19:36

Pacolli dërgohet në shtëpinë e tij: U frikësova për akt terrorist nga shteti i Kosovës

Kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, është dërguar në shtëpinë e tij në Hajvali, pas arritjes nga Tirana.

Pas arritjes në Prishtinë, deputeti Pacolli deklaroi se është frikësuar për akt terrorist në aeroplanin e tij nga autoritetet e Kosovës.

19:20

Pacolli pas mbërritjes në Prishtinë: Nuk e di kah do të më çojnë

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka arritur të enjten në Prishtinë. Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës, Pacolli ka thënë se asnjëherë nuk ka kërkuar që për të të mos merren masat sikurse për qytetarët tjerë. Ka shtuar se nuk e di se kah do ta dërgojnë autoritetet e vendit.

“Asnjë moment nuk jam shprehur e as s’ka qenë në kokën time që të veproj jashtë normave. S’kam kërkuar asnjëherë të bëhet dallim për mua. Derisa e dua vendin tim, i nënshtrohem edhe të gjitha masave të ndërmarra. Unë nuk rezistoj. Unë i respektoj normat që janë marrë për të gjithë, ashtu edhe për mua. S’do ta toleroja asnjëherë që ndaj meje të ketë përparësi apo mangësi. Nëse ka rregull që është aplikuar për të gjithë qytetarët, unë do ta zbatoja”, ka thënë ai me të arritur.

Ai është ankuar në deklaratat e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Unë s’jam kriminel. E dua këtë vend. Gjithë punën e bëj me vullnet”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është frikësuar nga “institucionet e Kosovës se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin tim”.

“Kam qenë dy muaj i vetizoluar me përgjegjësi me familjen time. Ditën kur kam dashur të vi në Kosovë e kam kryer testin. Testi ka rezultuar negativ. Jam nisur për në Kosovë. Leja fillimisht është anuluar. E dyta është kushtëzuar me implikime të tjera, se me dhënien e lejes duhet të involvohen disa ministri. Unë fluturoj me një fluturake ku nuk ka asnjë forcë. Jam frikësuar për herë të parë nga institucionet e shtetit tim se mund të kryhet akt terrorist në aeroplanin tim dhe kam aterruar në Tiranë. Është hera e parë që frikohem nga një shtet. Sot jam kontrolluar, kam kryer procedurat dhe vazhdoj jam në dispozicion. Nuk e di kah do të më çojnë. Jam frikësuar nga të gjitha presionet që kam marrë deri kur jam nis për në Kosovë”, ka thënë ai.

Ardhja e tij në Prishtinë bëhet në kohën kur pritet votimi për Qeverisë e re, pjesë e së cilës pritet të jetë edhe AKR-ja e Pacollit. Ai qe dy ditë ka pasur përplasje me Qeverinë në detyrë, e cila kërkonte që Pacolli të mos veçohej nga të tjerët dhe t’i nënshtrohet rregullit për izolim dyjavor në Qendrën e Studentëve.

18:48

Aterron në Prishtinë aeroplani i Pacollit

Ka aterruar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës aeroplani privat i deputetit Behgjet Pacolli.

Në aeroport kanë dalë edhe këshilltarët e kreut të AKR-së për ta pritur deputetin që nxiti shumë debat në Kosovë së fundmi me ardhjen nga Zvicra.

Teksa ai kërkonte të mos i nënshtrohej rregullave për karantinim si të tjerët, MSH-ja insistonte se rregullat vlejnë për të gjithë.

18:21

Pacolli niset për Kosovë, ia dërgon MSH-së dokumentet me të cilat kërkon të vetizolohet në shtëpi

Deputeti Behgjet Pacolli është nisur nga Tirana drejt Prishtinës. Ai mësohet se i ka dërguar Qendrës Operative të Ministrisë së Shëndetësisë dokumentacionin shëndetësor me të cilin kërkon që t’i mundësohet vetizolimi në shtëpinë e tij në Hajvali.

Sipas burimeve të KOHËS, MSH-ja këtë dokumentacion ia ka përcjellë ekipit mjekësor në Aeroport që do të vendosë më pas për hapat e mëtutjemë.

Ai ishte paraparë fillimisht që në Prishtinë të vinte rreth orës 17:30, ndërsa tash pritet të aterrojë rreth orës 19.

Në një postim në Facebook, këshilltari i Pacollit, Naim Murseli, ka thënë se me të arritur në Prishtinë, kreu i AKR-së do t’i nënshtrohet kontrollit rutinor mjekësor “për të vazhduar pastaj në rezidencën e tij në Hajvali”.

Image
17:16

Policia në pritje të Pacollit në hyrje të Aeroportit

Policia e Kosovës është duke e pritur deputetin Behgjet Pacolli në hyrje të Aeroportit të Prishtinës.

Ai pritet të aterrojë rreth orës 17:30 nga Tirana.

Deri më tash, për shkak të pandemisë, çdo person që ka aterruar në Prishtinë, nën përcjellje të Policisë së Kosovës, është dërguar për në Qendrën e Studentëve për karantinë 14 ditore.

Pacolli kishte kërkuar që ky rregull të mos vlejë edhe për të, por Ministria e Shëndetësisë sot ka thënë se rregullat janë të njëjta për të gjithë.

Zyrtari i AKR-së, Rrahim Pacolli, që gjendet në aeroport, ka thënë se ai është aty për ta marrë kreun e partisë që ta dërgojë në shtëpi. Policia nuk është deklaruar për këtë.