14:44

Qeveria shfuqizon ndalimin e hyrje-daljeve në Klinë, Malishevë dhe Viti

Klina, Vitia e Malisheva kanë dalë nga karantina, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka zhvilluar mbledhjen korresponduese (mbledhje elektronike) të 28-të, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë Nr.01/09 të datës 13.03.2020 dhe vendimit Nr.01/10 të datës 14.03.202”, thuhet në komunikatë.

Tutje në komunikatë thuhet se ndryshimet dhe plotësimet e miratuara do të shfuqizojnë pjesët e vendimit që ndalojnë hyrje-daljet në komunat e Klinës, Vitisë dhe Malishevës.

“Vendimi është miratuar me kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë dhe obligon të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e tij”, thuhet në komunikatë.​​

12:07

Qeveria sot shfuqizon vendimin për karantinim të Klinës, Vitisë e Malishevës

Qeveria në detyrë është duke e mbajtur një mbledhje online, ku pritet të shfuqizohet vendimi për ndalimin e hyrje-daljeve edhe për tri komuna të Kosovës.

KOHA merr vesh se bëhet fjalë për daljen nga karantina për Klinën, Vitinë dhe Malishevën.

Deri më tani nga karantina janë dalë Prishtina, Prizreni, Mitrovica e Veriut, Ferizaj, Suhareka e Banja e Malishevës.

Këto masa lehtësuese vijnë pas uljes së numrit të të prekurve me Covid-19, derisa ka rritje të numrit të të shëruarve. Megjithatë, lirimi nga masat e plota do të jetë gradual dhe në disa faza.