19:22

Gashi mohon të jenë koordinuar me PDK-në për mbledhjen e sotme të Kryesisë së Kuvendit

Të martën deputetët do të kthehen në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Këtë herë në seancë të jashtëzakonshme, pas kërkesës së Partisë Demokratike të Kosovës.

Aty do të shqyrtohen propozimet për masat ekonomike e financiare që duhet të ndërmerren në përballje me koronavirusin, raporton KOHA.

Memli Krasniqi nga PDK-ja ka shtuar se kanë filluar edhe nisma të tjera ligjore për caktimin e masave për mbrojtje nga COVID-19.

Sa i përket plotësim-ndryshimit të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, një kërkesë të tillë e kishte bërë edhe Qeveria e Kosovës, ku kishte kërkuar edhe seancë.

Mirëpo kjo pikë nuk është shqyrtuar këtë të premte.

Sipas Arbërie Nagavcit, një gjë e tillë nuk e lejuan LDK e PDK.

Lidhur me këtë, shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes telefonit ka thënë që një vendim të tillë e ka marrë Kryesia e nuk ka bashkëpunim në mes të LDK-së e PDK-së.

Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së premtes ka ngarkuar edhe Komisionin për Legjislacion që të dalë me arsyetime ligjore se çfarë masash duhet të merren pasi të hyjë në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Raporti: Leonita Bajrami - KOHA

14:29

Nagavci: Në mbledhjen e Kryesisë kishte koordinim nga LDK-PDK që të mos shqyrtohen propozimet e Qeverisë

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci, ka thënë se gjatë mbledhjes së Kryesisë kishte një koordinim mes PDK-së dhe LDK-së që të mos shqyrtohen asnjë nga propozimet e Qeverisë së Kosovës.

Ajo ka thënë se në mbledhje u diskutua vetëm për pikat që i kishte propozuar Partia Demokratike dhe mbështetjen e kishte nga partitë opozitare, raporton KOHA.

14:16

Krasniqi: Vendimet që prekin financat duhet të kalojnë përmes Kuvendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se të gjitha vendimet që prekin financat e vendit duhet të kalojnë përmes Kuvendit.

Ai ka thënë se kanë kërkuar që të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit për menaxhimin e financave publike.

"Ne si Parti Demokratike mendojmë që të gjitha vendimet edhe ato që prekin financat e vendit duhet të kalojnë përmes Kuvendit, ne kemi kërkuar që të bëhet edhe plotësim ndryshimi i ligjit për menaxhimin e financave publike dhe kemi angazhuar komisionin për legjislacion të gjejë se ligjërisht çfarë masash mund të merren sa i përket kufizimit të lëvizjes" ka thënë Krasniqi, raporton KOHA.

Ai tutje ka shtuar se Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka marrë vendim që të martën në orën 11:00 të mbahet seancë e jashtëzakonshme për pakon emergjente.

I pyetur për propozimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për delegacionin për dialogun Kosovë-Serbi, Krasnqi e cilësoi atë si joserioz.

13:50

Kuvendi mblidhet të martën në 11:00 për seancë të jashtëzakonshme

​Kuvendi i Kosovës do të mblidhet të martën në orën 11:00 për seancën e jashtëzakonshme rreth propozimit të PDK-së për pakon emergjente 320-milionë euroshë për t’u përballur me pandeminë COVID-19, është bërë e ditur nga burime brenda Kuvendit.

Këto burime i kanë thënë KOHËS se mbledhja e kryesisë po vazhdon, por se është arritur pajtim për mbajtjen e seancës të martën.

PDK-ja ka propozuar miratimin e një pako emergjente financiare prej 320 milionë euro për të ndihmuar punëtorët e sektorit privat, bizneset dhe gjitha kategoritë shoqërore që po ballafaqohen me pandeminë e koronavirusit.

Përveç kësaj pike, kryesia e Kuvendit ka në rend dite është edhe ndërmarrjen e veprimeve sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për kufizimin e lëvizjes.

Mbledhja e kryesisë është duke u mbajtur pa praninë e medieve.