Pak para se të fillojë seanca, ambasadori Kosnett largohet nga Kuvendi Foto: Koha

Kurti: Po ta kisha marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiq, nuk do të ngelej e tillë

25 March 2020 10:31
22:42

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prag të votimit për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së tij ka thënë se ndjen obligim t’i bëjë disa sqarime.

“Së pari, më lejoni ta falënderoj ministrin e Mbrojtjes, Anton Qunin, i cili e shtriu dorën e dialogut”, ka thënë ai.

“Ato tri elemente, që kanë qenë si kushte, në fakt janë çështje të dialogut që ne të merremi vesh, por më vjen keq që kjo dorë e dialogut u pre nga shpata e gjatë e Bradashit”, ka vazhduar ai.

Ai ka shprehur keqardhje “që vendimmarrja në LDK nuk është në Prishtinë, por jashtë saj. Në Prapashticë e Bradash”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti në vazhdim ka folur rreth të dërguarit të Trumpit për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, duke thënë se ata që e kanë takuar atë në Washington, ka marrë shumë fuqi nga lart.

“Legjitimiteti vjen prej poshtë, jo prej lart”, ka thënë ai.

“Këtë problem që e kam pasur në këto pesëdhjetë ditë, e kam edhe sonte. Deputeti Tasholli e tha interesant: ‘Edhe kur bie Qeveria, ajo është në detyrë. Pra, ti Albin do të jesh kryeministër në detyrë, por ne po të rrëzojmë’”, ka vazhduar Kurti, duke thënë se kjo e tregon një të vërtetë të seancës së mosbesimit.

“Qëllimi është që kjo qeveri që ka mbështetje kaq të madhe duhet të, cënohet, goditet e të njolloset”, ka thënë kryeministri.

Më tej, ai ka thënë se nuk e ka marrëveshjen sekrete Thaçi-Vuçiq.

“Mendoni se po ta kisha marrëveshjen sekrete nuk do ta kisha publikuar? Po ta kisha marrëveshjen sekrete, nuk do të ngelej sekrete”, ka thënë Kurti.

“Ama ka”, ka vazhduar ai.

22:35

Osmani: Duke e votuar mocionin ne braktisim vullnetin e qytetarëve për ndryshimin që kërkuan

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se do të votojë kundër mocionit të mosbesimit të Qeverisë.

Ajo thotë se duke e votuar këtë mocion atëherë braktiset vullneti i qytetarëve për ndryshim.

“Ky në fakt është një fjalim që asnjëherë nuk do të doja ta mbaja. Ky mocion është ngritur nga qeverisë së ndryshimit, ku shumë politikanë duket se nuk e duan ndryshimin. Sot rrezikojmë ta humbim edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë, kjo është e pashembullt”, ka thënë Osmani, transmeton KOHA.

Ajo thotë se përmes rrëzimit të Qeverisë mjekët do të mbesin të vetmuar në luftën ndaj koronavirusit.

“Ëndrra për të mbisunduar tjetrin shndërrohet në një betejë meskine për pushtet. Në këtë çast kur egoja jonë na kërkon të mbushim apetitet tona politike, mjekët tanë po përmbushen të shpëtojnë secilën jetë, por ne kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre jetësore. Duke i ndëshkuar ata me një lehtësi të madhe”, ka thënë Osmani.

Osmani thotë se do të duhej të diskutonin për masat shtesë për grupet më të rrezikuara nga koronavirusi. E shpallja e pandemisë, sipas saj, e rëndojnë gjendjen ekonomike të qytetarëve.

“Tani në Kosovë është një pandemi tjetër, ajo e dehumanizimit. Marrëveshja për bashkëqeverisje është kontratë, është besim, që duhet të respektohen nga të gjithë. Këto veprime do ta përdhosin vullnetin qytetar për ndryshim. Do ta vrasë shpresën që qytetarët patën nevojë për ndryshim. Qytetarë, rënia e Qeverisë nuk shënjon qëndresën tuaj ndaj të keqes. Asnjë rënie nuk është e përhershme. Si kryetare e Kuvendit jam përpjekur që të mbrojë secilin parim politik. Sikur ju të nderuar qytetarë kam besuar dhe besoj në vlerat dhe shpresën që e pamë në krijimin e kësaj qeverie”, ka thënë ajo.

Ajo thotë gjithashtu se ka respektuar secilën pikë të partisë.

Gjithashtu Osmani shton se beson se kjo Qeveri ka aftësinë të luftojë krimin e korrupsionin.

“Besoj se Qeveria ndërmjet LDK-së dhe VV-së ka qenë e zonja që ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe këtë e ka dëshmuar në pak ditë, prandaj nuk mund të pajtohem me këtë mocion mosbesimi aq më tepër në një kohë të gjatë për qytetarët, sepse konsideroj se duke e votuar mocionin për shkarkimin e Qeverisë ne e braktisim vullnetin e qytetarëve tanë pikërisht për ndryshimin që e kanë kërkuar”, ka thënë Osmani. “Qytetarë, e di që sot ndjeheni të lodhur e të fyer, të jeni të sigurt se ashtu ndihem edhe unë sepse zëri juaj nuk është dëgjuar”.

Ajo thotë se ka të drejtën e plotë të flasë në emër të LDK-së.

“Dikush edhe mund të flasë në emër të LDK-së në aspektin legal, por e kam të drejtën e plotë morale të flas në emër të elektoratit të LDK-së. Unë e di se cila është kontrata që lidhëm me qytetarët, ajo ka qenë jo koalicion me partitë e PAN-it dhe po luftimit të krimit dhe korrupsionit. Unë jam kundër çdo marrëveshje me partitë e PAN-it dhe nuk e thyej besimin e qytetarëve për asnjë çmim. Partitë e PAN-it, që kanë shpenzuar edhe rezervat shtetërore, kemi thënë se do t’i çojmë në opozitë”, ka thënë Osmani.

Ajo theksoi se do të votojë kundër këtij mocioni.

Osmani gjithashtu shpalosi mesazhin e vajzës së Nekibe Kelmendit, Kosovares, e cila ka bërë thirrje që të mos votohet ky mocion mosbesimi.

“Në asnjë rast nuk ndihem mirë kur flitet në emër të njerëzve që nuk janë këtu. Duke qenë se e kam pasur shembull për gjithnjë, unë sot kam marrë një mesazh krejtësisht personal nga vajza e saj e cila ka kërkuar edhe të lexohet. E ndjej detyrim që ta lexoj: Kosovare Kelmendi thotë që me shpirt e me mendje e lutje jam me juve, por mos e votoni mocionin e mos na detyroni të lëmë edhe varret e të ikim nga ky vend. Sepse po u vra shpresa mua vetëm emri do të më mbetet kosovare sepse Kosovë të ëndrrave të prindërve të mi më nuk do të ketë”, tha Osmani.

21:28

Berisha: VV-në po e shkarkon “profa i nderuar”

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka folur në Kuvendin e Kosovës në seancën ku pritet të votohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Berisha i është përgjigjur me një fjalë popullore akuzave të ashpra të deputetëve të Vetëvendosjes, duke thënë se ata nuk po i shkarkon AAK-ja, por “profa i nderuar”, duke e pasur fjalën për kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

“Nëse iu ka kallë dhelprës bishti, nuk u kall krejt bota. Nuk e kuptoj pezmin e Vetëvendosjes me neve. Juve është ka ju rrëzon profa i nderuar”, ka thënë Berisha.

Ai i ka replikuar edhe me ministrin e Jashtëm, Glauk Konjufca, i cili gjatë një fjalimi e këshilloi që të mos flasë për diktaturën.

Berisha shtoi se, Konjufca kishte qenë në AAK dhe ishte larguar nga aty për të shkuar në VV, sipas tij, me udhëzimet e SHIK-ut.

“Glaukun po e kursej pak. U kanë djalë i ri në AAK, dikur u largu prej atyhit e shkoi në VV. Me udhëzimet e SHIK-ut”, tha ai.

Berisha theksoi se VV ka dashur të imponojë diktaturë mbi LDK-në, por sipas tij, kjo gjë ka dështuar.

“Këtu përnjëmend ka pas tendencë me bë diktaturë. Ju keni dashtë diktaturë me bo mbi LDK-në dhe ka mbet në tentativë. Puçi mbetet veç paranojë e kryeministrit, pasi që nuk e vërtetoi se ka pas diçka të tillë. Ky njeri është i dashuruar në vetveten, se si me bë një vend në histori. Sonte duket se ka me hy në histori, por s’ka me u bë asgjë”, tha ai.

19:51

Hoti: Kurti po tenton ta nënshtrojë LDK-në

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti gjatë seancës së mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, tha se një gjë e tillë duhet të bëhet për shkak të prishjes së marrëdhënieve me SHBA-në dhe tentimit të kryeministrit Albin Kurti që ta nënshtrojë LDK-në.

Hoti, i cili është edhe nënkryetar i LDK-së, në seancën e jashtëzakonshme për mocionin e mosbesimit, tha se kjo parti ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me partnerin e koalicionit.

“Mocioni ynë për rrëzimin e kësaj qeverie është i mbështetur në dy parime. E para nuk mund të ketë Qeveri, e cila shkatërron raportet me SHBA-në... E dyta në Qeverinë e Kosovës nuk ka vend për autokraci. Vetëm me bashkëpunim shkojmë përpara”, tha ai.

I dyti i qeverisë përmendi disa nga arsyet pse kanë ndërmarrë inicimin për rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Angazhim i ynë në këtë qeveri ishte i sinqertë bashkëpunues dhe bashkërendues i të gjitha aktiviteteve. Kjo nuk ishte Qeveri e Kurtit, por e VV-së dhe LDK-se si dy partnerë kryesorë përfshirë komunitetet. Ne nuk kemi hyrë në këtë qeveri si qiraxhi, por si zot shtëpie bashkë me VV, pasi ashtu kishte vendosur sovrani. Ishin të bindur se angazhimet e përbashkëta për t’i dhënë një qeverisje të re ishte qëllimi i dy palëve, por siç u pa, kjo nuk doli e vërtetë. Heqja dorë e kryeministrit karshi dialogut me Serbinë u bë pjesa kryesore e kësaj qeverie në ndërtimin e raporteve me SHBA që për ne ishte i papranueshme. Ne nuk mund të pranojmë që qeveria të bëhet shkaktare e sanksioneve ekonomike nga SHBA”, tha ai.

Sipas tij, kryeministri Kurti përmes veprimeve të tija ka dëshmuar se nuk dëshiron partneritet me LDK-në.

“Përmes shkarkimit të Agim Veliu, LDK u bind se Kurti po dëshiron shkarkimin nga Qeveria. Veprimi i tij pas shkarkimit të Veliut tregoi qëllimin e vërtetë. Ai emëroi zëvendësministrin nga VV-ja si ushtrues detyre në vend që të emëronte zëvendësministrin e LDK-së në këtë detyrë. Kjo i mundësoi atij shumicën në Qeveri për të marrë vendime pa përfillur votat e partnerit qeverisës siç ka bërë me heqjen e taksës. Kjo nuk është mënyra e qeverisjes. Përmes veprimeve të tilla Kurti dëshmon se nuk dëshiron partneritet, por dëshiron t’i shërbejë atij. Ne nuk mund ta lejojmë këtë”, tha ai.

18:39

Gashi Selimit: Në emër të LDK-së flas unë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se ai flet në emër të LDK-së.

“Z. Selimi dhe tjerët: Në emër të LDK-së flas unë. Për të gjithë këtu në këtë sallë, jam i vetmi i autorizuar të flas në emër të LDK-së. Deputetët tjerë flasin si deputetë”, ka thënë ai.

Këtë e ka thënë në kuadër të një debati midis Anton Qunit dhe Rexhep Selimit rreth ofertës së këtij të pari për kompromis rreth Qeverisë.

Kuvendi është në seancë rreth mocionit të mosbesimit të Qeverisë.

18:30

Quni Selimit: Do të bëj të pamundurën të vazhdojë koalicioni, të njëjtën e kërkoj nga ju

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni i është përgjigjur shefit të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimit.

“Kur iu drejtova juve, nuk thashë që kam autorizime dhe është e natyrshme që edhe brenda LDK-së të ketë qëndrime të ndryshme lidhur me këtë temë. Unë e mora një rrezik përsipër, marrë parasysh situatën”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se me gjithë rezervat në LDK, personalisht e merr përsipër që edhe të gjunjëzohet para strukturave të partisë së tij, të tregojnë gjenerozitet lidhur me situatën.

“Do të bëj të pamundurën të vazhdojë koalicioni, të njëjtën e kërkoj nga ju”, u shpreh Quni.

Selimi i është përgjigjur se në tërë këtë mes, ka folur pikërisht Veliu, për të cilin Quni ka kërkuar që të kthehet në Qeveri.

“Përndryshe ne e morëm si vullnet tëndin të mirë, në kufijtë e së mundshmes”, ka thënë Selimi.

18:18

Selimi: Para se t’i përgjigjeshim ne Qunit, iu përgjigj Veliu

Shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi i është përgjigjur ofertës së Anton Qunit për atë që e ka quajtur dalje nga kriza.

“Gjatë pauzës, ne si grup parlamentar reflektuam dhe ishim duke diskutuar, kur para se të përgjigjemi ne, Quni mori përgjigje nga Veliu përmes medieve”, tha ai.

Selimi i ka cituar fjalët e Veliut: “Anton Quni nuk ka pasur autorizim të thotë diçka të tillë. Ky nuk është qëndrim i LDK-së. Nuk ka kthim prapa. Mocioni duhet të votohet”.

Selimi ka thënë se ekziston një shans. “Nëse doni zgjidhje, atëherë është vetëm një shans: Ta votoni kundër mocionin e mosbesimit”.

16:47

Quni i ofron Kurtit kompromis rreth Qeverisë

Anton Quni, ministër i Mbrojtjes nga radhët e LDK-së ka ofruar mundësi për kompromis teksa Kuvendi është në seancë për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë. Ai, gjatë orës së pauzës i ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti, që ta tërheqë vendimin për shkarkimin e bashkëpartiakut të tij, Agim Veliut.

Gjatë seancës, në prag të pauzës, Quni kishte premtuar se do ta marrë përsipër të bisedojë me kreun e partisë së tij dhe deputetët e LDK-së, nëse Kurti merr në konsideratë ofertën e Isa Mustafës për kthimin e Veliut në post dhe tërheqjen e taksës.

Gjatë fjalimit në seancën e jashtëzakonshme për votimin e mocionit të LDK-së për rrëzimin e Qeverisë, Quni ka thënë se Kurti duhet të marrë parasysh ofertën e Mustafës dhe në këtë mënyrë të shpëtojë qeverinë nga rrëzimi.

“Albin, është një ofertë që duhesh mirë me e pasur në konsideratë, është një mundësi shumë e mirë, unë do e bëj të pamundurën nëse ju i rishikoni këto vendime, pasi të merret pauza prej një ore, unë me urgjencë do ta takoj kryetarin Isa Mustafa, me urgjencë do të bisedoj me gjithë deputetët që të tërheqin mocionin nëse ju e riktheni zotin Agim Veliu në detyrën e tij dhe nëse ju reflektoni në lidhje me taksën, e cila është kusht nga tërë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë Quni.

Ai i ka kujtuar Kurtit marrëveshjen mes partnerëve të koalicionit, ku ministrat do të mund të shkarkoheshin me konsultim paraprak me liderin e partisë.

“Tani ngrihen shumë teori, a mbet me qëllim që të krijohet me qëllim që ju të tërhiqeni, duke ia lënë ‘kilen’ LDK-së, sepse nuk e keni guximin të ballafaqoheni me tema të mëdha, ju i keni pa vështirësitë se si kryeministër duhet t’i menaxhoni q ë tani janë në mospërputhje me qëndrimet që kishit si kryetar i VV-së kur ishit ‘elektron i lirë’, kur je ne opozitë e ki komoditetin të deklarosh, të premtosh dëshirat që mund t’i plotësojë vetëm babadimri. Tani kur e keni prek realitetin, kuptohet se ju nuk jeni në gjendje të menaxhoni situata që janë të prekshme, me të cilat qytetarët do t’i gëzojnë benificionet”, tha Quni.

16:45

Kuvendi i Kosovës në pauzë njëorëshe

Kuvendi i Kosovës ka shkuar në pauzë njëorëshe. Këtë e kishte propozuar deputeti i VV-së Rexhep Selimi.

Më pas, kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka miratuar dhe asnjë deputet nuk e ka kundërshtuar.

"Shkojmë në pauzë njëorëshe por ju lutem mos u vononi", ka thënë Osmani.

Para shkuarjes në pauzë, kryeministri Albin Kurti ka thënë se thyerja në koalicion nuk ka ndodhur shkaku i gjuhës apo komunikimit.

“Për shkak të gjuhës, për shkak të komunikimit, nuk ndodh thyerja. Çështja është braktisja e reciprocitetit dhe tarifa”, ka thënë ai.

“Po të ishte problem tek gjuha, atëherë Agim Veliu do të shkarkohej kur më quajti anti-amerikan”, ka thënë ai.

“LDK-ja ka pasur të dalë edhe më herët, sikur të mos ishte virusi korona. Gjithçka ka të bëjë me parimet. Unë nuk jam për ta braktisur reciprocitetin. Kemi garuar tek populli me reciprocitet, është marre me i thënë popullit se po e braktisim reciprocitetin”, ka thënë ai.

Kurti po ashtu ka thënë se Kosova është në një fazë emergjente, e cila edhe është shpallur.

“Sapo e kam marrë një letër nga komisioneri evropian, Oliver Varheliy”, ka bërë të ditur ai, duke e lexuar një pjesë të asaj letre.

 

15:39

Kurti: Mora vesh se transkripti i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë tash nuk ekziston, kapja e shtetit po vazhdon

Kryeministri Albin Kurti, ka treguar se gjatë mbledhjes së seancës për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së tij, i ka ardhur njoftimi se transkripti i mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i mbajtur më 17 mars, nuk ekziston më.

Ai këtë e ka quajtur vazhdimësi të kapjes së shtetit.

"Më 17 mars u mbajt mbledhja e Këshillit të Sigurisë, tash po më njoftojnë se hard-disku nuk e paska regjistruar fare transkriptin. Pse po ndodh kjo? Kjo po ndodh se Kosova vazhdon të jetë shtet i kapur, ka ndryshuar Qeveria, por jo Prokuroria, Gjyqësori etj", tha ai.

Më herët gjatë seancës, Kurti tha se më 17 mars pati tentim-puç, duke iu referuar iniciativës së presidentit Hashim Thaçi për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të përhapjes së koronavirusit.

“Sot jam i lumtur që nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, para një jave ka pasur tentim-puç në Kosovë. Do të dalin të gjitha transkriptet për këtë nga Këshilli i Sigurisë”, tha Kurti më herët.

15:26

Selmanaj – Kurtit: Ne kemi faj që të kemi bërë kryeministër

Deputeti i LDK-së Driton Selmanaj, në foltore ka ngritur kritika të shumta kundër Vetëvendosjes, e në veçanti kryeministrit Albin Kurti.

“Ne kemi faj z.Kurti që të kemi bërë kryeministër”, i tha Kurtit Selmanaj.

Deputeti Selmanaj tha se "Konstantja është LDK-ja, ju të tjerat jeni variabla".

15:16

Deputeti i LDK-së kundër rrëzimit të Qeverisë: Është salto mortale-politike

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, ka përsëritur edhe sot qëndrimin e tij kundër mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Në seancën që po mbahet, Avdyli ka deklaruar se mocioni i iniciuar nga LDK-ja, është i nxituar dhe si i tillë edhe duhet të shtyhet.

“Mocioni është i nxituar dhe duhet të shtyhet. Para rrëzimit të qeverisë, para fatit personal të çdo politikani sot duhet të vendosim fatin e dy milionë qytetarëve, fatin e nënave dhe baballarëve tanë, të cilët në këto momente mund të jenë të infektuar, dhe mund të infektohen nga pandemia. Sot duhet të vendosim fatin e mijëra qytetarëve tanë, të cilët janë të papunë dhe do të rrinë pa paga në shtëpitë e tyre. Mendoj se nuk duhet që ky vend të bëjë salto mortale-politike që të rrëzojmë një Qeveri pjesë e së cilës është edhe LDK-ja me ministra të suksesshëm, të cilët kanë marrë masa shumë të suksesshme për menaxhimin e pandemisë. Mocioni duhet të shtyhet derisa të piqen kushtet demokratike e ato kushte demokratike janë edhe atëherë kur kemi mundësi për zgjedhje. Prandaj, unë sot votoj kundër mocionit dhe marrë përgjegjësinë personale dhe politike”, ka deklaruar Avdyli, përcjell KP-ja.

Kuvendi i Kosovës po diskuton sot në seancë të jashtëzakonshme mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, të iniciuar nga partneri i koalicionit LDK, pas prishjes së raporteve me Vetëvendosjen për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliu që vjen nga radhët e partisë së Isa Mustafës.

Avdyli, që në orën e parë kur LDK-ja lajmëroi se do të inicioi mocion mosbesimi, u deklarua kundër. Kundër është shprehur edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani, që po ashtu vjen nga LDK-ja.

14:21

Kurti: Nuk desha ta ofendoj Mustafën, andaj nuk e thirra në takim para shkarkimit të Veliut

Kryeministri Albin Kurti ka replikuar me deputeten e LDK-së, Valentina Bunjaku – Rexhepi, e ndër tjera ka treguar edhe pse nuk e takoi kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, para shkarkimit të Agim Veliut nga posti i ministrit të Punëve të Brendshme.

“Kryeparlamentaren edhe Kryetarin e LDK-së i kam njoftuar për vendimin, por s’kam mundur me i thirr në takim. A e dini pse? Se nuk kam mundur me e ndrru vendimin. Është ofendim më e thirr dikë e mos me lënë hapësirë për debat”, ka thënë Kurti.

Kurti edhe një herë iu kthye debatit për shkarkimin e Veliut, për çka LDK-ja pak orë më vonë mori vendim që të iniciojë procedurën për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, ku bën pjesë edhe vetë.

14:18

Konjufca: Ju që po derdhni lot krokodili për Osmanin, votoni si ju ka kërkuar ajo

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, i ka kritikuar në veçanti deputetët e LDK-së në fjalën e tij.

“Për të gjithë ata që duan të derdhin lot krokodili për Vjosa Osmanin, vetëm votoni si ju ka kërkuar ajo. Vetëm votoni kundër mocionit, mos e votoni dhe kështu e respektoni atë”, tha Konjufca.

Konjfuca tha se argumentet e LDK-së në mocion nuk qëndrojnë. Tha se LDK-ja, është duke punuar me PDK-në.

“Ku ishte LDK-ja kur Hashim Thaçi ua shkarkoi Nekibe Kelmendin, LDK-ja qëndroi prapë në koalicion me të. Sa ma thellë ka shku puna që janë cenuar në interesin me PDK-në, filluan të shfaqen probleme në koalicion”, tha tutje Konjufca.

13:59

Murati: Këto partitë e 20 vjetëve të fundit i dhanë tokë Maqedonisë, Malit të Zi e tash Serbisë

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se “është turp, marre, që ky Kuvend është mbledhur sot për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës, e jo për t’i ndihmuar popullit”.

Sipas Muratit, sa i përket marrëveshjes për ta ndarë Kosovën, “këto partitë e 20 vjetëve të fundit, e kanë bërë udhë për t’i dhënë tokë fqinjëve tanë”.

“Një herë i dhanë tokë Maqedonisë, pastaj Malit të Zi, e tash edhe Serbisë”, tha ai.

13:56

Limaj: Qeveria po e rrëzon veten

Kryetari i Nismës Socialdemokratike, Fatmir Limaj, pasi foli gjerë e gjatë çfarë nënkupton politika, tha se kjo Qeveri po e rrëzon vetën me veprimet e saj, raporton KOHA.

Ai tha se Qeveria nga fillimi e ka provokuar rrëzimin.

“Kosova është në një krizë qeveritare tash e një muaj. Kulmi i krizës është tash e një javë, kur njëri nga partnerët ia hoqi besimin.

Çka po dua të them me këtë, vendi është në një krizë qeveritare dhe sot duhet t’i japim epilog kësaj krize. Në kohën kur Qeveria humb besimin, humb edhe fokusin. Kriza qeveritare ndikon në punën e ministrive dikastereve. Unë besoj që është shkelur Kushtetuta, por nuk jam unë ai që e interpreton vendimin, është Kushtetuesja. Dhe kjo tregon për pjekurinë e institucioneve shtetërore. Nuk ka vend në botë, u tha këtu, që Kuvendi e rrëzon Qeverinë në këtë kohë pandemie. Po, është e vërtetë. Por është e vërtetë edhe se kjo Qeveri po e rrëzon vetën në këtë situatë”, tha Limaj.

13:47

Rifillon seanca në Kuvendin e Kosovës

Ka rifilluar pas 10 minutash pauzë seanca në Kuvendin e Kosovës.

13:14

Kuvendi shkon në pauzë 10-minutëshe

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka ndërprerë seancën ku pikë e vetme e rendit të ditës është mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Ajo ka kërkuar pauzë 10-minutëshe, pasi sipas saj, duhet të rregullohet sistemi i zërimit.

13:00

Kusari-Lila: Sot Parlamenti i Kosovës hyn në histori, në kohë koronavirusi mblidhet për ta rrëzuar qeverinë

Mimoza Kusari-Lila në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sot zyrtarisht si Parlament do të hyjë në histori.

“Fotografitë e sotme do të jenë në të gjitha mediat ndërkombëtare. I vetmi shtet në botë që mblidhet për mocion në kohë të koronavirusit. I vetmi vend sot që nuk tregon asnjë argument për veten si shtet. Kosova ka kaluar nëpër shumë probleme e edhe do të kaloj. Koalicioni me zor nuk mundet me ndejt, por kjo seancë është gjithçka përveç normale”, tha Lila.

Ajo tha se “Kjo qeveri me bashkë ministrat e LDK-së është Qeveria e parë që ma ka dhënë bindjen e një shteti”.

“Sot jemi me maska por kurrë më shumë nuk e kemi pasur të zhveshur personalitetin”, u shpreh Kusari—Lila, duke thënë se “sot jemi lakuriq”.

12:51

Kurti: Para një jave ka pasur tentim-puç në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se kur Hashim Thaçi ka dashur javën e kaluar të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme, realisht ka pasur tentim-puç.

“Sot jam i lumtur që nuk është shpallur gjendja e jashtëzakonshme, para një jave ka pasur tentim-puç në Kosovë. Do të dalin të gjitha transkriptet për këtë”, tha Kurti.

12:42

Kurti thotë se Qeveria po rrëzohet jo për taksën, por për t’i hapur rrugë marrëveshjes, që sipas tij ekziston

Kryeministri Kurti në fjalimin e tij në Kuvend, ku po mbahet seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së tij, tha se është i bindur që tashmë ka një marrëveshje për ndarje të territoreve. Ai zbuloi edhe muhabete nga takimi i para disa ditëve me presidentin Hashim Thaçi.

“Unë jam më i bindur se kurrë se marrëveshje të gatshme ka. Faktikisht këtë ma ka konfirmuar edhe presidenti në takimin me të. Për dy orë e takova, dhe a e dini çka më tha: ‘Hiqe kryeministër taksën dhe shkojmë në Shtëpinë e Bardhë dhe e heqin qafe Serbinë. Këta kryeministrat tjerë janë kryeministra të emëruar, unë e ti jemi të zgjedhur nga populli’. Pra nuk është ideja me heq këtë Qeveri për taksën, por me heq Qeverinë e me i hap rrugë marrëveshjes. Këto pazare nuk mund të me kenë mua si bashkëpunëtor”, tha Kurti.

12:39

Kurti: Nuk rrëzohet qeveria për një ministër, veç nëse ai ministër është plan

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Qeveria e Kosovës s’mund të rrëzohet vetëm për shkak të një ministri, vetëm nëse ky ministër (Agim Veliu) është plan.

“Nuk rrëzohet qeveria për një ministër. Veç nëse ai ministër është plan. Nëse ministri është plan, atëherë bie qeveria. Unë nuk kam qenë i vetëdijshëm që është plan”, tha Kurti.

12:33

Kurti: Pazari presidencial kërkon ta rrëzojë qeverinë

Kurti tha se pazari presidencial kërkon ta rrëzojë qeverinë e tij.

“Me mua kryeministër e me këtë qeveri nuk ka shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme deri të ketë gjendje të jashtëzakonshme.

Tutje, Kurti tha se “Motori i kësaj situate është si të largohet kjo qeveri e si të spostohem unë, për të nisur pazaret”.

12:25

Kurti: Jam krenar me këtë kabinet qeveritar

“Qeveria e re ndodhet në ditën e 50 të të punës së saj. Të gjithë e panë sesi nuk i patëm jo 100 ditë për të dëshmuar vetën tonë, por as 100 orë. Por sot, dua të them se jam krenar me këtë kabinet qeveritar”, tha Kurti, teksa nisi të numërojë të arriturat e Qeverisë së tij.

Foli për uljen e pagave, shkarkimin e bordeve, për shfuqizime të disa vendimeve që shkonin në favor të zyrtarëve shtetërorë e shumë vendime tjera.

Kurti tutje tha se “Mua nuk më dhimbset kjo qeveri e aq më pak vetja, më dhimbset populli se çka po i bëhet me këtë mocion”.

Para tij, grupet parlamentare NISMA-AKR dhe 6+ u deklaruan pro mocionit ndaj Qeverisë Kurti.

12:18

Lista Serbe do të mbështesë rrëzimin e Qeverisë

Igor Simiq nga Lista Srpska, ka deklaruar në fjalën e tij në Kuvend, se të 10 deputetët serbë nga kjo parti do të votojnë pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Lista Serbe nuk e ka mbështetur këtë Qeveri që nga fillimi. Kur bëhet fjalë për punën e saj, ne kemi pasur në vazhdimësi vërejtje, sidomos për taksën që po dëmton të gjithë. Gjëja e dytë që kjo Qeveri nuk e ka bërë, është tregimi i respektit minimal për komunitetin serb. Të gjithë 10 deputetët e Listës Serbe do të mbështesin rrëzimin e kësaj qeverie”, tha Simiq.

12:10

Haradinaj: Kemi vetërrëzim të planifikuar të kësaj qeverie

Deputeti i AAK-së Daut Haradinaj, tha se është ditur moti që Albin Kurtit do t’i merret mandati.

“Kemi vetërrëzim të planifikuar të kësaj qeverie”, tha Haradinaj në fjalën e vet.

Sipas tij në Qeverinë Kurti, ka pasur “Diskriminimi buxhetor i zonave të caktuara”.

“I kemi raportet më të këqija me aleatët tanë. Kjo qeveri në kohën më të keqe po shkon”, tha ai, duke shtuar se “nuk e dimë për çfarë lajmi të mirë do të mbahet mend”.

 

12:07

Krasniqi: PDK-ja do të votojë pro mocionit

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij do të votojë pro mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

“Që në zanafillën e vetë, koalicioni qeverisës ndërmjet LVV-së dhe LDK-së e ka dëshmuar papërgjegjësinë ndaj vendit dhe paaftësinë për të qeverisur në mënyrë normale, fillimisht me vonesën e tejzgjatur prej 119 ditëve për ta formuar qeverinë, duke e mbajtur të paralizuar jetën institucionale të shtetit dhe duke e penguar rrjedhën normale të zhvillimit në vend. Kjo zvarritje ishte edhe dëshmia e parë e mashtrimit të drejtpërdrejtë që këto dy parti i bënë elektoratit të tyre pasi i kishin premtuar qeveri brenda 72 orësh mbi baza parimore, ndërsa u katandisën në katër muaj vonesë dhe në një pazar joparimor për poste dhe pushtet. Ky kryeministër e kjo qeveri nuk meritojnë të qeverisë Republikën e Kosovës”, tha ai.

“Partia Demokratike e Kosovës do të votojë pro mocionit të mosbesimit, jo vetëm sepse është në krye të opozitës dhe përshkrimi i natyrshëm i punës së çdo opozite të një vendi demokratik është që t'ia shkurtoj sa më shumë jetën qeverisë, por edhe sepse me të vërtetë kjo ka qenë qeveria më e paaftë e historisë së demokracisë së Kosovës dhe meriton të ikë sa më shpejtë”.

11:59

Albin Kurti mbërrin në Kuvendin e Kosovës

Kur brenda ka filluar seanca për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, kryeministri Albin Kurti ka mbërritur në Kuvendin e Kosovës.

11:57

Selimi: Mund ta shtyni përpara marrëveshjen Thaçi-Vuçiq, por kurrë të na mposhtni

Rexhep Selimi nga Lëvizja Vetëvendosje, duke iu drejtuar LDK-së, PDK-së, AAK-së e Nismës, u ka thënë se kurrë Vetëvendosjen s’mund ta mposhtin.

“Ju mund edhe ta shtyni përpara një marrëveshje Thaçi-Vuçiq. Por kurrë s’mund të na mposhtini neve”, tha Selimi, tranmseton Koha.

Selimi tha se në kohën kur e gjithë bota po lufton ndaj pandemisë COVID-19, këto parti po luftojnë për pushtet.

11:56

Gashi fton deputetët të votojnë pro mocionit: Na duhet një Qeveri e re

Kryetari i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka arsyetuar shtrimin e mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, ku bën pjesë edhe partia e tij.

Pasi numëroi, sipas tij, dështimet e Qeverisë Kurti, Gashi ftoi deputetët të votojnë pro mocionit të mosbesimit.

“Në situatën që ndodhemi, ftoj deputetët që përmes votës së mosbesimit të rrëzojnë këtë Qeveri. Na duhet një Qeveri e re për kohë të pacaktuar që do të adresonte sfidat imediate”, ka thënë Gashi.

11:46

Nis seanca e Kuvendit të Kosovës, në sallë 106 deputetë

Me 106 deputetë në sallë, ka filluar seanca në Kuvendin e Kosovës me 1 minutë heshtje për vdekjen e Leze Qenës.

Në rend dite është vetëm votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Tashmë kanë nisur edhe debatet e deputetëve.

11:32

Deputetët po i zënë vendet, larg njëri-tjetrit

Deputetët kanë nisur të zënë vendet në sallën e Kuvendit, por seanca po vonon, ndonëse ishte thirrur për orën 11:00.

Nga pamjet direkte në TV shihet teksa administrata e Kuvendit po i akomodon deputetët duke respektuar rekomandimet e IKSHK-së për distancë fizike. Deputetët po shpërndahen në gjithë hapësirën dhe shumica tashmë kanë zënë vendet

Sot, do të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës, mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti, i iniciuar nga LDK-ja. Mjaftojnë 61 vota për të kaluar mocioni.

10:49

Pak para seancës, Kosnetti zhvilloi takim me Osmanin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka zhvilluar takim me kryeparlamentaren Vjosa Osmani.

KOHA ka mësuar se takimi ka ndodhur në zyrën e Osmanit.

Pak më herët, Kosnetti është parë duke u larguar nga ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Nuk dihet për çka kanë biseduar.

10:31

Pak para se të fillojë seanca, ambasadori Kosnett largohet nga Kuvendi

Pas pak kur pritet të fillojë seanca në Kuvendin e Kosovës, ku do të votohet mocioni i mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, ambasadori amerikan Philip Kosnett është parë duke u larguar nga aty, raporton Koha.

Dje, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett tha se është "i kënaqur" që Kuvendi i Kosovës do të mbajë të mërkurën seancë për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë.

“I kënaqur të shoh kuvendin që ka vendosur të mbajë seancë nesër lidhur me mocionin e mosbesimit. Siç i thash edhe sot kryeministrit (v.j. Albin Kurti), është e rëndësishme që kuvendi dhe të gjitha institucionet e Kosovës të respektojnë Kushtetutën”, ka shkruar Kosnett në llogarinë e tij në Twitter.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Gjevalin626/03/2020 12:35

Rrezimi i qeverise Kurti ashte grushte shteti i polotikes se vjeter e te korruptuar te kosoves dhe populli i Kosoves duhete te reagoje fiqishem.

Albion 25/03/2020 10:53

ku e gjeten qitash mu majt seanca ishalla PDK LDK AAK veq vetvendosjes si bjen

Shto koment

Të ngjashme