21:55

Bislimi: Sistemi bankar nuk është në nivel të përgjegjësisë

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka folur edhe për sistemin bankar, për rolin e Bankës Qendrore të Kosovës dhe për ankesat e qytetarëve, që kanë të bëjnë me kreditë në këtë kohë pandemie.

Ai tha se BQK-ja vepron e pavarur, por ka parë një vullnet të drejtuesit e saj për masa më rigoroze në raport me bankat.

Në emisionin “Desku” në KTV ai ka vlerësuar se bankat kanë vepruar në kundërshtim me atë që ishin dakorduar përfaqësuesit e tyre me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk është koha që bankat të maksimizojnë përfitimet e tyre.

“Ka një dakordim nga takimi i Qeverisë me përfaqësuesit e sistemit bankar, por në terren po ndodh e kundërta e asaj.

Jemi dakorduar që bankat t’i shtyjnë pagesat e atyre bizneseve dhe individëve që janë në vështirësi pa aplikuar asnjë kosto. Ajo që ka ndodhur në terren ka qenë e kundërta, e kanë shfrytëzuar bankat me i rrit profitet e tyre. Të gjitha kanë seksionet për komponente sociale, po kanë dështuar duke i aplikuar disa praktika jo fort legale. Banka Qendrore nuk iu ka dhënë diskrecion bankave”, ka shpjeguar ai.

Ai ka thënë se ka nevojë për ndërhyrje me agresive nga BQK-ja.

“Guvernatori është njëfarë këshilltari i ministrit të Financave, e kam takuar. Ai ka me dalë me masa më restriktive për sistemin bankar, sistemi bankar nuk është në nivel të përgjegjësisë në këtë moment. Unë kam qenë shumë optimist në takimin që kemi pasur me të gjithë përfaqësuesit e bankave. Kam besuar se do të na ndihmojnë në këtë fazë. Pasi duke i ndihmu shëndetit të ekonomisë, ata i ruajnë klientët e vet. BQK-ja është e pavarur, ka vepruar në mirëbesim se bankat do të sillen ndryshe, se nuk do të përpiqen në këtë fazë me maksimizu profitin”, ka thënë Bislimi.

21:30

Bislimi: Opozita i ka dhënë vetes lirinë me marr rolin e Qeverisë

në detyrë i Financave, Besnik Bislimi, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se opozita i ka dhënë vetes lirinë me e marrë rolin e Qeverisë.

Ai ka pasur kritika ndaj Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza.

“Opozita nuk ka kërkesa. Opozita i ka dhënë vetes lirinë me marr rolin e Qeverisë, ne bëjmë pako, ne ekzekutojmë pako. Nuk e kuptoj se si bie në këtë grackë z. Bedri Hamza, i cili ka qenë ministër i Financave, ka qenë Guvernator, i dinë rregullat në fuqi, i dinë kompetencat e veta si shef i opozitës. Nuk kanë votuar qytetarët më gjashtë tetor që pakot fiskale me i ndërtuar parlamenti, as partia e tretë që ka dalë, por Qeveria. Këtë e dinë z. Hamza. Ata munden ta diskutojnë se çfarë kish qenë më mirë, mirëpo pakot i ndërton Qeveria. Kompetencat janë të qarta, vetëm ministri i Financave ka të drejtë me negociuar marrëveshje financiare, vetëm ai e ka për obligim me ruajte stabilitetin makro-ekonomik të vendit”, ka thënë Bislimi.

Ai thekson se nuk mundet legjislativi të bëhet ekzekutiv.

Tutje ai ka komentuar edhe pakot e propozuara së fundmi nga PDK-ja dhe AAK-ja.

“Propozimet që më kanë ardhur i kam marrë parasysh kur e kam dizajnuar pakon. Ato më kanë ardhur nga çdokush që ka pasur interesim, çoftë sindikatat e punëtorëve, e çdo përfaqësues të bizneseve”, ka thënë Bislimi.

Bislimi thotë se kërkesës së Qeverisë për konsensus opozita i është përgjigjur me mocion mosbesimi.

“Konsensusi arrihet për t’u ballafaquar me krizën. Kërkesës tonë për konsensus opozita i është përgjigjur me mocion mosbesimi, kjo ka qenë përgjigja e tyre ndaj nevojës për konsensus. Ne jemi duke luftuar për jetë njerëzish, opozita thotë po të pengoj me shpresën se mos po bëjnë një poen politik. Është kurth i keq”, ka thënë ai.

Ai thotë se gjatë dizajnimit të pakos ka marrë parasysh të gjitha kërkesat, duke arritur bilancin më të mirë të mundshëm.

“Gjatë dizajnimit të pakos unë jam i obliguar me i marrë në konsideratë kërkesat e komunitetit të biznesit që vijnë përmes odave ekonomike dhe kërkesat e punëtorëve që vijnë përmes Sindikatave. Nuk jam i obliguar që t’i zbatoj të gjitha për arsye se janë konflikte interesi. Duhet të gjendet balanci, e duke e bërë këtë kam ardhur te maksimumi i mundësive të Qeverisë”, ka thënë Bislimi.

Ai thotë se pako e dizajnuar është me kualitetin më të lartë në rajon, dhe këtë është i gatshëm t’ua shpjegojë deputetëve.

“Mos me e mbështet këtë pako, vetëm me thënë, jo jep më shumë, nëse ata kanë mjete që i kanë përdorur përpara le të mi sjellin unë i shpërndaj. Mirëpo, mos të bëjmë nder me mjete të buxhetit sepse nuk jemi në kohë fushate. Nuk e kam detyrën për të maksimizuar votën, e kam detyrën për të ruajtur buxhetin e Kosovës. Nuk guxoj të rrezikoj, nëse rrezikohet stabiliteti makro-ekonomik nuk më rrezikohet vendi im i punës, rrezikohet ekonomia e vendit. Stabiliteti makro-ekonomik nuk është në shërbim të Qeverisë, është në shërbim të ekonomisë”, ka thënë Bislimi.

Ai ka lutur deputetët që të mos rrezikojnë që kjo pako të mos implementohet, pasi pësojnë shumë qytetarë,

“Unë e kam për detyrë me i bindë, ose me provu me shpjegu se pse kjo pako është më e mira, pse kjo ndihmon qytetarin, e stabilitetin ekonomik pa e rrezikuar stabilitetin makro-ekonomik. Nuk kam mekanizma me ia imponuar askujt votën. I lus të gjithë mos me e rrezikuar implementimin e pakos. Qeveria merr masa për katër vite. Kam një besim të madh se në ditën e seancën të gjithë jemi në nivel të detyrës në ditën e seancës, dhe nuk do të rrezikojmë që përfituesit e skemave të jenë peng”, ka thënë Bislimi.

Bislimi ka shtuar se Kryesia e Kuvendit vendos të premten për datën e seancës.

Ai thekson se është i gatshëm të takohet me secilin prej opozitës për t’iu dhënë sqarime rreth kësaj pakoje.

21:14

Bislimi për kreditë dhe grantet: Kemi bërë më shumë se maksimumi

Bisnik Bislimi, ministër në detyrë i Financave dhe Transfereve, ka shpjeguar masat që ka marrë Qeveria dhe ai për të siguruar stabilitet ekonomik.

Në emisionin “Desku” në KTV, ai ka treguar edhe për kreditë që Kosova ka aplikuar apo edhe që i janë aprovuar tashmë. Ka thënë se është bërë më shumë se maksimumi, jo vetëm për Pakon emergjente, por edhe për atë rigjeneruese që pritet të aprovohet në të ardhmen e afërt, pasi të kalojë pandemia e koronavirusit.

Po ashtu ka thënë se Qeveria në detyrë ka vendosur të rrisë huamarrjen vendore për 50 milionë euro për financim shtesë, që të sigurojë stabilitetin e Trustit Pensional në këtë kohë.

“Nga pjesa tjetër, nga kreditë dhe donacionet ne jemi në bashkëbisedim me Fondin Monetar Ndërkombëtar për kredinë që kemi kërkuar. Kjo kredi na shërben si urë për me kalu në financim te Bashkimi Evropian. Nga BE-ja kemi disa kanale të financimit, disa janë IPA grante, disa për intervenim makro-financiar nga të cilët mund të përfitojmë deri në 100 milionë euro. Kjo është shuma më e madhe që ka financuar ndonjëherë BE-ja një qeveri”, ka thënë Bislimi.

Ai ka treguar se 38 milionë euro do të jenë për sektorin privat dhe skemat sociale.

“Nëse ka një element që është mbështetur nga të gjithë të huajt, është adresimi i punëtorëve, qirave dhe skemave sociale. Ka ndihma direkte që i vijnë buxhetit si rezultat i progresit në reforma, janë diku 11 milionë euro. Pastaj është Banka Botërore me një financim deri në 69 milionë dollarë. Janë kredi, edhe ajo e BE-së prej 100 milionë eurove, që jepet me kushte të njëjta, të cilat qeveritë e shteteve të BE-së huazojnë në tregjet bankare evropiane, ato që kanë nivelin më të lartë të kredibilitetit – 3A, që i bie me interes gati zero”, ka shpjeguar Bislimi në emisionin “Desku”.

Ai ka treguar se ka edhe kredi tjera nga të cilat pritet të përfitojë ekonomia e vendit, si ajo e Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës prej 35 milionë eurosh, pastaj ajo e Bankës Botërore prej 25 milionësh që shkon për fondin për garantimin e kredive.

“Kemi bërë më shumë se maksimumi me u siguru që do të ketë financim të vazhdueshëm, jo vetëm për pakon fillestare, por edhe për pakon tjetër të rigjenerimit. Ne kemi hapur një fond ku do të derdhen të gjitha mjetet, grantet, kreditë dhe donacionet në mënyrë që qytetarët të dinë origjinën, strukturën dhe projektet për të cilat ato përdoren”, ka shtuar Besnik Bislimi.

20:43

Bislimi: Nuk është garë elektorale që të rrezikojmë stabilitetin, e kam obligim të siguroj stabilitet makro-ekonomik

Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, ka thënë në emisionin “Desku” në KTV, se obligim i tij është të sigurojë stabilitet makro-ekonomik në vend dhe se Pakoja emergjente e Qeverisë prej 179.6 milionë eurosh shkon gati tërësisht për sektorin privat.

Bislimi ka thënë se janë marrë të gjitha masat për të kaluar më lehtë këtë krizë që po e shkakton koronavirusi, porse edhe aftësitë e Kosovës janë të kufizuara. Faj u ka lënë edhe qeverive të kaluara, që sipas tij kanë lënë borxhe e obligime, që bashkërisht shkojnë në 800 milionë euro.

“Masat që janë marrë janë për të ruajtur shëndetin e qytetarëve. Me automatizëm e kemi ditur se do te ketë rënie të aktivitetit ekonomik. Dëmi ekonomik me atë shëndetësor mund të jetë 1 me 10”, ka thënë Bislimi për të shpjeguar më pas pikat një nga një se çfarë përfitojnë qytetarët e çfarë bizneset nga Pakoja emergjente.

E mira sipas tij, është se këto rëniet e shpejta, të quajtura me gjuhën ekonomike “V”, karakterizohen edhe me ngritje të shpejta të ekonomisë.

“Brenda 12 muajve ekonomia mund të kthehet dhe të stabilizohet”, ka thënë ai.

Ministri në detyrë ka shpjeguar edhe katër pikat e Pakos përmes të cilave përfiton pjesa më e rrezikuar e vendit.

“Janë katër pika ku grupet më të rrezikuara mund të përfitojnë. Pika 1.1 ka të bëjë me skemat sociale. Përfitojnë 98 mijë qytetarë. U kemi dyfishuar pagesat mujore për tre muajt e ardhshëm. Në qershor nëse situata stabilizohet, prapë do të jetë rritje të pagesave mujore për 20-25 për qind, pasi vlerësojmë se janë tejet të vogla”, tha Bislimi.

Pika tjetër e ndihmës për më të prekurit ka të bëjë me skemat pensionale.

“Pika 1.2 ka të bëjë me skemat pensionale, pensioni mujor i atyre që është më pak se 100 euro në muaj. Kemi paraparë pagesë shtesë mujore prej për 30 eurosh për tre muaj, Janë ndarë 13 milionë euro për këtë dhe nga kjo skemë përfitojnë 165 mijë persona. Pastaj është pika 1.9 që ka të bëjë me grupet e margjinalizuara, si komunitetet rome, egjiptiane e ashkali. Do t’u ndihmojmë me pako ushqimore dhe të tjera, por mund të ketë edhe grupe të tjera që kanë nevojë, si komuniteti boshnjak në veri të Kosovës për shembull”.

Pika e katërt që ka të bëjë me ndihmë direkte për qytetarët është për ata që punojnë herë pas here.

“Në pikën 1.15 jemi munduar të përfshijmë punëtorët që punojnë në mënyrë sporadike dhe tash për shkak të situatës në të cilën që ndodhemi nuk mund të punojnë. Përfitojnë 130 euro në muaj. Nëse pas 3 muajve s’kanë të ardhura tjera, kalojnë në pikën 1.1 të skemës sociale”. Ka shtuar Bislimi në “Desku”.

Ai ka thënë se këtë krizë ka pak përfitues, e shumë humbës, por kjo është aftësia e Kosovës.

“Ne i kemi ndihmuar sektorit privat për shkak të rënies se aktivitetit. Sektori privat ka pengesa në mbulimin e pagave, për këtë kemi siguruar pagën minimale për punëtorët, pastaj pagesën e 50 për qind të qirave të bizneseve, obligimet tatimore i kemi shtyrë deri në muajin shtator. E kam obligim me siguri stabilitet makro-ekonomik”, ka thënë ai.

Bislimi ka folur edhe për premtimet e presionet nga partitë opozitare, që kërkojnë shumë më shumë para për qytetarët e bizneset. Por sipas tij, duhet të ruhet stabiliteti i vendit, e jo të kalohet me luks e më vonë të shfaqen problemet.

“Nuk është garë elektorale që të rrezikojmë stabilitetin afatgjatë. Të gjithë i kanë të qarta kufizimet e Kosovës.

Për shkak të papërgjegjësisë totale, Qeverisë e kaluar na ka lënë obligime, si kontrata të firmosura në vlerë 500 milionë euro dhe borxhe rreth 300 milionë euro”, ka shtuar Bislimi.