Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se kryeministri Albin Kurti e shfrytëzoi situatën pandemike për të miratuar rezolutën që ia mundëson uljen në tryezë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
E sipas tij një veprim i tillë ka qenë i qëllimshëm, transmeton KOHA.
“Seanca e jashtëzakonshme për buxhetin, e ftuar nga Kryeministri, doli se nuk paska pasur për qëllim miratimin e buxhetit për kërkesat e qytetarëve, por uljen e Albin Kurtit në tryezën e Dialogut me Serbinë. Jo negociata?!”, ka shkruar Veseli në Facebook.
Ai thotë se abuzuan me situatën e krijuar rreth koronavirusit.
“Thirrën seancë të jashtëzakonshme për buxhet, duke abuzuar me shqetësimin e emergjencës qytetare për pandeminë e coronavirusit – tashmë të shpërndarë në disa cepa të vendit tonë, edhe për shkak të papërgjegjësisë së kësaj Qeverie në parandalimin e përhapjes së tij. Përjashtuan me dredhi opozitën nga vendimmarrja e një ligji kaq me rëndësi për qytetarët, si ky për buxhetin”, ka shkruar ai.
Sipas pozita tradhëtoi qytetarët me premtime, duke mos e përfshirë në buxhet, siç ishte paraparë, rritjen e pagave të sektorit shëndetësor dhe tërë sektorit publik.
“Dhe, pikërisht në kohën e izolimit e sanksioneve të SHBA-së mbi Shtetin e Kosovës, nuk u morën me problemin fundamental para vetes si sfidë – taksën, por menduan vetëm për vetveten, se si të takohen me përfaqësuesit serbë në dialog, dhe për këtë nxorën Rezolutë pas mesnatës”, ka shkruar Veseli.
Sipas Veselit kjo flet shumë për rrezikun që i sjell vendit papërgjegjësia dhe arroganca e kësaj Qeverie dhe e këtij Kryeministri, “që për asgjë nuk kanë emocion, që askënd nuk e respektojnë dhe asnjë premtim e parim nuk e mbajnë. Kjo Qeveri dhe ky Kryeministër janë rrezik nacional. Por, qytetarët gjithsesi do t’u kundërvihen mashtrimeve të tyre”.
Ai shton se Kosova, mbi të gjitha, u takon njerëzve të saj që e duan, punojnë për të dhe nuk lejojnë të dëmtohet.
“PDK do të jetë aty ku është interesi dhe nevoja e kombit”, ka thënë Veseli.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.