Arbëri

Kritika për bllokim të Kuvendit: VV-ja akuzon LDK-në e partitë tjera, PDK-ja LDK-në e VV-në

Kritika për bllokim të Kuvendit: VV-ja akuzon LDK-në e partitë tjera, PDK-ja LDK-në e VV-në
Rexhep Selimi
15:09

Kritika për bllokim të Kuvendit: VV-ja akuzon LDK-në e partitë tjera, PDK-ja LDK-në e VV-në

Shefi i Grupit parlamentar të LVV, Rexhep Selimi ka akuzuar LDK dhe partitë e tjera për papërgjegjshmëri ndaj qytetarëve.

Ai këto komente i bëri pas mbledhjes së Kryesisë, të hënën.

Njëjtë ja akuzuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza. Ai ka akuzuar VV-në dhe LDK-në.

"Ishte një riciklim i temave që i kemi trajtuar tash e disa herë në mbledhjet e kaluara. As për fajin e as për meritën tonë, por mbetemi në pozicione të njëjta sa i përket qëndrimeve të subjekteve politike. Papërgjegjshmëria totale e grupeve të caktuara parlamentare, të cilat as nuk duan funksionim të Kuvendit e as zgjedhje të reja, por vazhdojnë ta mbajnë Kuvendin peng. Në veçanti LDK-ja dhe partnerët e saj po vazhdojnë të jenë shumë të pandërgjegjshëm për dëmin që po ia shkaktojnë qytetarëve të Kosovës. Sot ishte një agjendë e zgjeruar e rendit të ditës, ku ne nuk arritëm ta procedojmë më tutje me një seancë që do të duhej të ndodhte gjatë kësaj jave. Në mesin e tyre ka edhe marrëveshje ndërkombëtare që nëse nuk miratohen qytetarët do të humbnin shumë”, ka thënë Selimi.

E Hamza i PDK-së, tha se “këta që janë shkarkuar po e pengojnë punën e Kuvendit, sikurse edhe ata që duan të vijnë.

"Këta që kanë qenë në qeveri e që janë shkarkuar dhe këta që po dojnë me ardh në qeveri, janë duke bërë veprime të cilat janë duke e penguar punën e Kuvendit. Ne si PDK ka afërsisht qe dy muaj që i kemi proceduar disa iniciativa ligjore që ne vlerësojmë që janë ndihmesë e qytetarëve të vendit. Ne e dimë që pa u kry baza legale nuk ka mundësi që masat ekonomike të implementohen në tërësi. Ne kemi qenë të hapur edhe për grupet e tjera parlamentare që të kenë mundësi që të japin kontributin e vet. Çdo ditë që vonohemi, efekti ka me qenë më i madh. Tentativisht e lamë edhe një mundësi që më 4 qershor ndoshta do të ketë një mundësi të ketë një seancë të Kuvendit. Jemi në favor të asaj që Kuvendi ta kryejë punën e vet. Krahas nismave tona legjislative ne i përkrahim të gjitha marrëveshjet financiare në mënyrë që vendi të përfitojë", ka thënë Hamza.

14:38

Përçarjet në Kuvend rrezikojnë marrëveshjet me Bankën Botërore

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka treguar se në mbledhjen e Kryesisë se Kuvendit është diskutuar edhe për marrëveshjet ndërkombëtare, që për shkak të përçarjeve në Kuvend mes subjekteve politike, nuk po arrijnë të ratifikohen.

Ajo ka përmendur tri marrëveshje të tilla, por shtoi se dy kanë afat të fundit për ratifikim - qershorin.

Osmani tha se këto as që do të procedohen për seancë të Kuvendit, meqë duhen 2\3 e votave të deputetëve, gjë që tash nuk mund të sigurohen.

“Situatë të ngjashme kemi edhe me marrëveshjet ndërkombëtare, të cilat qeveria i ka prezantuar pas 25 marsit. Ato janë shumica të negociura nga qeveria Haradinaj, por për shkak të shpërndarjes së Kuvendit, ato janë rikthyer në pikën zero. Është dashur që edhe qeveria Kurti t’i trajtojë. Sugjerimi im është që të shkojmë para, por meqenëse ato kërkojnë 2\3 e votave, nuk është parë e nevojshme të procedohen menjëherë. Dy nga marrëveshjet me Bankën Botërore, e kanë afatin e fundit të ratifikimit fundin e qershorit”, ka thënë Osmani.

Ndërkohë. është bërë e ditur se më 4 qershor do të mbahet seanca plenare, në të cilën do të diskutohet formimi i komisionit hetimor për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Mbajtja e kësaj seance ka qenë një nga vendimet e marra në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit .

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka ndarë detajet nga takimi. Sipas saj, në mbledhje sërish nuk ka pasur konsensus për nismat legjislative, derisa ka mbetur që edhe më tutje të shqyrtohet miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare e disa prej së cilave kanë kohë të ratifikohen në Kuvend deri në qershor.

"Arsyeja themelore është për shkak se e kemi për obligim që të shqyrtojmë kërkesat për komisione hetimore. Meqenëse kemi më pak se 40 nënshkrime, komisioni nuk formohet automatikisht por në seancë plenare. Nuk ka pas gatishmëri që të futen pyetjet parlamentare. Edhe Kodi i procedurës penale edhe raporti lidhur me shpenzimet e vitit 2019 do të mund të trajtohen në seancën e radhës. Nuk kishte konsensus për nismat legjislative sepse kishte qëndrime të ndryshme lidhur me detyrimin kushtetues për mendim që duhet të kërkohet nga qeveria. Një situatë të ngjashme e kemi edhe me një sërë marrëveshje ndërkombëtare që qeveria i ka proceduar pas votimit të mocionit. Sugjerimi im ka qenë që të shkojmë përpara me marrëveshjet ndërkombëtare. Nuk ka disponim që marrëveshjet të procedohen menjëherë, por ka gatishmëri që të ulemi e të gjejmë mënyra që të mos bllokohen këto marrëveshje pasi edhe disa prej tyre kanë afate të caktuara", ka thënë ajo.