Departamenti amerikan i Shtetit: S’ka marrëveshje sekrete, dialogu të çojë në njohjen e ndërsjellë

Departamenti amerikan i Shtetit: S’ka marrëveshje sekrete, dialogu të çojë në njohjen e ndërsjellë

26 March 2020 22:17

Departamenti amerikan i Shtetit, përmes një njoftimi të nënshkruar nga përfaqësuesit kryesorë të saj për Kosovën ka theksuar se nuk ka ndonjë plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, duke i quajtur “spekulime” pretendimet e tilla.

Përmes një deklarate të përbashkët të të dërguarit të posaçëm të administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett dhe përfaqësuesit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ata kanë shprehur besimin për një energji të re në procesin e dialogut, e cila do të rezultojë me njohje të ndërsjellë.

Deklarata është lëshuar në formë njoftimi për shtyp nga Departamenti amerikan i Shtetit.

“SHBA-ja është pranë qytetarëve të Kosovës. Ne përgëzojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve shëndetësorë dhe tjerëve, të cilët janë duke bërë punë të madhe, me një rrezik të madh, për ta reduktuar përhapjen e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë paqartësish, u bëjmë thirrje liderëve të Kosovës që ta respektojnë Kushtetutën e Kosovës dhe sundimin e ligjit. Jemi të përkushtuar që të punojmë me secilën qeveri të krijuar përmes procesit kushtetues”, shkruan në njoftim.

Krahas kësaj, përmes njoftimit është përsëritur thirrja për heqjen e plotë të tarifave. “Besojmë se tarifat janë duke dëmtuar popullin e Kosovës, duke penguar bashkëpunimin rajonal kundër COVID-19 – përfshirë përmes zvarritjes së hyrjes në Kosovë të pajisjeve të domosdoshme– dhe duke e penguar zhvillimin ekonomik”.

“Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka plan sekret për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si kanë spekuluar disa. Përfaqësuesi i posaçëm, Richard Grenell nuk e ka parë dhe as që ka diskutuar ndonjë plan të tillë. Fokusi i Qeverisë së SHBA-së në përkrahjen e marrëveshjeve të kohëmëparshme për kthimin e lidhjeve ajrore, hekurudhore dhe rrugore synon ta përmirësojë gjendjen ekonomike dhe të krijojë momentum ekonomik. Besojmë se ky momentum do të japë energji të re për një proces dialogu që do të rezultojë me njohje të ndërsjellë”, shkruan në njoftim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

albani27/03/2020 13:10

S pari nuk eshte deklarate e Depertamentit te shtetit, por deklarat e Grenelit dhe Palmerit e publikuar ne faqet e depertamentit. poltikanet ne Kosove jane me se naiv, nuk eshte cdo gje e mire qe neshkruhet ne Shtepine e Bardhe per Kosoven.! edhe Dejtoni eshte nenshkrua ne SHtepine e bardhe, por Serbet e bosnjese edhe pse ne pakice ne Bosnje kane marre 49% te teritorit. Prandaj, eshte me se e sigurte se ne tavolinen e Grenelit dhe Palmerit jane hartat per ndarjen e veriut te Kosovese. Me keso projektese punojn Fuqite e medha. Fati i Kosovese eshte vendosur me pavarsine e saje dhe vendimin e GJND/se dhe reziztencen e armatosur te populit. Kosova eshte e pranuar nga mbi 1oo shtete te botese edhe nga Amerika ne kufijte ekzistuese.

Shto koment

Të ngjashme