13:45

Nisma në Qeverinë Hoti do të udhëheqë me dy ministri dhe një zv.kryeministër

Kryetari Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka thënë se ka nënshkruar marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në.

Limaj ka thënë se do të kenë 2 ministri dhe një zëvendëskryeministër, raporton KOHA.

Por, ai nuk ka treguar se kush janë emrat e kësaj partie që pritet të kenë poste në qeverinë e re.

Detaje e marrëveshjes, Limaj ka shtuar se do t’i publikojnë gjatë ditës.

13:01

LDK: Pa u arritur marrëveshja me të gjithë, emrin e Hotit nuk e dërgojmë te Thaçi

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka arritur në Kuvendin e Kosovës për të nënshkruar marrëveshjen e koalicionit me Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limajt.

Para se të hynte në takim, Mustafa ka thënë se të mërkurën është arritur dakordimi, por nuk ka saktësuar për përmbajtjen e marrëveshjes.

Kreu i LDK-së ka thënë se pa u arritur marrëveshja me të gjithë partnerët për bashkëqeverisje nuk do ta dërgojmë emrin e Avdullah Hoti për dekretim te presidenti. Kjo parti që ka nominuar Avdullah Hotin për kryeministër, është duke diskutuar me deputetët e minoriteteve jo serbe për ta votuar formimin e qeverisë.

I pyetur se a mund të mbahet seanca e Kuvendit për votimin e qeverisë së re këtë fundjavë, Mustafa ka thënë se këtë nuk mund ta thotë. Për AKR-në ka theksuar se do të jetë pjesë e qeverisë së re, ashtu siç janë marrë vesh me kreun e saj Behgjet Pacolli.

Të mërkurën LDK-ja dhe AAK-ja kanë nënshkruar marrëveshje të koalicionit, ku partisë së Ramush Haradinajt do t’i takojnë 4 ministri dhe posti i zëvendëskryeministrit të parë.

Gjithashtu, LDK-ja ka arritur marrëveshje të koalicionit me Listën Serbe.