Projektligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, nismë kjo e kryeparlamentares Vjosa Osmani, ka mbetur peng i vullnetit politik.
Kabineti kryetares së Kuvendit thotë se ky projektligj buron nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se kufizimi i të drejtave kushtetuese mund të bëhet me ligj nga Kuvendi, raporton KOHA.
Në këtë përgjigje thuhet se projektligji është i bazuar në nenin 65 pika 1 të Kushtetutës së Kosovës, e cila ua lejon deputetëve inicimin e nismave legjislative.
Për të proceduar me këtë projektligj, sipas Rregullores së Kuvendit të Kosovës, ai i dërgohet Qeverisë për mendim, por kabineti i kryeparlamentares thotë se kjo nuk paraqet problem juridik.
Në Projektligjin për luftimin e pandemisë COVID-19, thuhet se ky ligj do të ishte i aplikueshëm për kufizimin e të drejtave kushtetuese vetëm përgjatë kohës së përballjes me pandeminë.
Nënkryetarja e Kuvendit nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, thotë se procedimi i projektligjit po pengohet qëllimshëm nga LDK-ja dhe partitë e tjera.
Monitoruesi i punës së Kuvendit, Albert Krasniqi, vlerëson se ky projektligj ka bazë juridike.
Sipas tij, opsion për miratimin e tij është konsensusi politik i partive për ta shmangur Rregulloren e Kuvendit.
Për të martën është paralajmëruar takimi i kryeparlamentares me shefat e grupeve parlamentare, me qëllim, siç është thënë, për të gjetur konsensus politik për nismën ligjore të saj.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.