmen të nënshkruhet marrëveshja. Unë po mendoj që jemi në situatë që ka marrëveshje të gatshme dhe mungon vetëm firma”, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, ka thënë se marrëveshja e gatshme është në mes Thaçit dhe Vuçiqit.

Ai ka thënë se “s’kam pse t’i besojë ose të mos i besojë ndërmjetësuesit kur e di që Thaçi është në mes. Kosova është para një presioni për këdo që vjen, e në krye të presionit është Thaçi. Dimë që në marrëveshje bëhet fjalë për territore nën kamuflimin e korrigjimit të kufijve”, ka thënë ai.

Selimi thotë se duan që një marrëveshje e mirë të ketë garantues.

Ai ka thënë se Kurti nuk do ta nënshkruajë një marrëveshje të tillë.

“Kurti e ka bërë të ditur se në cilat rrethana dhe në cilat kushte mund të marrë rolin e tij në dialogun me Serbinë. Kurti ka thënë se nuk do të negociojë me Thaçin e Vuçiqin mbi hartat", ka thënë ai.

Ai thotë se Thaçi do të mundohet që t’i shmanget votimit në parlament për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.