17:10

Kurti në Ditën e Evropës: Për të arritur paqe kërkohet drejtësi e përgjegjësi

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në Ditën e Evropës ka kujtuar se për të arritur paqen për diçka, kërkohet drejtësi dhe përgjegjësi.

Në mesazhin e tij të urimit për këtë ditë, Kurti ka thënë se as pajtimi evropian nuk do të bëhej “po të mos ishte gjyqi i Nurembergut e gjunjëzimi i Willy Brandtit”.

“Shtatëdhjetë vjet më parë, Evropa ishte ende duke pastruar rrënojat e lëna nga Lufta e Dytë Botërore. Dhimbja dhe vuajtja ishin të mëdha, urrejtja dhe mosbesimi ishin mbizotëruese. Duke u bazuar në përvojat e së kaluarës, shumë kishin frikë se paqja në Evropë ishte vetëm e përkohshme, dhe se një konflikt tjetër midis Francës dhe Gjermanisë me përfshirje edhe të vendeve tjera ishte i gjasshëm. Por, një njeri që kishte provuar shkatërrimin e fuqishëm të luftës dhe i cili kishte parë anën e errët të arsyes njerëzore, kishte një ide radikale. Aty ku të tjerët panë luftë të pashmangshme, ai pa mundësinë për paqe dhe bashkëpunim, dhe ku të tjerët panë konkurrencë ku fitorja e njërit është humbja e tjetrit, ai pa mundësinë që të gjithë të fitonin. Më 9 maj 1950, Robert Schuman, Ministri Francez i Punëve të Jashtme, i propozoi një plan Kancelarit Gjerman Konrad Adenauer, i cili u përpoq të vinte prodhimin franko-gjerman të qymyrit dhe çelikut të përdorur për prodhimin e armëve shkatërruese, nën një autoritet më të lartë. Ky autoritet u njoh si Komuniteti Evropian i Qymyrit dhe Çelikut (ECSC), i cili vendosi themelet për një Evropë paqësore dhe të bashkuar, të cilën sot e quajmë Bashkimi Evropian. Historia është një seri e gjatë mësimesh të vështira. Por mbase pjesa më e rëndësishme për të mësuar është se paqja kërkon edhe drejtësi, por edhe përgjegjësi. Ne e dimë se pa gjyqet e Nurembergut dhe gjunjëzimin e Willy Brandt, pajtimi nuk do të ndodhte kurrë”, ka shkruar Kurti në urimin e tij.

Ai tutje ka vazhduar se paqja evropiane ka në themel antifashizmin.

“BE-ja u ndërtua përmes betejës kundër fashizmit. Paqja Evropiane ka në themel antifashizmin. Ndërsa shënojmë këtë ditë, le të kujtojmë se paqja nuk është thjesht mungesa e konfliktit të dhunshëm, por prania aktive e drejtësisë së vërtetë. Një paqe e drejtë me një shtet të mirëqenies që funksionon për të gjithë pa marrë parasysh kombësinë, fenë dhe gjininë”, ka deklaruar ai.

Në fund, Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të kujdeset për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

“Ne shikojmë kah Bashkimi Evropian. BE-ja duhet të kujdeset për ne. Ballkani Perëndimor dhe BE-ja janë ekonomikisht dhe gjeopolitikisht, historikisht dhe kulturalisht, shumë të rëndësishëm për njëri-tjetrin. Progresi Evropian varet nga të kuptuarit e kësaj”, ka përfunduar Kurti.

15:02

Osmani: Izolimi i popullit të Kosovës është në kundërshtim me vlerat e BE-së

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ka thënë se Dita e Evropës rikthen kujtesën sesa e rëndësishme dhe produktive është paqja mes popujve dhe shteteve.

Ajo ka thënë se duke promovuar fillimisht bashkëpunimin tregtar e pastaj diversitetin kulturor e etnik, BE u shndërrua në projektin që jetësoi zhvillimin ekonomik, krijoi mirëqenie për qytetarin dhe u bë sinonim i paqes dhe stabilitetit në botë.

Andaj, sipas saj, Kosova orientim të qartë strategjik e ka anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Osmani tutje ka shtuar se mbajtja e izoluar e popullit të Kosovës është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian.

“Jetësimi i vlerave që i ka mishëruar Bashkimi Evropian në themelet e tij janë sot po aq të rëndësishme sikurse edhe 70 vjet më parë. Por, mbajtja e popullit më proevropian, popullit të Kosovës, të izoluar është në kundërshtim me po këto vlera. Çdo skenar i pranuar për ndryshim kufijsh të vendeve që aspirojnë integrimin në BE është poashtu në kundërshtim me këto vlera. Shpresojmë që sot, 70 vite pas, e përherë në BE të mbizotërojnë mendjet e ndritura, sikurse ajo e Robert Schuman dhe të punohet për paqe, stabilitet e solidaritet e të bashkohemi kundër atyre që promovojnë urrejtje, ndarje e diskriminim”, ka thënë ajo.​

13:38

Haradinaj: Integrimi në BE nuk është ëndërr por emri i dytë i ekzistencës tonë

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, thotë se Dita e Evropës përkujton faktin se projektet e mëdha për paqe dhe bashkëpunim dalin gjithmonë triumfuese.

Ai në një status në Facebook ka shkruar se nuk ka vend më të përkushtuar ndaj idelaeve të BE-së sesa Kosova.

:Dita e Evropës na e përkujton faktin se projektet e mëdha për paqe e bashkëpunim gjithnjë̈ dalin triumfuese. Nuk ka vend në Evropë më të përkushtuar ndaj idealeve të BE-së se sa Kosova, e cila është pjesë e natyrshme e familjes europerëndimore. Kosova i ka përqafuar vlerat e përbashkëta evropiane dhe vizioni i saj i palëkundur mbetet anëtarësimi në BE, si shtëpi e përbashkët. Integrimi i plotë në strukturat euro-atlantike nuk është thjeshtë një ëndërr, por emri i dytë i ekzistencës sonë. Urime Evropë”, ka shkruar ai.

11:05

Thaçi thotë se pavarësisht sfidave, Kosova e ka synim anëtarësimin në BE dhe NATO

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Ditën e Evropës.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se Kosova, pavarësisht sfidave, synim të vetëm e ka orientimin euroatlantik dhe pranimin në BE dhe NATO.

“U bënë 70 vjet që nga koha kur ideja për zhvillim ekonomik mes shteteve themelore të kontinentit të vjetër u bë bazë e forcimit të paqes, prosperitetit dhe vizionit të Bashkimit Evropian. Kosova si shtet i ri dhe sovran falënderon të gjitha shtetet evropiane që dhanë kontribut historik për lirinë dhe pavarësinë tonë”, ka thënë ai.

10:38

Veseli: T’i intensifikojmë reformat e integrimit që të bëhemi pjesë e familjes evropiane

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, duke uruar Ditën e Evropës,ka thënë se shpreson në liberalizim sa më të shpejtë të vizave.

Ai tutje ka deklaruar se 9 maji shënon ngadhënjimin kundër obskurantizmit të ideologjisë totalitare fashiste, e cila kishte robëruar një pjesë të mirë të botës, prandaj sipas tij, shërben si ditë feste për lirinë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se po në këtë datë u hodh hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

“Më 9 maj 1949, Ministri i Jashtëm i Francës, Robert Schuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimin e qymyrit dhe çelikut. Prandaj kjo ditë, e cila shënohet zyrtarisht edhe në Kosovë, kujton lindjen e Evropës së bashkuar si dhe simbolizon paqen dhe miqësinë midis vendeve të kontinentit”, thuhet në njoftim.

Veseli ka thënë se Kosova ka institucione të standardeve evropiane, derisa ka uruar përshpejtim të procesit të integrimit të Kosovës në BE.

Ai tutje ka thënë se shpreson për liberalizim sa më të shpejtë të vizave.

“Kjo ditë na shërben për të afirmuar edhe njëherë vlerat evropiane të lirisë, demokracisë, paqes e diversitetit dhe për t’iu kundërvënë zërave që mbjellin përçarje, intolerancë, gjuhë urrejtje e izolim prej partnerëve perëndimorë. Ne të gjithë duhet të vazhdojmë dhe të intensifikojmë reformat e integrimit në mënyrë që sa më parë të marrim vendin që na takon në familjen evropiane. Kosova ka institucione të standardeve evropiane, populli ynë ka kulturë evropiane, prandaj uroj për një përshpejtim të procesit të integrimit të Kosovës në BE, si dhe për një liberalizim sa më të shpejtë të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.

10:05

Mustafa në Ditën e Evropës: Shprehim bindjen që së shpejti do të ketë vendim pozitiv për vizat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Dita e Evropës shënon një ndër momentet më të rëndësishme të vendosjes së paqes në, siç thotë ai, Evropën e trazuar nga luftërat ndër shekuj.

Ai përmes një komunikate për media ka thënë se Kosova synon anëtarësimin në Evropë, duke shtuar se rruga evropiane e saj është e qartë.

“Aktualisht Kosova është i vetmi vend pa liberalizim të vizave dhe ne shprehim bindjen që BE-ja sa më shpejt ta marrë një vendim pozitiv që kosovarët të mos mbesim të vetmit të diskriminuar jo vetëm në Ballkanin Perëndimor por në tërë Evropën. Qytetarët dhe të rinjtë tonë besojnë dhe ndajnë të njëjtat vlera të cilat Bashkimi Evropian i ka kultivuar për tërë këto vite”, ka thënë ai.

Ai tutje ka shtuar se Kosova i është mirënjohëse BE-së për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë në proceset shtetformuese.

“Kjo u rezultua edhe në kohën kur ne e nënshkruam MSA-në që deri më tani është kontrata dhe bashkëpunimi në nivelin më të lartë me BE-në. BE-ja është storie e suksesit që i dha Evropës jo vetëm një paqe afatgjate por edhe një prosperim dhe mirëqenie ekonomike shteteve anëtare”, ka shkruar tutje ai.