Arbëri

Borrelli i thotë Kurtit se situata aktuale ka nevojë për konsensus, kërkon heqjen e taksës

Borrelli i thotë Kurtit se situata aktuale ka nevojë për konsensus, kërkon heqjen e taksës
20:33

Borrelli i thotë Kurtit se situata aktuale ka nevojë për konsensus, kërkon heqjen e taksës

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, ka biseduar përmes telefonit sot me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, njofton BE-ja.

Sipas njoftimit, ata kanë diskutuar zhvillimet e fundit lidhur me shpërthimin e virusit COVID -19.

“Situata kërkon konsensus, unitet politik dhe qëllim të përbashkët. Përfaqësuesi i lartë nënvizoi se Bashkimi Evropian qëndron krah Kosovës dhe tërë rajonit. Bashkëpunimi i afërt dhe koordinimi, në nivel rajonal dhe me BE-në, janë kyç si përgjigje ndaj kësaj emergjence, me të cilën mund të përballemi vetëm së bashku”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Më tej thuhet se “Përfaqësuesi i Lartë dhe Kryeministri diskutuan edhe për dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Përfaqësuesi i lartë përsëriti qëndrimin e BE-së se tarifat duhet të hiqen pasi ato janë një pengesë për bashkëpunimin rajonal, i cili sot është më i nevojshëm se kurrë. Është e rëndësishme për Kosovën që të drejtojë një proces negociator inkluziv me Serbinë në formatin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, citon komunikata e BE-së të ketë thënë Borrelli në takim me Kurtin.

Raporti: Augustin Palokaj

19:59

Kurti e ideon dialogun me Serbinë me dy ekipe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Siguri e Politikë të Jashtme dhe zëvendës Kryetarin e Komisionit Evropian, Josep Borrell, për masat që janë marrë rreth mbrojtjes nga koronavirusi dhe për ato rreth dialogut për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë.

Në bisedën 30-minutëshe telefonike, sipas Zyrës së Kryeministrit, në dialog do të jenë të përfshira dy ekipe: një politike dhe tjetra, profesionale, raporton Koha.

“Në temën e dialogut të ardhshëm me Serbinë, kryeministri Kurti e njoftoi z. Borrell me përgatitjet e tij, duke theksuar dy ekipet e dialogut të Kosovës: njëri politik-përfaqësues kurse tjetri këshillues-profesional. Ekipi i parë do të kryesohej nga Kryeministri dhe do të përbëhej nga 10 anëtarë gjithsej: Kryeministri, Presidenti, Kryetarja e Kuvendit, dhe, nga një anëtar i secilës parti parlamentare: LVV, LDK, PDK, AAK-PSD, LS, Nisma-AKR dhe Grupi 6+”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Sipas komunikatës, Borrelli e mirëpriti këtë ide dhe format të kryeministrit.

“Për ekipin tjetër këshillues-profesional ku do të jenë ekspertë të fushave të ndryshme, Kryeministri Kurti do të vendosë së shpejti”, thuhet në komunikatë.