Arbëri

Kundërshtohen negociatat me harta

 

Ka nxitur zemërim në Prishtinë qëndrimi i përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i cili, një ditë më parë, nuk e ka përjashtuar opsionin e ndryshimit të kufijve të Kosovës nëse për një gjë të tillë do të merrej vesh me Serbinë. Analistët ia kanë numëruar pasojat një marrëveshjeje të këtillë, ndërkaq Qeveria dhe parti si AAK-ja kanë alarmuar se negociatat me harta mund ta trazojnë rajonin.

Për opsionin e “korrigjimit të kufijve”, i cili është parë si eufemizëm për shkëmbim joproporcional territoresh, ka avokuar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq. Ata ishin mbështetur në heshtje edhe nga pararendësja e Borrellit, Federica Mogherini. Opsioni pati ngjallur reagime në Kosovë, e për pasojë Qeveria e mandatit të shkuar ka theksuar se atë e ndali, kur e pati vënë tarifën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, pas së cilës masë Beogradi zyrtar ishte tërhequr nga dialogu.