Osmani sot tregon vendimin për mbajtjen ose jo të seancës për rrëzimin e Qeverisë, pas kthimit të përgjigjes nga IKSHPK

Osmani nuk e përkrah mocionin e mosbesimit, fton edhe deputetët tjerë të votojnë kundër

24 March 2020 13:45
17:17

Vjosa Osmani ka thënë se mes respektimit të procedurave për organizmin e seancave dhe interesit të shëndetit të publikut, ajo gjithmonë do të zgjedhë të dytën.

Po ashtu, ajo tha se do të votojë kundër mocionit. Ka ftuar edhe të tjerët të votojnë kundër këtij mocioni.

“Nuk e përkrahi këtë mocion dhe i bëjë thirrje që të gjithë deputetëve që të mos ta përkrahin këtë mocion. Një qeveri e re teknike nuk mund ta përfshijë në vetvete postin e kryetares së Kuvendit”.

17:08

Osmani: Seanca do të mbahet, megjithëse nuk ka kushte

Kryeparlametraja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se seanca për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti do të mbahet nesër në orën 11:00.

Ajo në një konferencë për media të martën pasdite, tha se vendimi është marrë në Kryesi, me katër vota pro dhe dy kundër. Ajo ka treguar se vetë ka votuar kundër mbajtjes së seancës, meqë nuk ka kushte bazuar në rekomandimin e IKSHPK-së.

"Instituti ka rekomanduar që të sigurohet dezinfektimi i sallës kontrolli mjekësor e mbi të gjithabtë sigurohet distanca së paku 2 metra. Përgjigjeja e administratës ka qenë që salla nuk i plotëson kushtet për mbajtjen e seancës. Kryesia ka vendosur që seanca të mbahet nesër në ora 11. Unë nuk jam pajtuar me këtë. Ka pas insistim që në vend te distancës 2 metra të ketë distancë 1.5 metra.

Sipas saj, bazuar në atë që ofron salla dhe duke mbajtur distancën e kërkuar, mund të akomodohen vetëm 88 deputetë.

“Mendoj që secili prej nesh të jemi shembull i respektimit të rregullave por ky është vendim i shumicës. Nesër i takon deputetëve të vendosin se si të votojnë lidhur me mocionin”, tha jo.

16:59

Selimi: Të gjithë, përpos Kryetares dhe Nënkryetares së Kryesisë, ishin për mbajtje të seancës nesër

Shef i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, tha se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka zgjatur më shumë se që është dashur.

Ai thotë se GP i LDK-së ka këmbëngulur që seanca për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Kurti të mbahet nesër.

“GP i LDK-së është këmbngulës që nesër të mbahet seanca për mocionin ndaj qeverisë. Kundërshtarët e qeverisë Kurti kanë lidhur alenacë mes vete kur ne po vazhdojmë të përballemi me koronavirusin. Gruper parlamentare, të prira nga LDK-ja, kërkojnë me insistim që pavarësisht që nuk ka kushte, seanca të mbahet nesër”, ka thënë Selimi, raporton KOHA.

Ai tha se në sallën plenare nuk ka kushte që të mbahet mbledhja për cilindo aktivitet e poashtu nuk ka kushte që të zbatohen rekomandimet as të OBSH-së e as të IKSHP-së.

“Të gjitha grupet parlamentare, pa përjashtim, kanë qenë për seancë. 4 vota për dhe 2 kundër. Nga 6 anëtarët e Kryeisës, kryetarja dhe nënkryetarja kanë kërkuar që seanca të mbahet në rrethana tjera. Seanca është kërku që të mbahet në ora 11”, deklaroi Selimi.

Raporti: Valbona Bytyqi

16:36

Seanca për mocionin do të mbahet nesër në orën 11:00

Seanca për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, e iniciuar nga LDK-ja, do të mbahet nesër në orën 11:00, njoftojnë burimet e KOHA-s.

Seanca do të mbahet në sallën e Kuvendit.

Vendimi është marrë sot në Kryesinë e Kuvendit.

13:45

Osmani sot tregon vendimin për mbajtjen ose jo të seancës për rrëzimin e Qeverisë, pas kthimit të përgjigjes nga IKSHPK

Kryesia e Kuvendit ka pranuar vlerësimin nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik lidhur me kushtet për mbajtjen e seancës, e në të cilën pritet të hidhet në votim mocioni i iniciuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për rrëzimin e qeverisë.

IKSHP-ja i ka rekomanduar Kuvendit që në çfarëdo situate të ndërmerren masat e domosdoshme në përputhje me kushtet e punës.

Më tutje, IKSHP-ja, sipas burimeve të KOHËS brenda Kuvendit, ka ofruar ndihmën e ekipeve të saj për mbështetje lidhur me aplikimin e kushteve të kërkuara e të cilat janë të domosdoshme sipas protokollit e udhëzimeve të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“IKSHPK nuk interferon në përmbushjen e detyrave kushtetuese të institucioneve shtetërore. IKSHPK është i gatshëm që me ekipin e tij gjatë tërë kohës në cilindo rast të ofrojë mbështetjen me ekipet profesionale për kujdesin maksimal në aplikim të kushteve të kërkuara të domosdoshme sipas protokollit dhe udhëzimeve”, thuhet në raport.

Lidhur me rekomandimet e IKSHP-së, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, pritet të dalë në një konferencë për media në ora 16, ku edhe do të bëjë të ditur vendimin e mbledhjes së Kryesisë për mbajtjen apo jo të seancës së iniciuar nga nënshkrimi i mbi 40 deputetëve.

  • Foto: Koha
  • Foto: Koha

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme