3 perditesime
12:17

Osmani: Krimet e Serbisë janë të njohura nga bota, ndihma nuk e shlyen të kaluarën

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë pjesë në cilësinë e kryetares së Kuvendit.

Ajo thotë se në takim kanë folur për masat e Qeverisë për tejkalimin e situatës me pandeminë.

“Sot jam ftuar në takimin e organizuar nga Qeveria për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe partiak që ka të bëjë me menaxhimin e pandemisë. Kam marrë pjesë si kryetare e Kuvendit, aty kemi dëgjuar për masat e marra deri më tani, po ashtu i kam informuar të pranishmit për përpjekjet e Kuvendit që kemi bërë në këtë drejtim. Aty janë nismat legjislative, pastaj kemi pasur kontakte me disa komuna dhe ministritë, kërkesat që kanë ardhur nga disa komuna”, ka thënë ajo.

Osmani duke folur për ndihmën e Serbisë ajo ka thënë se kanë kërkuar nga Vitia informata se si qëndron situata me teste.

Sipas saj, nga Vitia është informuar se Qeveria ka porositur mbi 13 mijë teste që pritet të vijnë.

“Nuk do të dua që sot të flas për çështje politike kur qëllimi i vetëm i pjesëmarrjes në takim është bashkëpunimi institucional për kalimin e pandemisë”, ka thënë ajo.

Sipas saj, krimet e kryera nga Serbia janë të njohura nga gjithë bota dhe ndihma e dërguar nuk e shlyen të kaluarën.

“Unë besoj që jo vetëm ne në Kosovë por e gjitha bota e ka të qartë se cilat janë krimet që ka kryer Serbia në Kosovë dhe Serbia tani në këtë kohë të pandemisë edhe mund të ketë dërguar ndihma por kjo nuk e shlyen të kaluarën e afërt”, ka thënë ajo.

11:52

Krasniqi: Kurtit i doli situata nga kontrolli prandaj na thirri

Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur pas mbledhjes së thirrur nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, për t’u koordinuar lidhur me hapat e mëtejmë rreth situatës me koronavirus.

Ai ka thënë se deri tash ka pasur sjellje arrogante nga Kurti, duke theksuar se në mbledhje ka shkuar për t’ia përsëritur se sipas tij, janë bërë gabime të jashtëzakonshme.

Për interesat e qytetarëve ne e tejkalojmë edhe vetën tonë si parti. Këtu jemi ftuar për pandeminë, ajo padyshim është problemi kryesor. Deri me sot kemi pasur sjellje arrogante nga kryeministri në detyrë, këtu erdha për t’iu përsëritur se kanë bërë gabime të jashtëzakonshme, në vend se të bëjnë një lloj bashkëpunimi, ata janë sjell me përçmim me arrogance”, ka thënë ai,

Sipas tij, ky takim është ftuar pasi Qeverisë i ka dalë situata nga kontrolli.

Ai tutje ka kritikuar Kurtin për pranimin e donacionit nga Serbia.

“Tash iu ka dalë situata nga kontroll, ashtu siç kemi paralajmëruar ne. Një ftesë që duhej të vinte para 6 jave, ata e kanë bërë sot. Unë i përsërita në emër të PDK-së, të gjitha gabimet që kryeministri i ka bërë, sidomos duke marrë vendime të paligjshme. Ky kryeministër e ka shkel Kushtetutën, ky kryeministër dhe kjo Qeveri janë dorëzuar para Serbisë duke ia dorëzuar asaj menaxhimin e situatës në veri, duke e dëmtuar rëndë sovranitetin. E kanë pranuar donacionin e testeve nga Vuçiqi, ndoshta me një vlerë prej 30 mijë eurove dhe ka mundësi që Vuçiq të shpërlahet për gjenocidin që e ka bërë në Kosovë me leje të kryeministrit”, thuhet në njoftim.

Krasniqi tutje ka shtuar se pjesëmarrja e tij në këtë mbledhje nuk paraqet ndryshim të qëndrimit të PDK-së karshi Vetëvendosjes.

Sipas tij, dallimet mes tyre janë të mëdha.

“Ne nuk kemi pasur bashkëpunim, unë nuk mund të parashoh bashkëpunim, as nesër bashkë në opozitë, e as nëse këta vazhdojnë të jenë në qeveri. Përndryshe, jo vetëm me VV-në, por me këdo që ka minimum të legjitimitetit qytetarë, kur është në pyetje interesi i përgjithshëm, ne edhe në të kaluarën edhe në të ardhmen, do të mundohemi ta tejkalojmë përfaqësimin tonë partiak e politikë. Në e kemi dëshmuar këtë në 6 javët e pandemisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, pranimi i testeve nga Serbia është gabim drastik i Qeverisë.

Ai thotë se ndryshimi i raporteve Kosovë – Serbi nuk mund të ndodh me këso elemente të vogla.

“Ka dyshime se këto teste që kanë ardhur nga Serbia, janë nga Kina. Sot kemi informata që ato nuk janë duke u përdorur, kurse Vuçiqi është bërë lajm në gjithë botën me këtë gjest”, thuhet në njoftim.

10:30

Edhe Vjosa Osmani shkon në takimin e thirrur nga Kurti

Në takimin e thirrur nga kryeministri në detyrë ka shkuar edhe kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani.

Ajo është parë duke hyrë në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, aty ku pritet të mbahet takimi.

Në takim është edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Deri tash, në këtë mbledhje është konfirmuar se do të marrë pjesë PDK-ja, por se nuk dihet nëse partitë tjera do të jenë të pranishme.

AAK-ja ka refuzuar ftesën e Kurtit.

10:06

PDK-ja do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga Kurti

Partia Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti për të diskutuar rreth situatës me pandeminë Covid-19.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi.

Ndërkaq një ditë më herët, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj përmes një letre e ka refuzuar ftesën e Kurtit.

Takimi është ftuar për sot dhe planifikohej të fillonte nga ora 10:00.