Këshilltarja juridike e Kurtit e quan joserioz dhe të rrezikshëm vendimin e Thaçit

25 March 2020 00:04

Fortuna Sheremeti, këshilltare juridike e kryeministrit Albin Kurti, ka thënë në Interaktiv të KTV-së vendimi i presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për të çuar atë të Qeverisë për kufizim të lëvizjes së qytetarëve në Gjykatës Kushtetuese, është joserioz, por edhe i rrezikshëm.

Ajo ka thënë se Qeveria e ka matur mirë, jo vetëm këtë por të gjitha vendimet që ka marrë, duke u bazuar në rekomandimet e ekspertëve të fushës.

Ajo tregon se është krijuar një amulli rreth kompetencave për marrjen e masave për kufizim të lirisë së lëvizjes.

“E kam parë në media se është krijuar një konfuzion jashtëzakonisht i madh. Dua ta shpjegoj thjeshtë, se vendimi është bazuar në nenin 55 të Kushtetutës që ka të bëjë me kufizimin dhe jo në atë 56 me shmangien nga të drejtat. Qeveria ka marrë një vendim që vjen si rezultat nga rekomandimet e ekspertëve të fushës dhe bëhet fjalë për kufizim për kohë të caktuar. Është në linjë me Ligjin për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur se masa si të Qeverisë Kurti janë marrë në shumicën e vendeve të Evropës.

“E kemi shembullin e Shqipërisë që është bazuar në ligjin për Emegjenca”, ka shtuar këshilltarja e Kurtit.

Sheremti ka treguar se zyra e kryeministrit ka dërguar faktet dhe komentet pranë Gjykatës Kushtetuese në lildhje me çështjen që ka ngritur presidenti.

Sipas saj, faktet që ka dorëzuar presidenti janë tejet joserioze.

“Presidenti neglizhon të bëjë dallimin e qartë mes kufizimit dhe shmangies, presidenti është ai qe po del me thirrje të mos respekthohet vendimi i Qeverisë e në anën tjetër thotë se duhet të qëndroni në shtëpi. I paaryseshëm në një kohë kur prioritet duhet të jetë shëndeti i qytetarëve”, tha ajo.

Për interpretimin e Gjykatës në lidhje me vendimin nuk ka dashur të flasë, por ka shtuar se argumentet e Qeverisë janë të forta.

“Kjo po bëhet për poena politikë, jo për çështjen dhe shëndetin e qytetarëve”, tha Sheremti.

E për thirrjen e presidentit për rrrezistencë ndaj vendimit, ajo tha se ai nuk gëzon imunitet funkiosnal, meqë interpretimi i një vendimi nuk është kompetencë e tij.

“Vendimi nuk është marrë nga Kurti, por nga një kambinet i tërë, është bazuar në rekomandime, e të dilet në këtë situatë, është jo vetëm papërgjegjësi, por është edhe rrezik i madh, siç është edhe kërkesa për pezullim. Çka ndodh nëse pezullohet? Presidenti dëshiron me shpall gjendjen e jashtëzakonshme e me marrë vendim të njëjtë për kufizim të lëvizjes”, tha ajo.

Furtuna Sheremeti, ka thënë se në seancën e nesërme nuk dihet se çfarë do të ndodhë. Ajo thotë se është për t’u theksuar përkrahja nga ndërkombëtarët që kanë bërë thirrje për të mos bërë lojëra politike në këtë periudhë kur po përballemi me koronavirusin. Mirëpo, thotë se çështja e mocionit të mosbesimit është lojë politike pa përkrahje ndërkombëtare.

“Çështja e mocionit është lojë e pastër politike. E kemi parë që s’e ka përkrahjen e një shumice të madhe ndërkombëtare. Por, të shohim. Ky është vendi ynë dhe duhet të bëjmë më të mirën për të. Nëse më e mira është që në këtë kohë të kemi lojëra të tilla, le ta bëjmë, është jashtë duarve tona”, tha Sheremeti. Nëse Kushtetuesja vendos se është vendim antikushtetues, Sheremeti tha se është herët të flitet për skenar të tillë. “Nuk më pëlqen të presupozoj shumë”, theksoi ajo.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme