15:23

Kredimarrësve në vështirësi iu mundësohet shtyrja e pagesave deri më 30 prill

Banka Qendrore e Kosovës ka vendosur të pezullohen pagesat e kësteve të kredive deri më 30 prill për kredimarrësit të cilët kanë vështirësi në pagesat e kredive.

Sipas një komunikate për media, ky pezullim mund të shqyrtohet edhe për më gjatë, varësisht nga situata.

Kjo është vendosur në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave të Kosovës. në një takim mes guvernatorit Fehmi Mehmeti me anëtarët e Bordit Ekzekutiv.

“BQK-ja së bashku me SHBK-në kanë vendosur bashkërisht që për bizneset dhe individët të cilët për shkak të gjendjes së krijuar në vend dhe rënies së nivelit të të hyrave të tyre, të ju mundësohet pezullimi i pagesave të kësteve të kredisë, nga data 16 mars 2020 deri me 30 prill 2020 dhe varësisht nga situata, ky pezullim të shqyrtohet edhe për më gjatë. Pezullimet e pagesave të kësteve të kredisë do të shqyrtohen për të gjitha rastet veç e veç me qëllimin që sektori bankar t’i ndihmoj klientëve të tyre në tejkalimin e situatës së krijuar”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, kredimarrësit, të cilët kanë hasur vështirësi financiare, si rezultat i rënies së të hyrave personale apo biznesore, mund të kontaktojnë bankat e tyre me kërkesën për pezullim të pagesave të kësteve të kredisë.

“Në rastet e aprovimit nga ana e bankës, interesat ndëshkuese të lidhura me kreditë nuk do të aplikohen në këtë periudhë. Gjatë kësaj periudhe, ndaj kredimarrësve nuk do të aplikohen masa të përkeqësimit të klasifikimit kreditor. Me këtë rast, me rastin e pezullimit të pagesave të kredive, BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore që kreditë të mos klasifikohen, të mos kërkohen provizione shtesë dhe të mos klasifikohen si kredi me probleme në Regjistrin e Kredive”, thuhet në njoftim.

Poashtu bëhet e ditur se BQK-ja ka vendosur për pezullimin e përkohshëm të disa nga dispozitave të rregulloreve të BQK-së, që ndërlidhen me stabilitetin e sistemit financiar të vendit.

12:48

Fermerët nuk do të ndëshkohen për vonesa në implementim të projekteve të granteve

Me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të fermerëve kosovarë, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, ka marrë vendim për shtyrjen e përkohshme të afateve për implementimin e projekteve përfituese të granteve të vitit 2019.

Sipas njoftimit për media, vendimi është marrë sot, si pasojë e situatës së krijuar nga Covid-19.

Pikat e vendimit:

1. Shtyhen përkohësisht afatet procedurale për zbatimin e Projekteve të Zhvillimit Rural të përcaktuara sipas Udhëzimit Administrativ (MBPZHR) - Nr.16/2019 për Masat dhe Kriteret e Përkrahjes për Zhvillim Rural për vitin 2019, të datës 21.05.2019.

2. Shtyrja e përkohshme e këtyre afateve nga paragrafi 1 i këtij vendimi bëhet me qëllim të mbrojtjes të të drejtave të fermerëve, pas marrjes së masave për parandalim të infeksionit Corona Virus COVID-19 nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

3. Shtyrja nga pika 1 dhe 2 të këtij ven dimi vlen nga dita e nxjerrjes së Vendimit nr.01/07, datë 11.03.2020 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, deri në marrjen e një vendimi tjetër.

4. Obligohen të gjithë zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për zbatimin e këtij vendimi.

5. Zyrtarët nga pika 4 e këtij vendimi, të cilët nuk e zbatojnë këtë vendim do të ndëshkohen në pajtim me legjislacionin në fuqi.

6. Vendimi hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.

12:08

Edhe “Pastrimi” shtyn afatin e pagesave, largimi i mbeturinave sipas orarit të rregullt

Kompania Regjionale “Pastrimi”, bazuar në gjendjen emergjente të shpallur në Qeveria e Republikës së Kosovës, ka njoftuar se shërbimi i largimit të mbeturinave në amvisëri dhe kontejnerët e qytetit të Prishtinës do të bëhet sipas orarit të rregullt, ndërsa administrata dhe shërbimi i pagesave nuk do të punojnë.

Kjo vjen si rrjedhoje e vendimit të Qeverisë për pezullim-shtyrje të përkohshme të pagesave komunale.

“Njoftohen edhe të gjithë qytetarët të cilët kanë obligime të pashlyera dhe kanë lëndë të iniciuara në procedurë përmbarimore, se gjatë kësaj gjendje nuk do t’iu bllokohen llogaritë bankare, deri në marrjen e vendimit tjetër”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Kompania “Pastrimi”, njofton gjithë klientët qe po ashtu do ta respektojnë vendimin e Qeverisë së Republikës se Kosovës për shtyrjen e afatit të pagesave për faturat e mbeturinave.

Kompania thotë se mbetet e përkushtuar në kryerjen e obligimeve dhe shërbimeve që ofron dhe punon gjithmonë ne parandalimin e ndonjë epidemie tjetër.

11:59

Shtyhet afati për pagesat e tatimit në pronë

Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka nxjerrë vendim për shtyrjen e afatit për lëshimin e faturave të tatimit në pronë, pagimin e këstit të parë për vitin 2020 si dhe shtyrjen e afatit për paraqitjen e ankesave ndaj faturave të tatimit në pronë dhe certifikatave të vlerave të vlerësuara.

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Departamenti i Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe Zyrat e Tatimit në Pronë në komuna.

Lexo edhe: Prezantohen masat e reja të Qeverisë

 

 

10:16

Ujësjellësi i Prishtinës shtyn afatin për pagesa

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ka shtyrë afatin për pagesa deri më 30 prill. Ndërkaq ka njoftuar se konsumatorët mund të bëjnë pagesat online, përmes bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare.

“KRU ‘Prishtina’ ka marrë masa në reduktimin e stafit në të gjitha departamentet, përveç aty ku duhet të ketë shërbim karshi konsumatorëve, me theks të veçantë departamenti i prodhimit të ujit dhe furnizimit 24 h me ujë të pijshëm dhe cilësorë. Prioritet në çështjen e furnizimit me ujë të pijshëm 24 orë pa ndërprerë i jep të gjitha qendrave spitalore, pa anashkaluar konsumatorët e tjerë të ndërmarrjes, por për shkak të rritjes së konsumit të ujit kërkohet shpenzim racional që të kemi rezerva të mjaftueshme ujore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në gjendje gatishmërie do të jenë cisternat e ujit të pijshëm (autobot) dhe ato të ujërave të zeza.

Lexo edhe: Shtyrja e pagesave dhe kredive, në mesin e masave të reja të paralajmëruara nga Qeveria