13:06

Tahiri: Studimja është dhembja jonë e madhe, kërkojmë drejtësi

Kreu i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka thënë se Studimja është dhembja jonë e madhe për të cilën kërkojmë drejtësi.

“Studimja është dhembja jonë e madhe. 116 civil të vrarë në një ditë të rëndë për Vushtrrinë më 2 maj 1999. Përgjegjësit e këtij krimi kundër njerëzimit ende nuk janë dënuar nga drejtësia”, thotë Tahiri.

Ai shton se Serbia vazhdon të mohojë krimin.

“Krimi në Studime dhe asnjë krim tjetër, as nuk falet e as nuk vjetërsohet. Kërkojmë drejtësi. Lavdi martirëve të lirisë”, ka thënë Tahiri.

11:35

Osmani: Paqja e qëndrueshme vetëm pas dënimit të autorëve të krimit

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar 21-vjetorin e masakrës në Studime ku u vranë 116 civilë shqiptarë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

21 vjet më parë në Studime të Vushtrrisë nga forcat serbe u vranë 116 shqiptarë.

Brenda dy orësh, teksa po dëboheshin me dhunë për në Shqipëri nga forcat paramilitare serbe, u vranë mizorisht 116 civilë, në mesin e të cilëve fëmijë, gra, burra e pleq. Kjo tregon qartazi përpjekjet e regjimit të asaj kohe për spastrim etnik dhe gjenocid ndaj shqiptarëve.

“Në këtë ditë, bashkëndjej me familjet e tyre në këtë përvjetor dhe ua rikujtoj se misioni ynë i vazhdueshëm do të jetë që kryesit e veprës të marrin dënimin e merituar. Sot, shkaku i pandemisë Covid-19, familjet nuk do të mund të jenë te varrezat e të familjarëve të tyre për t`i kujtuar, por do t`i kujtojmë bashkërisht në secilën familje, sepse ata janë edhe familjarë tanë që dhanë jetën për shtetin dhe lirinë tonë”, ka thënë Osmani.

Përveç se do t`i rikujtojmë për çdo 2 maj, Osmani thotë se do ta përsërisim se nuk ka paqe të qëndrueshme pa zbardhjen e të gjitha krimeve të luftës të bëra nga Serbia.

“Ndaj, çfarëdo procesi negociatash nuk ka kuptim nëse drejtësia nuk shkon në vend. Për krimet ndaj shqiptarëve nuk duhet të ketë aministi. Duhet të ketë vetëm një epilog. E ky epilog është dënimi i atyre që i kryen këto krime. Qoftë i përjetshëm kujtimi për 116 civilët e vrarë të Studimes”, ka thënë Osmani.

10:18

21 vjet nga masakra e Studimes

Sot janë bërë 21 vjet që kur forcat serbe kanë kryer masakrën e Studimes, ku humbën jetën 116 persona.

Me rastin e 21 vjetorit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka bërë homazhe tek varrezat e dëshmorëve në Studime të Vushtrrisë.

“Homazhet u bënë në nderim të 21- vjetorit të Masakrës së Studimes ku humbën jetën 116 persona. Shumica e qytetarëve të Vushtrrisë dhe të fshatrave në rrethinë ishin larguar me forcë nga shtëpitë e tyre prej forcave serbe në fund të Marsit dhe fillimit të Prillit 1999, përderisa disa prej tyre ishin në gjendje të rrinin deri më 2 Maj”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Image

Sot e kësaj dite përgjegjësit e këtij krimi enden të lire, dhe askush s’është sjellë para drejtësisë.

“Më 2 Maj 1999 policia Serbe dhe forcat paramilitare kishin nxjerrë me forcë nga konvoi qytetarët, u kishin kërkuar para dhe më pas i kishin vrarë 116 persona në vend. Krejt kjo kishte ndodhur brenda 2 orësh. Sot, 21 vjet pas, akoma askush nuk ka marrë përgjegjësi dhe askush nuk ka kërkuar falje për këtë masakër. Është koha e fundit që kriminelët të paguajnë për të bëmat e tyre”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një statusi në Facebook ka thënë se martirët e masakrës së Studimes ranë duke kërkuar të drejtën për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën e tyre.

Haradinaj ka thënë se gjaku i tyre obligon Kosovën, që të mos ndalet kurrë gjersa përgjegjësit e këtij gjenocidi të dalin para drejtësisë.

“Me pietet kujtojmë sot martirët e masakrës së Studimes, të cilët ranë duke kërkuar të drejtën për të jetuar të lirë e me dinjitet në tokën e tyre. Gjaku i derdhur i martirëve na obligon të mos ndalemi kurrë gjersa përgjegjësit e këtyre masakrave dhe gjenocidit të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. Lavdi e përjetshme të rënëve për lirinë e Kosovës”, ka thënë Haradinaj.