17:22

Thaçi zyrtarisht ia jep mandatin për qeveri të re “cilësdo parti që siguron shumicën në Kuvend”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se pasi të gjitha partitë, pos Vetëvendosjes, janë shprehur pro formimit të Qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, do t’ia japë mandatin atyre që mund të formojnë shumicën parlamentare.

“Si rrjedhojë e diskutimeve, si dhe duke marrë parasysh që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend, me përjashtim të njërës, janë për formimin e Qeverisë së re, ndodhemi para pyetjes: Si rrjedhojë e vullnetit tuaj të shprehur që vendi të ketë qeveri të re të dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit, duke respektuar në tërësi dhe përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, unë do t’i jap mandatarin cilësdo parti apo koalicion që dëshmon se ka shumicën në Kuvend për të formuar qeverinë e re. S’është në diskrecionin tim të propozoj kandidatin e tillë. Siç e dini të gjithë, Qeveria rrjedh nga fuqia mbizotëruese brenda Kuvendit. Prandaj propozimi duhet të vijë nga partia apo koalicioni që do të ketë gjasa më të mëdha që të formojë qeverinë.”, ka thënë ai. 

Në takimin që ai ka pasur me krerët e partive politike, të gjitha partitë, pos Lëvizjes Vetëvendosje janë shprehur pro formimit të qeverisë së re pa shkuarje në zgjedhje. Teksa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm që partia e tij të sigurojë shumicën për formimin e qeverisë së re, ai i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij do të jetë opozitë. Krerët e AAK-së, Nismës, AKR-së e përfaqësues të partive nga minoritetet janë shprehur pro formimit të qeverisë së re, pa zgjedhje. Të gjithë kanë përmendur pandeminë e koronavirusit si ndër arsyet për shmangie të zgjedhjeve të reja.

17:04

AAK-ja e Nisma dëshirojnë qeveri të re, jo zgjedhje

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij nuk dëshiron zgjedhje të reja, por është pro formimit të një qeverie të re.

“Sa i përket AAK-së, s’jemi për shpërbërje të Kuvendit dhe shkuarje në zgjedhje për faktin që jemi në kohë krize e pa qeveri. Kuvendi ka obligim parlamenti t’ia kthejë vendit qeverinë. Ne përkrahim formimin e Qeverisë në kuadër të këtij parlamenti, por edhe angazhimin e të gjithëve që të ballafaqohemi bashkë me pandeminë sot e me temat e së nesërmes”, ka thënë ai në mbledhjen e krerëve të partive politike me presidentin Hashim Thaçi.

Kundër zgjedhjeve të reja është shprehur edhe Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate.

17:03

PDK-ja do të jetë opozitë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se partia e tij do të jetë në opozitë.

“PDK do të jetë opozitë. As nuk pranon ftesa nga këta të cilët kanë shkuar, por as ata që do të vijnë”, ka thënë ai në takimin me Thaçin.

Veseli ka deklaruar se presidenti e ka mandatin kushtetues deri në ditën kur e mban mandatin.

“Nuk është çështje e vullnetit politik, por është obligim i juaji”, ka thënë ai.

“Situata e krizës është e pazakontë, aq më shumë se është shkaktuar nga vetë ata që do të duhej të qeverisnin. Pra, kemi një shkarkim të Qeverisë dhe një acarim i jashtëzakonshëm politik me qëllim të protagonizmit për përfitim elektoral edhe në këtë situatë që është e rëndë”, ka thënë Veseli.

Ai, në takimin e presidentit të Kosovës me përfaqësuesit e partivë politike, për krijimin e qeverisë, i ka akuzuar dy partitë që kanë qenë deri më tani në qeverisje, LVV-në dhe LDK-në.

“Qeveria në largim e kryeministrit, me hapat e ndërmarrë e ka bllokuar Kosovën e edhe vetveten. Të gjitha masat e ndërmarra paraqesin shkelje ligjore”, ka thënë ai.

Veseli e ka akuzuar qeverinë në detyrë edhe për “acarimin e raporteve me SHBA-në”.

“Por, aspekti më i rëndë është krijimi i situatës në veri”, ka thënë ai, duke e akuzuar Qeverinë në detyrë për jotransparencë.

Veseli po ashtu ka thënë se partia e tij është e gatshme t’i dalë zot të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Kjo është situatë edhe më e rëndë, sesa ajo për të cilën po flasim sot këtu. Sido që të jetë, kemi një situatë që është reale dhe të cilën edhe nëse dojmë, në zgjedhje nuk mund të shkojmë. Por në anën tjetër, edhe nëse duam, nuk mund ta lëmë këtë Qeveri”, ka thënë ai.

16:52

Mustafa: LDK-ja e gatshme të sigurojë shumicën për qeverisje

Isa Mustafa, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është shprehur i gatshëm që partia e tij të sigurojë shumicën për të formuar qeverinë e re.

Në takim me presidentin Hashim Thaçi, ai ka thënë se vendit i duhet “qeveri që ka mandat nga Kuvendi i Kosovës dhe e cila mund të qeverisë vendin në mënyrë normale”.

“Vlerësojmë se qeveria në detyrë që vazhdon punën nuk i përgjigjet në tërësi kërkesave që shtrohen para saj për arsye se Kuvendi ka shprehur mosbesim ndaj kësaj qeverie. Vendit i duhet qeveri me kapacitete e mandat të plotë e që funksionon mbi bazën kushtetuese. Në momentin e tanishëm me të cilin po ballafaqohet Kosova, është faktor shtesë që të nxjerrim një qeveri që siguron shumicën në Kuvend të Kosovës dhe këtë ta bëjmë sa më shpejtë. Si LDK jemi të gatshëm të ndërmarrim iniciativën , të sigurojmë shumicën si parti e dytë nëse neve na ofrohet kjo përgjegjësi dhe mendoj që këtë do ta bëjmë bashkërisht, por vlerësoj plotësisht deklarimet e çdo subjekti”, ka deklaruar ai.

16:47

Vetëvendosje thotë se nuk ka refuzuar kërkesën për mandatar të ri

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se nuk e ka refuzuar kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për të emëruar mandatar të ri për kryeministër.

Në takim me presidentin Thaçi, Albulena Haxhiu, nga Vetëvendosje ka thënë se Thaçi është duke bërë shkelje kushtetuese me thirrjen e partive të tjera për t’u konsultuar për të formuar qeverinë e re.

Kjo është letra që Kurti i ka drejtuar Thaçit:

Image

Ajo ka folur pas fjalimit të presidentit Thaçi. Në fillim të takimit me liderët e partive parlamentare, i pari i vendit ka thënë se pesë kërkesa i janë dërguar LVV-së. “Edhe pse i kam dërguar pesë kërkesa LVV-së, nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e propozimit të kandidatit për ta formuar Qeverinë”, ka thënë ai.

Thaçi, në fjalimin hyrës, po ashtu ka thënë se hapat për krijimin e Qeverisë janë “e drejtë dhe detyrë e tija”.

“Në pajtim me mandatin kushtetues të presidentit të Kosovës dhe në përputhje me aktgjykimin e Kushtetueses në rastin K01013-14 është e drejtë dhe detyrë e presidentit të bëjë përpjekje për krijimin e Qeverisë, pasi aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që u përmend i kërkon presidentit që të shmangë zgjedhjet e parakohshme. Është përgjegjësia e imja ta ruajë stabilitetin e vendit dhe ta garantoj funksionimin demokratik të vendit”, ka thënë ai.

16:28

Liderët politikë mblidhen te Thaçi

Kryetarët e tri partive politike, LDK, PDK e AAK janë mbledhur për takim me presidentin Hashim Thaçi për të nisur konsultat për formimin e qeverisë së re.

Në presidencë tashmë kanë arritur kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ai i PDK-së, Kadri Veseli dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Nga Lëvizja Vetëvendosje aty është parë Albulena Haxhiu që nuk ka treguar nëse do të jetë në këtë takim.

15:39

Thaçi nis konsultat me liderët politikë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar në takim konsultativ liderët e partive politike, dhe ka njoftuar se takimin do ta mbajë sot në orën 16:30.

“Sot në orën 16:30, në sallën C-301, do të mbajë takim konsultativ me liderët e subjekteve politike parlamentare”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Pak më herët, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka njoftuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti se ai do të nis konsultimet me partitë tjera parlamentare për ta formuar qeverinë e re.

Në njoftim theksohet se gazetarët, fotografët dhe kameramanët lejohen të qëndrojnë vetëm në hollin e Kuvendit.