13:45

Zyberaj: Pacolli mund të kërkojë falje për deklaratat e tij, por a do ta bëjnë edhe Kurti e Sveçla

Jetlir Zyberaj, këshilltari i kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli i është përgjigjur zëdhënësit të Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, i cili përmes një statusi në Facebook ka thënë se Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij për “sulm terroistik”.

Deklarimin e Kryeziut, Zyberaj e ka cilësuar si kërkim-falje, karshi, siç thotë ai, agresionit verbal, kërcënimeve, e frikësimeve që Kurti dhe Sveçla kanë bërë ndaj Pacollit.

“E vlerësoj si shumë të matur dhe njëlloj kërkimi ndjese, deklarimin e zëdhënësit të qeverisë Kryeziu.
Etika e tij është ku e ku në raport me agresionin verbal, kërcënimin, frikësimin në mesazhet e shefit të tij, apo zëvendësministrit të brendshëm, ndaj zotit Pacolli. Pikërisht ai agresion verbal i nisur nga lart nxiti si rregullisht ushtrinë e mijëra kërcënuesve me apo pa emër në rrjetet sociale apo dhe në forma të tjera, që të bëjnë thirrje të hapura për vrasje, linçim, të zotit Behgjet Pacolli fëmijëve të tij”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se Pacolli mund të kërkojë falje për deklarimet të cilat mund të cenojnë imazhin e shtetit, por ka pyetur nëse këtë do ta bëjnë më parë kryeministri Albin Kurti dhe u.d së ministrit të Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla.

“Këto kufij ishin të tmerrshëm dhe zoti Kryeziu nuk e ka fjalën për to me siguri kur i jep këshilla zotit Pacolli: në sallën e parlamentit në prani të grave shtatzëna, të sëmurëve kronikë, përdorej gaz lotsjellës; kur ndaj institucioneve apo dhe ndaj shtëpisë së kryeministrit të kohës qëllohej me bomba molotov. Sigurisht zotëri Pacolli nuk ka kurrë ndërmend të ndjekë këshilla të tilla. I vetëdijshëm pse deklarimet e tij mund të cenojnë imazhin e shtetit të Kosovës, zotëri Pacolli mund të tërheqë atë çfarë tha. Mirëpo a do ta bëjnë këtë me parë, Kryeministri dhe u.d i Ministrit te Punëve të Brendshme?!”, ka shkruar ai.

Zyberaj ka thënë se kërcënimet drejtuar shefit të tij, stafi i sigurisë së Pacollit si parathënie e ndonjë akti terrorist.

Ai tutje ka shtuar se është në natyrën njerëzore frika para një dhune të tillë.

“Një klimë e tillë fashizmi verbal, por jo vetëm verbal, frymëzuar me vetëdije apo pa vetëdije nga kreu i qeverisë është parathënia e çdo akti terrorist të mundshëm, siç analizon stafi i sigurisë së zotëri Pacollit, shto këtu dhe informacionet që ata marrin nga drejtime të ndryshme.
Kërcënime si ato për të cilën prokuroria u mobilizua në ndihmë të zotit Kurti para pak javësh, zotëri Pacolli merr me qindra dhe mijëra dhe klima e krijuar ndaj tij me thirrjet agresive të personalizuara të kreut të qeverisë prodhoi edhe më shumë kërcënime. Është në natyrën njerëzore që i gjendur para një dhune të tillë verbale nga njerëzit e pushtetit dhe falangat fashiste që i bëjnë jehonë atyre, të frikësohesh për fatin e familjes, për më shumë kur vjen nga një izolim dy mujor”, ka shkruar ai..

Zyberaj thotë se Pacolli nuk ka kërkuar asnjëherë trajtim të mëvetshëm apo shkelje të rregullave në lidhje me karantinën.

“Kurrë ai nuk ka thënë se kërkon trajtim të mëvetshëm, apo shkelje të rregullave (jo ligjore megjithatë) në lidhje me karantinën. Kurrë ai nuk ka kërkuar përjashtime. Është kryeministri dhe ministri i tij në detyrë që donin të bënin përjashtime duke kërcënuar me arrestim një ish president, një ish ministër të jashtëm dhe një deputet të Republikës”, ka shkruar tutje ai.

Sipas tij, deklarimi i zotit Kryeziu në lidhje me kufijtë e veprimit dhe deklarimit opozitar sot është një kërkesë ndjese në emër të partisë në pushtet, në emër të shefit të tij, për tejkalimin e këtyre kufijve në të shkuarën jo shumë të largët.

11:13

Qeveria: Pacolli të kërkojë falje për deklaratat për “akt terroristik”

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë që kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratat e tij, se është frikësuar që shteti do të kryej “akt terroristik”.

Përms një postimi në Facebook, ai ka thënë se Pacollit i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë.

“Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar që edhe ai të zbatojë masat në fuqi i intepretoi si frikë të tij për një ‘akt terroristik nga ana e shtetit’ në të. Pra, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish Ministri i Punëve të Jashtme dhe ish Presidenti i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për ‘akt terroristik nga shteti”, ka shkruar ai.

Kryeziu thotë se kjo deklaratë e tij po përdoret kundër shtetit.

Ai thotë se edhe opozitarizmi e ka një kufi dhe është e papërgjegjshme të quhet shteti terrorist.

“Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha. Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd ‘terrorist’, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve”, ka shkruar ai.