16:43

Osmani e Kurti nderojnë Aganin: Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovë, Albin Kurti, së bashku me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani bënë homazhe pranë shtatores së akademik Fehmi Aganit, në kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Fehmi Agani ishte intelektual delikat dhe profesor i afërt, dashamirës i dijes, mësimit dhe studimit, njeri paqësor e përparimtar. Formimi i tij ishte kryesisht humanist e social. Angazhimin e vet politik e shihte më shumë të imponuar nga koha dhe rrethanat sesa pasion karakteri apo prirje profesioni. Vrasja e tij ishte ekzekutim kriminal i Serbisë dhe humbje e madhe për Kosovën”, thuhet në komunikatë.

Më 29 maj bëhet një vit prej se u ndryshua Kodi i Procedurës Penale që mundëson gjykimin dhe dënimin në mungesë.

“Duhet të angazhohemi, dhe do të angazhohemi që të zbardhet e vërteta e të sillet drejtësia për të”, thuhet në komunikatë.

13:35

Thaçi: Kontributi i Aganit për çlirimin e Kosovës ka qenë i jashtëzakonshëm

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar sot në 21 vjetorin e vrasjes së tij, Fehmi Aganin.

“Në 21 vjetorin e vrasjes e kujtojmë me respekt të thellë profesorin Fehmi Agani, që ishte një prej figurave kyçe të lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës në vitet e nëntëdhjeta. Në të gjitha periudhat e jetës së tij, si intelektual, si autor librash dhe shkrimesh, si politikan dhe si negociator, profesor Agani është shquar me dijen e madhe, me urtinë prej një mendimtari të thellë dhe me këmbëngulësinë e një atdhetari, që shqiptarët e Kosovës t’i fitojnë të drejtat që u takojnë, duke përfshirë edhe të drejtën supreme për të jetuar të lirë dhe për të pasur shtetin e pavarur”, shkruan Thaçi në Facebook.

Thaçi thekson se “Kam pasur fatin që të njihem me të dhe të bashkëpunojmë e të jemi së bashku si pjesë e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë”.

“Kontributi i tij për arritjen e marrëveshjes, që mundësoi më pas fushatën ajrore të Aleancës Veriatlantike dhe çlirimin e Kosovës, ka qenë i jashtëzakonshëm. Politikanë dhe intelektualë të kalibrit të profesor Aganit i mungojnë shumë sot politikës në Kosovë”, përfundon Thaçi.

11:24

LDK-ja kujton Fehmi Aganin në 21-vjetorin e vrasjes, “rruga e tij politike mbetet misioni ynë”

Lidhja Demokratike e Kosovës e ka përkujtuar sot Fehmi Aganin në 21 vjetorin e vrasjes së tij.

Në 21-vjetorin e vrasjes, kryetari i LDK-së Isa Mustafa ka përkujtuar nënkryetarin e LDK-së Fehmi Agani të vrarë nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Mustafa ka thënë se vrasja e Aganit nuk ishte e rastësishme ngase veprimtaria e tij atdhetare dhe intelektuale ishte halë në sy për pushtuesin serb.

“Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kujton intelektualin, vizionarin dhe burrështetasin e madh të Kosovës, që jetën ia kushtoi lëvizjes për liri dhe pavarësi. Njerëzit si Fehmi Agani, ndoshta ikin shpejt por veprat që lënë pas mbeten udhërrëfyes për breza të tërë. Ashtu siç thoshte Presidenti Rugova: “Kosova ndihet krenare me profesor Aganin, me veprën dhe figurën e tij”, ashtu ndihemi edhe ne për personalitetin e jashtëzakonshëm, të Fehmi Aganit. Vepra e tij është trashëgimi dhe vlerë e pakontestueshme e Kosovës dhe LDK-së në veçanti. Rruga intelektuale dhe politike e nisur nga Agani mbetet misioni ynë për t’i kultivuar vlerat demokratike dhe shtet-formuese. Lavdi për jetë, intelektualit të madh, Fehmi Agani”, ka thënë Mustafa.

Tutje, në një kumtesë të LDK-së, u tha se që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi.

Edhe nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se sot, në 21-vjetorin e vrasjes, e kujtojmë njeriun e urtë e veprimtarin e madh, bashkudhëtarin politik të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, në lëvizjen e viteve ’90 për pavarësi, njërin ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mbi të gjitha, njeriun e dijeve e të ideve për konsolidimin e kombit, profesor Fehmi Aganin.

“Ai u vra më 6 maj 1999 nga regjimi gjenocidal serb i Millosheviçit. Vrasja e tij qe përpjekje për ta dobësuar vullnetin dhe këmbëngultësinë e shqiptarëve për liri dhe pavarësi”, thuhet në reagimin e saj.

“Dr. Agani, njeri i urtë, tepër modest, por këmbëngulës në përpjekjen për jetësimin e idealeve të brezave për liri, qysh më 1968 qe njëri ndër bartësit e debatit për Republikën e Kosovës. Në vitet '80 ai ngrehu zërin kundër diferencimeve politike dhe sidomos kundër ndryshimeve të dhunshme kushtetuese, për t'iu bashkuar nismës për themelimin e LDK-së, e cila u shndërrua në lëvizje të fuqishme kombëtare kundër ideologjisë totalitare dhe i bashkoi shqiptarët përreth idesë së lirisë. Profesor Agani i shërbeu vendit me gjithë qenien e tij prej dijetari e ideologu nacional. Ai ia dha lëvizjes urtinë e nevojshme për ta bërë të pathyeshëm idealin e shqiptarëve për liri dhe e mbajti të gjallë vazhdimisht ëndrrën për ta parë të jetësuar atë”, ka shkruar Osmani.

Ajo shtoi se “profesor Aganin sot e kujtojmë si personalitet me mendim të thellë politik, promotor i mendimit politik ndër shqiptarë dhe i përafrimit të pikëpamjeve të ndryshme rreth projektit të shqiptarëve për liri, pavarësi e demokraci”.

08:26

21 vjet nga vrasja e Fehmi Aganit

Sot bëhen 21 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së dhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Fehmi Agani.

Agani u vra më 6 maj të vitit 1999, nga forcat pushtuese serbe.

Figura e Aganit la gjurmë të pashlyeshme në historinë e pavarësisë së Kosovës, fushën e arsimit dhe mendimit shkencor.

Fehmi Agani, njëri nga themeluesit dhe udhëheqësit e Lidhjes Demokratike, u vra afër Lipjanit nga serbë me uniforma dhe të armatosur.

Më 6 maj 1999, Agani, së bashku me familjen e tij, tentoi të linte Kosovën me tren, përcjell ksp.

Në kufirin me Maqedoninë, treni u kthye mbrapsht. Diku afër Fushë Kosovës, policia ndaloi trenin dhe urdhëroi të zbrisnin të gjithë. Dëshmi të ndryshme të botuara në shtyp thonë se Agani u mor ose në një autobus së bashku me burra të tjerë shqiptarë, ose i vetëm me policët brenda një makine private. Kufoma e tij u gjend të nesërmen buzë një rruge gjithë baltë, pranë Lipjanit.

Për nder të profesor Aganit tashmë është ngritur përmendorja e tij në oborrin e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.

Që nga vitet 60-ta kur ishte paraqitur me argumentim e së drejtës së Republikës së Kosovës e deri me vrasjen e tij, Agani e kishte vënë gjithë krijimtarinë e tij në shërbim të projektimit, të argumentimit dhe të realizimit të këtij qëllimi.