00:42

Akuza të rënda mes Ramës e Dalladakut, përmendet edhe ministrja Haxhiu

Me akuza të rënda është përcjellë debati mes Rrahim Ramës, i shkarkuari nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS), dhe biznesmenit Faton Dalladaku. Në një përplasje direkte në Interaktiv, aty është përmendur edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Teksa Rama akuzonte Haxhiun se është seksere Dalladakut dhe se bashkë me biznesmenin kanë bërë zhvatje, Dalladaku është përgjigjur me paralajmërim me padi ndaj Ramës.

“Më ka humbur respekti për Albulena Haxhiun kur është seksere e Faton Dalladakut. Më ka humbur respekti për të. Albulena Haxhiu, po çuditem pse s’interesohet për dokumentet e privatizimit. Ishte e autorizuar nga Dalladaku prej 2010 deri më 2013 të gjitha procedurat që janë bërë në agjencinë për blerjen e tokave, pronave, për zhvatjen e agjencisë shtetërore ishte e autorizuar nga Dalladaku. Sipas informatave të mija, ajo ka pas autorizim që të përfaqësojë kompaninë në të gjitha ankandet e blerjet që janë bë në AKP. Përmes autorizimit ka bë pagesat. Qarkullimet kanë shkuar përmes saj. Krejt i keni në AKP. Më 2013 ishte si deputete e ka tërhequr emrin e vet. Më 2010-2013 ka pas autorizim. Ju e konsideroni joligjore kur në pronën shtetërore të spitalit të Prishtinës Faton Dalladaku e ndërton me grupin e tij spitalin? S’konsideroni se ka ndërhyrje te Albulena Haxhiu në vazhdimin e lejes më 2014. S’e konsideroni ndërhyrje? Komuna e Prishtinës ia ka vazhduar lejen objektit. S’kam asgjë kundër biznesit, madje e çmoj, por objekti është nis me krim të organizuar e herëdo kur do të konfiskohet. Është edhe spitali te QMI-ja, dihet se si merr e jep para Fatoni. E keni vënë re në ato incizime”, ka thënë Rama që ka shtuar se organet e rendit dinë për “zhvatjet e Dalladakut”.

Ndërkohë, në një lidhje direkte pas këtyre akuzave, Dalladaku përmes telefonit ka akuzuar Ramën për mashtrim.

“Nuk kam mundësi të debatoj me një mashtrues. Është një psikopat. Mirëpo nuk munda të rri në shtëpi, ky njëfarë njeriu një patriot i rrejshëm. Më është gjuajtur mua duke përmendur edhe ministres. Dua të reagoj sot sepse kam shansin. Jeta e tij e dyshimtë e para luftës nuk më intereson. Është njeri i sëmurë, sharlatan, nuk më lejon kultura ime të merrem me të. Do të ballafaqohemi në gjykatë. Ky që përmend burgun, jam anëtar i familjes nacionaliste, mund të flas për burgun e babait tim... Albulena Haxhiu ishte e angazhuar deri më 2010 përkohësisht dhe ka pas autorizimin tim për punë juridike. Sa i përket privatësisë sime, në mënyrën më ligjore dhe që merrem me spitale unë, për këtë do të ballafaqohet në gjykatë. Është vetë pjesë e sekserëve. Po mundohet të interferojë në hetime. Është duke u munduar që emrin tim ta stigmatizojë me gjithfarë shpifjesh më të këqija që munden. Zonja Haxhiu, për të cilën kam respekt, prej 2010 e ka lëshuar punën dhe ishte inkuadruar në politikë dhe nuk kam kontaktuar asnjëherë më me të. Do të ballafaqohet me gjykatë”, ka deklaruar Dalladaku.

Rama vazhdimisht ka pasur akuza edhe për ministren Haxhiu. Madje ka akuzuar se ia ka marrë edhe veturën e punës së tij për ta shfrytëzuar për vete.

00:05

Rama akuzon Haxhiun e Sveçlën për “vizita ilegale” në depon e Agjencisë për Pasuri të Konfiskuar

Rrahim Rama, i shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS), ka thënë se ministrat në detyrë, Albulena Haxhiu e Drejtësisë dhe Xhelal Sveçla i Punëve të Brendshme, kanë bërë “vizita ilegale” në depon e Agjencisë për Pasuri të Konfiskuar.

Sipas tij, ministrat kanë bërë vizita të pa paralajmëruara dhe pa u takuar me zyrtarët e AAPKS-së.

Ai është shprehur se Prokuroria Speciale duhet të hetojë këto vizita.

“Më 19 mars kur ishte gjendje pandemie kur s’guxonim as të dilnim në rrugë, Albulena Haxhiu dhe këshilltarja Nazlie Bala dhe shefi i kabinetit Blerim Sallahi shkojnë diku kah ora 3-4 në depo pa paralajmërim dhe pa praninë e stafit tim. Ajo e ka marrë me 3 shkurt mandatin. Gati dy muaj nuk ka parë të nevojshme të më thirre a shkojmë ta vizitojmë. Këtu i fotografon Nazlie Bala. Këto i ka në Facebook, Albulena. Ajo bën një lojë. Në mbrëmje shkruan në Facebook se vizitova depon dhe u informova për gjendjen. Nga kush? Nga veturat? Nga polici? Kur e kam thirrur policin pse nuk është regjistruar kjo vizitë ai i rrudhi krahët. Ftoj prokurorinë speciale të hetojë sepse këtu mund të ketë implikime. Dyshoj në qëllimin e tyre. Deri tash s’ka ndodh një vizitë e tillë kur ka sende shumë sensitive”, ka thënë ai teksa ka shtuar se në këtë depo ka prova që ishin marrë edhe nga Lëvizja Vetëvendosje.

Për vizitën tjetër, Rama ka thënë se ka ndodhur në kohën kur vendi kërkonte deputetin Behgjet Pacolli.

“A lejohet ministrja e Drejtësisë të shkojë në mënyrë ilegale. Vizita e dytë ishte edhe më e rëndë. Ishte koha kur e kërkonin Pacollin. Bënim shaka se po e kërkonin Pacollin. Çfarë logjike kishte më 30 prill Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë e Albulena me shumë vetë staf. Tregojnë se ka pasur staf për të përgatitur terrenin se po vjen ministri”, ka shtuar Rama.

Rama ka përmendur edhe një laborator të konfiskuar, që ka thënë se ishte i familjarëve të Balës. Ka thënë se ishte konfiskuar për shkak të drogës.

“Si është e mundur një këshilltare, Nazlie Bala, kur i është marrë laboratori... ne kemi ekzekutuar vendimin e gjykatës. Unë s’kam konfiskuar, kam zbatuar urdhrin e gjykatës.

Ne në vitin e kaluar kemi konfiskuar një laborator me vendim gjykate, që është e familjarëve të Nazlie Balës. Si është e mundur? Ajo s’duhet të punojë në Ministri të Drejtësisë, sepse është konflikt. Atëherë përse rrezikon në mënyrë ilegale që të shohë vetura. Për të parë vetura mund të shkojë në sallonet e veturave. Kemi konfiskuar laboratorin e drogës. Ne kemi konfiskuar laboratorët. Të gjithë që administrojnë ilegalisht ne i konfiskojmë. Është sikur dhomë e dëshmive sepse i shfrytëzojmë për t’i demonstruar në gjykatë dhe nuk guxojmë të prekim asgjë. Ka ndodhur në gusht të vitit të kaluar. Një nga laboratorët më modernë”, ka thënë Rama.

23:49

Rama thotë se u shkarkua vetëm me supozime të Haxhiut

Rrahim Rama, i shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS), ka akuzuar ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun, për “shkarkim të padrejtë”.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka akuzuar Haxhiun për “nguti” në shkarkimin e tij.

Sot Rama ka paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës duke kërkuar pezullim të vendimit për shkëputje të marrëdhënies së punës.

“Të gjithë në Sekretari të Qeverisë më thonë se këso raste s’kanë ndodhur që prej kur ka Qeveri të Republikës së Kosovës. Ka ndodhur kur kanë pas zyrtarë të lartë aktakuza e ka pasur procedurë tjetër. Ose pezullim ose arrestohen, por te rasti im, qe një ministër qysh në inicim thotë se kabineti ka gjetur shkelje ligjore. Inicion procedurën e për çudi koalicionin e udhëheq Haki Abazi e janë anëtarë Xhelal Sveçla, Emilia Rexhepi, Naim Bardiqi dhe Edi Gusia”, ka deklaruar ai. “Kjo do të thotë se asnjë anëtar i koalicionit të LDK-së nuk është në këtë komision gjë që më bën të dyshoj sepse e dimë që LDK-ja ishte në pushtet nga viti 2000 dhe ka më shumë përvojë në çështjet e administratës shtetërore. Ishte komision vetëm sa për të kryer punën, që i ka ngarkuar Albulena”.

Ai ka thënë se nuk ka arritur të shkonte në ftesën e komisionit për shkak të problemeve shëndetësore. Ka thënë se kjo nuk është miratuar nga komisioni.

“Një për qind po të dyshonin se dokumenti mjekësor nuk është valid kishin ngrit padi për dokument të falsifikuar. Direktiva dhe qëllimi i krejt kësaj ishte me më ndërpre marrëdhënien e punës. Qysh në fillim kur ka filluar inicimi është bë gabim. Për pozitat e larta janë dy çështje të ndara, për performancë dhe shkelje detyre. Këta kanë shkuar bashkë, qysh në start kanë shkelur ligjin. Për performancë duhet të formohet komisioni që të vërtetojë çfarë performance kam pas nëse s’ka pas vlerësim në katër javët e fundit. Duhet ekip profesional jo kabinet i ministrisë. Në kërkesë ajo thotë ne kabineti kemi gjetur shkelje. Nëse ishte profesional pse Haxhiu deklaron se është mashtruar nga stafi civil. Kjo ka emëruar një person që nuk e di a ishte këshilltar apo çka, Dukagjin Neziri, që ka udhëhequr gjithë procedurën për të gjetur gjetje për të më inkriminuar mua. I quaj me shirita të kuq sepse ata e pushtojnë pas orës 4. Nuk jam i vetëm. Në takimin që kam pas me ministren, kam pas drejtorin e Zyrës Ligjore edhe pse nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore. Kam shkuar vetëm për të mos i ikur asaj që të mos më akuzojnë se s’po dua të ballafaqohem. Kur e kam pyetur kë e përfaqëson ti çuni? Tha punoj këtu. Thash ti punon këtu? Pastaj e ka emëruar dhe e ka shfuqizur vendimin pas vetëm katër orësh”, ka thënë Rama.

I pyetur për shkeljet që ka vlerësuar Ministria, Rama ka thënë se duhet të ketë shifra e jo vetëm supozime.

“A duhet të jetë ndonjë shifër sa është dëmtuar buxheti apo vetëm supozime. Po të ishte e vërtetë do të duhej të bëhej kallëzim penal në prokurorinë e shtetit. Qëllimi i saj ka qenë puro politik. Për informimin tuaj mua ma kanë vazhduar të tri qeveritë e fundit”, ka shtuar tutje ai.