2 perditesime
17:01

Osmani së shpejti takon shefat e grupeve parlamentare për procedimin e tri nismave ligjore rreth Covid-19

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, së bashku me kryetarë të grupeve parlamentare, zhvilloi sot mbledhjen e radhës, të drejtuar nga kryeparlamentarja, Vjosa Osmani.

Përmes një komunikate bëhet e ditur se pikë e rendit të ditës e kësaj mbledhjeje ishte procedimi për mendim në Qeveri i nismave ligjore: Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, të iniciuar nga kryetarja e Kuvendit, dr.Vjosa Osmani dhe mbështetur nga pesë deputetë, si dhe Projektligjit për masat e përkohshme për ta lehtësuar efektin e Pandemisë “COVID 19” dhe Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i plotësuar dhe i ndryshuar me Ligjin nr. 03/L-221, me Ligjin nr. 04/L-116, me Ligjin 04/L-194, me Ligjin 05/L-063, dhe me Ligjin 05/L-007, të iniciuar nga GP i PDK-së.

“Në mbledhje u zhvilluan diskutime të gjera lidhur me raportin midis Qeverisë dhe Kuvendit, në rrethana pas votimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, e rrjedhimisht edhe për dërgimin e iniciativave ligjore për mendim në Qeveri nga ana e Kuvendit dhe marrjen e përgjigjes nga ana e saj”, thuhet në komunikatë.

Kryetarja e Kuvendit, Osmani, theksoi se Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese e potencon rolin themelor të Kuvendit që të rregullojë me ligj të veçantë kufizimin e të drejtave e të lirive të njeriut në kohë pandemie. Prandaj, sipas saj, Kuvendi duhet ta ndërmarrë një hap të tillë sepse është në interes të shëndetit publik.

Ajo ka theksuar se pavarësisht mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Kosovës, Kuvendi është funksional, ndaj duhet ta ushtrojë kompetencën thelbësore të tij, që është ligjbërja.

Në fund të mbledhjes, anëtarët e kryesisë dhe kryetarët e grupeve që ishin të pranishëm u dakorduan që Kryetarja e Kuvendit së shpejti t`i takojë shefat e grupeve parlamentare që të tentojë sërish të harmonizojë qëndrimet në lidhje me arritjen e konsensusit për procedimin e mëtejmë të tri nismave legjislative.

16:13

Selimi: LDK-ja nuk është e interesuar ta luftojë pandeminë, por Qeverinë

Shefi i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, ka kritikuar qasjen e LDK-së që pati në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit, ku po diskutoheshin tri projektligje që lidhen me luftën ndaj pandemisë.

LDK-ja lëshoi mbledhjen, raporton KOHA.

“Kemi konstatuar dhe prapë po vazhdojmë të ritheksojmë që proceduralisht janë plotësuar kushtet që të procedohen këto projektligje. Nuk është kryesia e Kuvendit ku ne duhet të diskutojmë për materien e këtyre projektligjeve. Nënkryetari i LDK-së dhe shefi i Grupit parlamentar lëshuan mbledhjen, duke krijuar një atmosferë jobashkëpunuese. Të tri projektligjet kanë të bëjnë me gjendjen e përballjes me pandeminë”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, LDK-ja nuk është e shqetësuar për qytetarët, por për të marrë drejtimin e Qeverisë.

“Duket që LDK-ja nuk është e shqetësuar as për qytetarët e as për luftën ndaj koronavirusit, por për luftën kundër Qeverisë. E përqendruar në këtë luftë jo vetëm për qeverisjen e saj, por edhe për ndihmën që me ia dhënë qytetarëve. LDK-ja e ka në mendje një bashkëpunim me Thaçin për të ndërtuar në mënyrë kundërkushtetuese koalicione që i ka proklamuar kohëve të fundit. Qeveria duhet të ndihmohet”, ka thënë Selimi.

15:49

PDK-ja e LDK-ja kundërshtojnë nismat ligjore në Kryesi, Shala lëshon mbledhjen

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku janë duke u shqyrtuar tri nisma legjislative, pati kundërshtime.

Njëra e filluar nga Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani për shqyrtimit për projektligjin për parandalimin dhe luftimin e Covid-19 dhe dy të tjera nga Partia Demokratike e Kosovës për plotësim/ndryshimin e ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe për shqyrtimin e masave shtesë për mbrojtje nga koronavirusi.

Por KOHA nga burime të saj ka mësuar se deputeti i LDK-së Kujtim Shala, ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë, pas disa mospajtimeve për këtë nismë ligjore.

PDK-ja ka qenë kundërshtare që kjo nismë të dërgohet në Qeveri.

KOHA ka provuar të kontaktojë Kujtim Shalën për të mësuar më shumë detaje porse ai s’ka qenë i qasshëm.