5 perditesime
19:39

Burbuqe Hana caktohet ushtruese detyre e kryeshefit të Telekomit

Bordi i Përkohshëm i Telekomit ka caktuar Burbuqe Hanën ushtruese detyre të kryeshefit Ekzekutiv të Telekomit, mëson KOHA.

Pasditen e së premtes, bordi i përkohshëm vendosi për shkarkimin e menaxhmentit të shkuar.

Tashmë është caktuar edhe ushtruesi i detyrës së Zyrtarit Kryesor të Finacave dhe Thesarit, ndërsa është shpallur konkursi për rekrutim në këto pozita zyrtare.

18:58

Shkarkohet kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi

Bordi i Përkohshëm i Telekomit të Kosovës e ka shkarkuar kryeshefin ekzekutiv të kësaj kompanie, Bedri Istrefin.

Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN ministrja e MEPTINIS, Rozeta Hajdari.

Koha ka mësuar se janë shkarkuar edhe zyrtari kryesor i financave dhe thesarit, dy zëvendësshefat ekzekutivë dhe i ka bërë emërimet për ushtrues detyre në këto poste. 

Po ashtu është hapur konkursi për rekrutimin në pozitat e Kryeshefit Ekzekutiv dhe Zyrtarit Kryesor të Financave dhe Thesarit.

Këtyre të fundit u është pamundësuar mbajtja e mbledhjes në Telekom, pasi siç bëjnë me dije burime të KOHËS, janë sulmuar fizikisht nga persona të afërm me menaxhmentin. Mbledhjen e kanë mbajtur në MEPTINIS.

Image
16:22

Bordi i Telekomit dështon ta shkarkojë menaxhmentin

Bordi i Telekomit ka dështuar ta shkarkojë menaxhmentin pasi këta të fundit kanë insistuar që takimi është i jashtëligjshëm, mëson KOHA.

Bordi aktualisht gjendet në Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike për t’u konsultuar me ministren Rozeta Hajdari.

13:19

Kryeshefi i Telekomit thotë se urdhrat politikë e kanë sjellë Telekomin ku është sot

Kryeshefi i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, përmes një konference për media, ka deklaruar se thirrja e mbledhjes së sotme nga Bordi i ri i përkohshëm është e jashtëligjshme.

Sipas tij, personat që ushtrojnë poste zyrtare dhe bëjnë dëme ndaj personave tjerë, sipas ligjit dënohen me burg.

Istrefi ka thënë se vendimet e Kurtit dhe zbatimet e tyre nga militantët e VV-së, nuk e dëmtojnë kryeministrin në detyrë, por të tjerët.

“E kam thirrur këtë konferencë për shkak të zhvillimit të fundit. Siç po e shihni shumë institucione po njoftohen për takime përmes mediave dhe jo përmes rrugëve të tjera brenda. Kam marrë njoftim për shkarkimin e dy anëtarëve bordit me e-mail. Kjo mbledhje është e thirrur në mënyrë joligjore. Është bërë shkelje të statutit të tij, thirrja duhet të dorëzohet tre ditë para se të thirret takimi. Thirrja e mbledhjes pa njoftim paraprak përbën shkelje ligjore. Personat që ushtrojnë poste zyrtare dhe bëjnë dëme ndaj personave të tjerë me ligj dënohen me burg. Vendimet që merr Albin Kurti t’i zbatojnë militantët e tij, të largohen njerëzit prej institucioneve, nuk e dëmtojnë Kurtin por të tjerët”, ka thënë a

Sipas tij, vetë ardhja e bordit në mënyrën se si ka ardhur, është dyshuese që vendimet që ata marrin janë të jashtëligjshme, duke deklaruar se “më bëjnë me mendu se ato vendime të tyre të mos i zbatojë”.

Ai tutje ka shtuar se kanë paralajmërim se do të shkarkohet menaxhmenti.

“Urdhrat politik e kanë sjellë Telekomin ku është sot”, ka thënë ai.

Istrefi thotë se gjatë udhëheqjes së tij në krye të kësaj ndërmarrjeje, ka pasur ulje të shpenzimeve, duke shtuar se tani po kërkohet të kthehet kontrata me z-mobile.

Ai thotë se “në bordin e instaluar politik kemi anëtar të bordit me të kaluar kriminale. Na kanë sjellë njerëz që kudo kanë shku kanë bë vetëm dëme. Kanë sjellë njerëz servil që thirren në emër te punëtorëve. Sot në vend se të merren me stabilitet merren me shkarkime dhe ngarkime”.

Ai tutje ka shtuar se nuk kanë bazë ligjore për shkarkimin e tij.

“Nuk ka bazë ligjore me më shkarku mu e edhe forma ligjore e thirrjes së kësaj mbledhje është e jashtëligjshme Nuk ka procedurë ligjore këtu po flasim për kapje të shtetit. Të gjithë anëtarët e bordit pa përjashtim janë militantë të VV-së Do të inicioj kallëzime penale për shkelje të tilla ligjore”, ka thënë ai.

11:53

Istrefi e konsideron të jashtëligjshme mbledhjen e thirrur për sot të Bordit të ri të Telekomit

Kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, mbledhjen e sotme e ka quajtur të paligjshme.

Ai në një përgjigje me postë elektronike pas ftesës për mbledhje, ka thënë se ajo është në kundërshtim me Statutin e Telekomit.

Sipas tij, statuti parasheh se njoftimi për mbledhje duhet të ketë agjendën dhe të dorëzohet së paku tri ditë para mbledhjes.

Ai tutje ka shkruar se thirrja e takimit për sot është qartazi e paligjshme.

Istrefi ka thënë se në agjendë duhet të precizohet nëse kërkohet analizë e performancës apo shkarkime të pozitave të caktuara.

Image

 

11:31

Sot mblidhet Bordi i ri i Telekomit, pritet shkarkimi i menaxhmentit

Bordi i ri i Telekomit, sot në orën 14:00 do të mbajë mbledhje dhe pika e parë e rendit të ditës pritet të jetë shkarkimi i menaxhmentit të kësaj kompanie, bëjnë të ditur burime të KOHËS.

Ndërkohë, në orën 13:00, kryeshefi i Telekomit, Bedri Istrefi, pritet të mbajë konferencë për media.