17:28

Ministria e Shëndetësisë paralajmëron masa ligjore ndaj Kadrijajt

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar masa ligjore ndaj deputetes së AAK-së, Time Kadrijaj, pasi kjo publikoi një vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për lirim të disa personave nga masa e izolimit. Kadrijaj tha se ata ishin aktivistë të VV-së, ndërsa në vendimin e publikuar shiheshin emrat e personave që lirohen si raste psikiatrike pas vlerësimit të mjekëve.

Në reagim të MSH-së thuhet se “të gjitha vendimet e posaçme të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia janë rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë, të fushave të ndryshme, të cilët e kanë përgatitur pasqyrën shëndetësore për secilin person që ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rekomandimeve te Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik”.

“Këto ekipe profesionistësh janë ekspertë të fushave dhe të pavarur në punën e tyre. Është e pandershme dhe sulm i ulët ndaj profesionistëve shëndetësor, që në këtë kohë pandemie janë në krye të detyrës dhe mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Mbi të gjitha, publikimi i këtyre të dhënave paraqet cenim të rëndë të privatësisë, si dhe është i ndëshkueshëm edhe më ligjet në fuqi. Është një veprim skandaloz dhe mbi të gjitha jo njerëzor”, thuhet tutje në njoftim.

Në fund të reagimit, MSH-ja ka thënë se si institucion do të ndërmarrë veprimet në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cekuar privatësinë e qytetarëve, teksa u ka bërë thirrje organeve kompetente të ndërmarrin veprimet me dispozitat ligjore në fuqi.

“Ministria e Shëndetësisë bashkë me personelin shëndetësor mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, njëkohësisht edhe në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve tanë nga stigmatizimi, siç përcaktohet edhe me ligjet në fuqi. Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë, si institucion, do të ndërmerr çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cenuar rëndë privatësinë e qytetarëve të cilët janë kontrolluar nga profesionistët shëndetësor. Privatësia e gjendjes shëndetësore është e drejtë e garantuar me ligj për secilin qytetarë në Republikën e Kosovës. Ndaj ju bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime me dispozitat ligjore në fuqi”, përfundon reagimi i MSH-së.

KOHA ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga deputetja Kadrijaj, por kjo ishte e pamundur mesditën e së shtunës.

17:01

Kadrijaj akuzon Vitinë për lirim të aktivistëve të VV-së nga karantina, Haxhiu e quan jonjerëzore publikimin e emrave

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka akuzuar ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, se ka amnistuar aktivistë të Vetëvendosje duke i liruar nga karantina në konvikte. Në anën tjetër, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur skandaloz publikimin e dokumentit nga Kadrijaj, e në të cilin shihen emrat e personave që lirohen si raste psikiatrike pas vlerësimit të mjekëve.

“Të gjithë e kuptojmë ligjin, dhe e kuptojmë se ligji duhet të respektohet nga të gjithë: askush nuk është mbi ligjin. Ministri i Shëndetësisë paska amnistuar aktivistët e VV-së, duke i liruar nga karantina në konvikte. Tash le të përgjigjet ministri pse ka ndodhë kjo!”, ka shkruar Kadrijaj si përshkrim të fotografisë ku shihej vendimi se lejohet dalja nga zona e karantinës “Qendra e Studentëve” për disa persona, “pas konfirmimit dhe vlerësimit të ekipit mjekësor specialistik si raste psikiatrike, personat e lartëshënuar shkojnë në vetëizolim”.

Vendimi shihet të jetë nënshkruar nga ministri Vitia.

Reagim për këtë ka pasur ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Ajo e ka quajtur çnjerëzore e të pajustifikueshme letrën e publikuar me emrat e të liruarve nga karantina.

“Politika ekziston pikërisht ngaqë komuniteti angazhohet për të mirën e përbashkët, të individëve të bashkësisë. Politika nuk mund të jetë, nuk guxon të jetë antihumane. Ajo s'është politikë më pastaj, është krim. Kjo çfarë bëri sot znj. Kadriaj është kulmi. Për të goditur politikisht ka dëmtuar rëndë dinjitetin dhe integritetin e personave duke publikuar emrat dhe diagnozat e tyre. Pra, zonja Kadriaj që vetë thotë se është mjeke sot na dëshmoi të kundërtën. Kjo është çnjerëzore, e pajustifikueshme, shumë ultë dhe në kundërshtim me legjislacionin dhe konventat evropiane. Jam e shokuar nga ky nivel”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Kadrijaj nuk ka zgjatur shumë dhe i është kundërpërgjigjur Haxhiut. Ka thënë se vendimi i ministrit “është selektiv”, teksa i ka bërë thirrje prokurorisë të hetojë vendimin.

“Të gjithë të apostrofuarit kanë zbritur në aeroport dhe janë karantinuar, pastaj vendimi i ministrit në formën selektive si po i dërgojka në ambientet private. Nëse koke ba mjeke tregoje pershkrimin e eksperteve. Po nejse ti tana i din. Thirrje prokurorisë ta hetoj vendimin selektiv te ministrit Vitia!” thuhet në përgjigjen e Kadrijajt.

Ndërkaq, Ministria e Shëndetësisë ka thënë shkurt për KOHËN se së shpejti do të dalë me një deklaratë zyrtare për këto akuza.