18:10

Ambasadorët e Quintit rreth takimit me Thaçin: Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim

Takimi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, i ambasadorëve të Quintit, nuk sinjalizon mbështetje apo miratim për ndonjë qëndrim të veçantë, kanë qartësuar ata përmes një deklarate të përbashkët.

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-së përmes kësaj deklarate kanë thënë se një gjë e tillë paraqet praktikë normale diplomatike.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe SHBA-ve, dëshirojnë të njoftojnë se ne bëjmë takime me udhëheqës politikë dhe institucionalë që t’i dëgjojmë pikëpamjet e tyre dhe për të pranuar informata, në mënyrë që t’i mbajmë qeveritë tona të informuara lidhur me zhvillimet. Pjesëmarrja në takime të tilla nuk sinjalizon miratim ose mbështetje për ndonjë pozitë të veçantë apo rrjedhë të veçantë veprimi. Kjo është në përputhje me praktikën normale diplomatike”, shkruan në deklaratën e përbashkët.

15:53

Thaçi njoftoi ambasadorët e Quintit për hapat e ndërmarrë për krijimin e Qeverisë së re

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka ftuar sot përfaqësuesit e ambasadave të Quintit dhe përfaqësuesen e BE-së, të cilët i ka njoftuar për hapat e ndërmarrë pasi partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë shprehur vullnetin që të formohet një Qeveri e re pas shkarkimit të Qeverisë Kurti.

Në këtë takim ishin ambasadori i SHBA-së, ai i Britanisë së Madhe, i Gjermanisë, ambasadorja e Francës, ambasadori i Italisë dhe Përfaqësuesja Speciale e BE-së në Kosovë.

Siç njofton kumtesa nga presidenca, presidenti Thaçi u shpreh se “pas konsultimeve me partitë politike është e qartë se shumica absolute janë në favor të formimit të Qeverisë së re pa shpërbërjen e Kuvendit dhe konform këtij vullneti të shprehur dhe në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës ka kërkuar nga LDK-ja kandidatin apo kandidaten për të formuar Qeverinë e re”.

“Pas konsultimeve me partitë politike i kam kërkuar Kryetarit të LDK-së, z. Isa Mustafa, të ofrojë kandidatin apo kandidaten për formimin e Qeverisë së re”, është shprehur presidenti Thaçi, duke shtuar se “çdo hap është dhe do të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

13:19

Thaçi pret ambasadorët e Quintit pak minuta pasi i kërkoi LDK-së kandidatin për kryeministër

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, është duke mbajtur takim me ambasadorët e vendeve të Quintit, bëjnë të ditur burimet e KOHËS.

Takimi vjen pak minuta pasi Thaçi ia ka kërkuar LDK-së emrin e mandatarit për Qeverinë e re.

LDK-ja tashmë është përcaktuar për Avdullah Hotin që të jetë kandidat për kryeministër, ndërkohë shpejt edhe do ta dërgojë emrin në Presidencë për të marrë mandatin.

Thaçi i ka ftuar ambasadorët për t’i informuar rreth hapave që ka ndërmarrë dhe do të ndërmerrë për formimin e qeverisë së re.

Një burim ndërkombëtar ka thënë se ambasadorët kanë shkuar vetëm për të dëgjuar prej presidentit rreth zhvillimeve të fundit.

VV-ja si parti fituese e zgjedhjeve të fundit ka paralajmëruar se do të dërgojë këtë vendim në Kushtetuese.