15:36

Osmani: Kushtetuta e Kosovës rrumbullakësim i përpjekjeve për shtetin

Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani ka pritur të enjten në takim ambasadorin italian në Kosovë, Nicola Orlando.

Gjatë takimit, kryekuvendarja Osmani ia ka prezantuar ambasadorit Orlando kopjen origjinale të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe e ka njoftuar atë me procesin e hartimit të aktit më të lartë juridik shtetëror, bëhet e ditur në njoftimin e Zyres së Kryetares së Kuvendit.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës është jo vetëm akti më i lartë juridik i shtetit. Ajo njëkohësisht ngërthen përpjekjet e popullit të Kosovës për krijimin e shtetit”, është shprehur Osmani.

Ndërkaq ambasadori Orlando ka përgëzuar kryetaren Osmani për Ditën e Kushtetutës.

Me ambasadorin Orlando, zonja Osmani diskutoi edhe për masat që po ndërmerren nga institucionet kosovare në përballje me pandeminë globale Covid-19 si dhe përgjegjësitë e Kuvendi të Kosovës për menaxhimin e kësaj situatë, mbështetur në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

14:48

Haxhiu: Nenet më të mira të Kushtetutës kanë mbetur të pazbatuara në plotni

Ministrja në detyrë e Ministrisë së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, thotë se sot, 12 vjetori i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e gjen Kosovën në një situatë të rëndë për shkak të ballafaqimit me pandeminë COVID – 19.

“Megjithatë, nuk kam, se si të mos i kujtoj disa nga nenet e Kushtetutës tonë e të cilat edhe përkundër faktit që kanë kaluar 12 vite, nuk gjejnë zbatim. Këto nene kanë të bëjnë pikërisht me vlerat mbi të cilat ndërtohet rendi kushtetues. Barazia, sundimi i ligjit, mosdiskriminimi, barazia gjinore e shumë parime të tjera, e për jetësimin e të cilave nevojitet shumë përkushtim dhe shumë punë. Nenet më të mira në Kushtetutën tonë, kanë mbetur të pazbatuara në plotninë e tyre. Kushtetuta nuk është formalitet në letër, ajo rregullon përmbajtësisht jetën e shoqërisë dhe shtetit”, shkruan Haxhiu në Facebook.

Sipas Haxhiut, edhe përkundër dispozitave kushtetuese në Kosovë nuk është mbërritur deri tek barazia para ligjit.

“Në vendin tonë ka ende shumë nevojë për ta parandaluar diskriminim në bazë të gjinisë e gjendjes ekonomike. Ligji në shumicën e rasteve ka gjetur zbatim vetëm për të dobëtit teksa janë mirëmbajtur pabarazitë ekonomike. Edhe përkundër garancës kushtetuese, qytetarët presin efikasitet nga institucioneve tona të drejtësisë dhe gjykimin të drejtë e në kohë të arsyeshme. Këtë duhet ta bëjmë së bashku”, shkruan tutje Haxhiu.

“Edhe përkundër vlerave e dispozitave afirmuese për vajzat dhe gratë në raport me përfaqësimin dhe përfshirjen, gjendja e vajzave dhe grave në Kosovë është e rëndë, ka diskriminime të thella e shtypje. Duhet ta themi me zë të lartë ashtu që çdo ditë ta kemi në prioritet si shoqëri e si institucione. Edhe përkundër garancive për të drejtat e fëmijës, sot ka numër jo të vogël të fëmijëve në vendin tonë që janë të ekspozuar ndaj dhunës psiqike e fizike”, thotë Haxhiu.

Sipas ministres në detyrë, Qeveria ka ndryshuar dhe me punën e tyre e angazhimin maksimal duhet të ndryshojë edhe gjendja në Republikën e Kosovës, dhe siç thotë ajo, “duhet ta ndryshojmë për mirë cilësinë e jetës së qytetarëve përmes zhvillimit ekonomik e sundimit të ligjit”.

“Ata duhet të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme. Duhet punë e angazhim për ta bërë Kosovën vend ku respektohen vlerat e përbrendësuara në Kushtetutën tonë. Por edhe detyra jonë është që të krijojmë kushtet që brezat e ardhshëm të mbërrijnë në një kushtetutë edhe më të plotësuar edhe më të përshtatur në përputhje me të drejtat e tyre politike e universale”, përfundon Haxhiu.

13:27

Mustafa: Kushtetuta i dha jetë pavarësisë së Kosovës

Me rastin e 12 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka uruar qytetarët e Kosovës.

“Sot, bëhen 12 vite nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Kjo ditë shënon një ndër momentet më të rëndësishme të shtetit demokratik të Kosovës. Kushtetuta është akti më i lartë juridik që vuri themelet e ndërtimit, funksionimit dhe organizimit të shtetit modern të Kosovës, ku përcaktohen dhe mbrohen vlerat themelore të vendit”, ka shkruar në telegramin e urimit Mustafa.

Mustafa aty thekson se Kushtetuta e Republikës së Kosovës, është çelësi themelor dhe garancë mbi të cilin mbështetet funksionimi i institucioneve vitale.

“Kushtetuta është akti më i lartë politik dhe juridik i vendit tonë, garantues i të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve. Më 9 Prill 2008, Kosova u radhit si shumë shtete të zhvilluara që ta bëj respektimin e të drejtave të njeriut, garantimin e paqes dhe demokracisë si vlera themelore të njerëzimit. Ky dokument i dha jetë pavarësisë së Kosovës”, shkruan Mustafa.

Tutje Mustafa thotë se Kushtetuta e Republikës së Kosovës është akti më sublim, i cili ngërthen tërë sakrificën dhe angazhimin e gjeneratave të tëra që punuan dhe u flijuan.

“Shteti i së drejtës duhet të jetë mision për të gjithë ne, dhe realizimin e këtij definicioni duhet ta mundësojmë të gjithë bashkërisht që të kemi një shtet demokatik dhe të përparuar. Institucionet tona duhet çdo ditë të punojnë konfrom neneve të kësaj kushtetute në mënyrë që ta kemi një shtet modern, model të cilin e kemi synuar”, përfundon Mustafa.

Urime Dita e Kushtetutës të Republikës së Kosovës”.

13:18

Kurti: Kushtetuta është themel i Republikës vetëm kur Republika është thelb i Kushtetutës

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha Kushtetuta e Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë.

Kurti, thotë se sot do të respektohet edhe aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë.

“Kushtetuta e shtetit i paraprinë pushtetit, ajo është si dyshemeja ashtu edhe tavani i qeverisjes demokratike dhe i funksionimit e i rregullimit institucional, por Kushtetuta e Republikës së Kosovës lë aq shumë për të dëshiruar, që nga mënyra e hartimit e deri te mangësitë dhe pabarazitë”, shkruan Kurti në Facebook.

Sipas Kurtit, Kushtetuta është themel i Republikës vetëm atëherë kur Republika është thelb i Kushtetutës.

“Megjithëkëtë, kushtetutshmëria është vlerë që duhet respektuar përditë përveçse tekst betimi që shqiptohet një herë. Andaj sot me 9 prill shënojmë ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përvjetorin e saj të dymbëdhjetë. Andaj do ta respektojmë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pas 13 prillit masat e ndërmarra kundër shpërndarjes pandemike të COVID-19 të mos bien në kundërshtim me ngrehinën aktuale juridiko-kushtetuese të Republikës sonë. Natyrisht, gjithmonë duke përmbushur obligimin tonë për mbrojtur deri në maksimum jetën dhe shëndetin e qytetarëve tanë, si dhe mirëqenien ekonomike të bizneseve dhe punëtorëve të vendit”, shkruan Kurti.

11:40

Zyrtarë të Ambasadës amerikane Kushtetutën e Kosovës e konsiderojnë nga më modernet në Evropë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka uruar qytetarët dhe institucionet e Kosovës për ditën e Kushtetutës.

Kjo ambasadë ka theksuar se amerikanët e shohin Kushtetutën e tyre si themelin e demokracisë.

Tre anëtarë të komunitetit të Ambasadës së SHBA-së që ndjekin nga afër dhe punojnë në çështje kushtetuese, kanë dhënë mendimet e tyre mbi Kushtetutën e Kosovës.

“Kushtetuta e Kosovës është një nga dokumentet themelore më përparimtare dhe moderne të Europës. Ajo mbron të drejtat e qytetarëve të saj, duke iu siguruar gjithashtu atyre të drejtën që të kërkojnë më shumë nga udhëheqësit e tyre”.

– Alison Storsve – Drejtuese e Grupit Punues për Sundimin e Ligjit

“Kosova ka një Kushtetutë të jashtëzakonshme – kjo sepse ajo ndan parimet thelbësore me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”.

-Jessica Long – Këshilltare Politike dhe Ekonomike

“Ju mund të mos mendoni për kushtetutën çdo ditë, por secili ligj rrjedh prej saj. Kosova duhet të ketë institucione të afta, pa ndikim politik, për të siguruar drejtësi për të gjithë qytetarët”.

– Christina Davis – Drejtoreshë në zyrën e Demokracisë dhe Qeverisjes, USAID

11:06

Veseli: Kushtetuta e Kosovës ndër më modernet

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, sot në Ditën e Kushtetutës, thotë se miratimi i Kushtetutës së Kosovës 22 vjet më parë, shënoi një moment të rëndësishëm historik për konsolidimin e shtetësisë sonë si dhe për të ardhmen e popullit tonë.

“Ne krenohemi që kemi një ndër kushtetutat më moderne, e cila ka mishëruar praktikat më të avancuara dhe standardet më të larta në Evropë. Ky dokument themeltar i shtetit tonë, bazohet tek parimi i konstitucionalizmit, një ide evropiane që zanafillën e ka në epokën e iluministëve, të cilët nëpërmjet këtij parimi u përpoqën dhe ia dolën me sukses të kufizonin absolutizmin monarkik”, shkruan Veseli në Facebook.

Thotë se “në thelb të konstitucionalizmit qëndron kontrolli dhe kufizimi i pushtetit, përcaktimi i ndarjes së pushteteve si dhe mbrojtja e të drejtave themelore të njeriut”.

“Prandaj duhet kujtuar ky fakt, sot e në të ardhmen, ndaj kujtdo që manifeston tendenca despotike e autokratike që synojnë ta shkelin sundimin e ligjit në Kosovë. Urime të gjithëve për 9 prillin, Ditën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës!”, përfundon Veseli.

09:39

Thaçi e Haradinaj kërkojnë respektim të Kushtetutës së Kosovës

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, uroi qytetarët për Ditën e Kushtetutës duke thënë se pas shpalljes së pavarësisë, aprovimi i aktit më të lartë juridik ishte një tjetër e arritur e shtetit të Kosovës.

Thaçi shkroi se të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri.

“Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, aprovimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës më 9 prill 2008, si akti më i lartë juridik, ishte e arritur tjetër për shtetin tonë, krahas njohjeve ndërkombëtare që erdhën nga demokracitë më të zhvilluara të botës. Kushtetuta e Kosovës, që shpreh më së miri qenësinë e shtetit dhe shoqërisë sonë, është dokumenti më prestigjioz i ruajtjes dhe mbrojtjes së integritetit të qytetarëve tanë, të institucioneve tona, prandaj të gjithë e kemi për obligim moral dhe ligjor ta respektojmë me përpikëri. Gjithë qytetarëve të Kosovës u shpreh urimet më të mira në Ditën e Kushtetutës”, shkroi Thaçi në Facebook.

Edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se më 9 prill të vitit 2008, Kosova vendosi themelet e saj të konsolidimit si shtet, duke e funksionalizuar aktin më të lartë juridik Kushtetutën e saj.

“Duke uruar të gjithë qytetarët dhe institucionet e vendit, kujtojmë sakrificat e popullit të Kosovës ndër dekada për të pasur dokumentin më kulmor të lirisë, shtetësisë, demokracisë dhe integritetit territorial. Ky bazament ligjor ka garantuar lirinë tonë dhe funksionimin e demokracisë, andaj mbështetja në normat e saj është siguria më e madhe për të gjithë ne”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

07:58

Dita e Kushtetutës së Kosovës

Sot bëhen 12 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor 2008.

Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.

Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë - neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.

9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot do e kanë ditë pushimi.