14:19

LDK-AAK premtojnë ta luftojnë korrupsionin dhe ta forcojnë partneritetin me BE-në e SHBA-në

Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarizoi sot marrëveshjen për bashkëqeverisje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Në marrëveshjen e nënshkruar nga dy krerët e këtyre partive, Isa Mustafa e Ramush Haradinaj, thuhet se marrëveshjen e kanë arritur “duke respektuar vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit 2019, dhe obligimin për themelimin e institucioneve legjitime, funksionale e demokratike”.

Kur flasin për objektivat themelore të koalicionit mes tyre, LDK dhe AAK thonë se pajtohen që objektivat e qeverisjes në krye me Avdullah Hotin do të jenë beteja për ta mposhtur pandeminë e COVID-19, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohje reciproke, rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë, forcimi i shtetit ligjor përmes luftës kundër krimit dhe korrupsionit, dhe forcimi i partneritetit me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton KOHA.

Në dokumentin ku kanë zyrtarizuar këtë koalicion qeverisës, thuhet se LDK-ja dhe AAK-ja, pajtohen të bashkëqeverisin në nivel qendror, në mandatin e legjislaturës së shtatë, në një koalicion të drejtuar nga LDK-AAK-NISMA-AKR-LISTA SERBE dhe përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë (joserb) në Kuvendin e Kosovës.

12:40

Ministritë që do t’i udhëheqë AAK-ja

Pasi njoftoi se kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në, Ramush Haradinaj i AAK-së ka folur për ministrirë.

Haradinaj ka njoftuar se AAK-ja do të qeverisë me Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Arsimit atë të Drejtësisë dhe Zhvillimit Ekonomik.

Besnik Tahiri do të jetë zvkryeministër, Blerim Kuçi- Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Meliza Haradinaj - Ministre e Jashtme, Selim Selimi- Ministër i Drejtësisë dhe Ramë Lika – Ministër i Arsimit.

Por ditë më parë, nga LDK-ja janë deklaruar se do të udhëheqin me 7 poste, derisa Nisma e minoritetet ende s'janë deklaruar.

12:29

AAK-ja arrin marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje me LDK-në.

“Arritëm marrëveshje me LDK-në”, u shpreh ai.

Ai ka njoftuar se do të qeverisin me 4 ministri dhe do të kenë një zëvendëskryeministër, raporton KOHA.

Haradinaj shtoi se numri i ministrive nuk do të ndryshohet nga ky aktuali.

 

12:06

Mustafa e Hoti takohen me Haradinajn në Kuvend

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër Avdullah Hoti, janë duke zhvilluar takim me kreun e AAK-së Ramush Haradinaj në Kuvendin e Kosovës.

Ky takim po mbahet pas paralajmërimit të Hotit se gjatë ditës së sotme do të arrihet marrëveshja e koalicionit me AAK-në e Nismën Socialdemokrate, raporton KOHA.

Gjithashtu, Hoti ka paralajmëruar se do ta bëjë të ditur edhe përbërjen e kabinetit qeveritar.