21:37

Haradinaj: Amerika mirë t’i prijë dialogut Kosovë-Serbi

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Amerika duhet t’i prijë dialogut Kosovë-Serbi.

Ai ka thënë se Bashkimi Evropian nuk po tregohet i aftë në këtë proces. Sipas tij, ata nuk e kanë në plan ta ngutin integrimin e Kosovës në BE.

“Unë mendoj që BE-ja nuk po tregohet e aftë për dialogun Kosovë Serbi. Ata janë tepër të ngadalshëm, nuk iu ngutet. Ata nuk e kanë në plan me e ngut integrimin tonë në BE. Amerikanët e konsiderojnë ndryshe, ata e kanë hallin te krijimi i sigurisë që me u marrë me tema të botës. Me Amerikën mund të vijmë te një vendim që kishim pas me ardh pas 10 vitesh me BE-në”, ka thënë ai.

Haradinaj thotë se askush nuk e ka obligim t’i jap diçka Serbisë në këmbim të njohjes reciproke. Sipas tij, njohja nga Kosova ka shumë rëndësi për ta.

Ai tutje ka shtuar se ka kaluar rreziku për shkëmbim të territoreve. Ai thotë se lëvizja e kufijve nuk është më opsion.

“Nuk besoj që lëvizja e kufijve është opsion. Rreziku është te Dodik Republika. Unë jam kundër Dodik Republikës por nuk duhet ta frikësojmë vetën me të. Për me heq këtë frikë ne duhet të themi që Kosova është për njohje reciproke brenda kufijve ekzistues”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka potencuar se me partnerin e koalicionit, LDK-në, janë marrë vesh sa i përket demarkacionit.

“Sa i përket demarkacionit, jemi ra dakord me implementu obligimin që e kemi marrë nga Kuvendi. Në obligim është edhe raporti i komisionit shtetror. LDK e ka pranuar dhe janë dakord. Partnerët janë në dijeni për korrigjim në drejtim të Kullës dhe Çakorrit. Ju shpjegojnë vet, edhe ata kanë njohuri paraprake për opsionet që me ardh deri te korrigjimi i marrëveshjes në dy drejtime. Kufiri ekziston dhe ne e korrigjojmë marrëveshjen, gjithashtu kemi rëndë në dakord për asociacionin brenda Kushtetutës së vendit”, ka thënë ai.

21:00

Haradinaj: Kurtin e quajta mashtrues shkaku i akuzave të tij rreth rezervës shtetërore

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së ka sqaruar se përse e ka quajtur mashtrues kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti. Kjo, si ka thënë kreu i AAK-së në DESKU të KTV-së, ka të bëjë me akuzat që i ishin bërë rreth shpenzimit të rezervës shtetërore.

“Është buxheti që bëhet këtë vit dhe aty parashihet një shumë. Janë shpenzime rezervë e jo rezervë shtetërore. S’mund ta përdorë askush atë rezervë, sepse ajo është jashtë buxhetit”, ka thënë ai.

Ai po ashtu i është përgjigjur pyetjeve nëse do t’i ishte përgjigjur pozitivisht një ftese eventuale të Kurtit për krijim të qeverisë.

“Kurti kur krijoi Qeverinë ishte përjashtues. Me LDK-në dua ta bëj Qeverinë. Nuk është se na kanë ofruar diçka apo se kemi kërkuar”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, po t’i bënte Kurti ofertë për Qeveri pas zgjedhjeve, atëherë do të kishte qenë ndryshe.

Ai ka thënë se pranon përgjegjësinë për çdo faj të Qeverisë së tij.

“S’i iket përgjegjësisë”, ka thënë ai. Haradinaj ka shtuar se ishte bërë gati për katër vjet opozitë. “Jam bërë gati për katër vjet opozitë, për t’u marrë me AAK-në”, ka shtuar ai.

20:59

Haradinaj: Kurti ishte përjashtues, nuk la hapësirë për partitë tjera pos LDK-së

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka qenë përjashtues pasi fitoi zgjedhjet e 6 tetorit.

Ai thotë se Kurti nuk la hapësirë për asnjë partner tjetër përveç LDK-së.

“Kurti kur ka krijuar qeveri ka qenë përjashtues, ka thënë se nuk dua askënd prej jush se jeni të këqij, nuk na ka dhënë ndonjë rol e as përgjegjësi. Tash ai që shkoi i vetëm, ra, tash nuk ka më qeveri Kurti”, ka thënë ai.

Haradinaj tutje ka shtuar se në koalicionin me LDK-në, nuk kanë bërë kërkesë për ndonjë ministri të veçantë.

“Qëllimi im ka qenë kësaj here vetëm me ndihmu, kemi dërguar figura që nuk kanë arrogancë të karrierës, Besnik Tahiri, Selim Selimi, Meliza Haradinaj. Ju kam thënë që është kohë krize dhe ne duhet të përkujdesemi për situatën. Situata është emergjente”, ka thënë ai.

Ai tutje ka folur edhe për gjendjen me pandeminë, duke shtuar se është krijuar situatë e rëndë ekonomike.

I pari i AAK-së ka thënë se është e nevojshme një qeveri e re për shkak të rikthimit të ekonomisë.
 

20:42

Haradinaj: Qeveria Hoti s’do të bëhet palë e eksperimenteve për kufij

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së ka thënë se Qeveria potenciale Hoti nuk do të jetë palë e eksperimenteve me kufij.

“Qeveria është e garantuar që nuk bëhet palë për eksperimente me kufij Kosovë-Serbi”, ka thënë ai në DESKU të KTV-së.

Atij i është kërkuar të komentojë qëndrimet e presidentit Thaçi dhe nëse sheh rrezik prej tyre.

“Rreziku është permanent nga qëndrimet e caktuara. Edhe një ministër mund të shkaktojë probleme, e lëre më presidenti”, ka thënë ai.

Sipas Haradinajt, me përjashtim të Lutfi Hazirit, LDK-ja është kundër.

“Bazuar në këtë e ndiej se me LDK-në, në të gjitha bisedat që kam pasur, përjashto Lufti Hazirin, kjo parti ka qenë kundër eksperimenteve me kufi Kosovë-Serbi. Nëse ata janë kundër, nuk shoh rrezik sa i përket vetë Qeverisë. Rreziku mbetet tek presidenti dhe jo qeveri”, ka thënë ai.

20:32

Haradinaj: S’do të ketë rikthim të taksës

Sipas liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, taksa në Qeverinë Hoti nuk do të kthehej. Ai, në DESKU të KTV-së ka thënë se kjo çështje është e kryer.

Sipas Haradinajt, çështja e taksës është kryer, ajo është hequr.

“Taksa është hequr, s’ka kthim të taksës”, ka thënë ai.

Haradinaj ka treguar se nuk e ka pasur të lehtë të merrte vendimin për taksën, sa ishte kryeministrin.

Ndërkohë, ai ka thënë se reciprocitet me Serbinë ka pasur dhe se Kurti nuk ka pasur nevojë ta bëjë të madhe atë gjë.

“Reciprocitetin nuk e diskutoj, është legjitim dhe e drejtë e Kosovës. Mendoj që nuk ka pasur nevojë heqja e taksës të kompenzohej me fitore se po vëmë reciprocitet. Nuk e di pse iu desht t’i jepte aq shumë peshë”, ka thënë ai.

Haradinaj ka folur edhe për kohën e negociatave.

“Gatishmëria jonë në tavolinë është shfrytëzuar herëpasherë prej Serbisë, ta fuqizojë veten në shumë rrafshe. Në shumicën e rasteve, Serbia ka qenë e shkathtë të mos i zbatojë obligimet e marrëveshjes, por edhe ta fuqizojë veten në drejtime të caktuara”, ka thënë ai.

20:08

Haradinaj: AAK-ja pranon çfarëdo vendimi të Kushtetueses, rrezik nëse dekreti i Thaçit shpallet antikushtetues

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, ka thënë se partia e tij do të pranojë çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.

ka thënë se askush s’duhet të veprojë kundër vendimeve të Kushtetutës.

“Po. E pranojmë çfarëdo vendimi. Po besoj që po. Varet a u pëlqen. Ndoshta edhe neve s’na pëlqen, por s’mund të veprosh kundër vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai në Deskun e KOHËS.

Megjithatë, sipas Haradinajt, që ka nënshkruar marrëveshje me LDK-në për bashkëqeverisje, do të ishte rrezik për demokracinë e Kosovës, nëse dekreti do të shpallej antikushtetues.

“Është rrezik për demokracinë nëse krijojmë standard se nëse i pari s’krijon qeveri për arsye se s’ka shumicën, e pastaj s’ka alternativë tjetër duhet të shkojmë në zgjedhje, është luks i demokracisë. Demokracia jonë e re nuk e ka këtë luks. E kemi vështirë si Kosovë të pranojmë standard të tillë se nëse AAK-ja ka fituar zgjedhjet dhe për një arsye nuk është në gjendje të krijojë shumicë parlamentare, ose s’do, është problem që e vetmja zgjidhje të jenë zgjedhjet”, ka thënë tutje ai.

Sipas tij, Kushtetuesja duhet të sqarojë edhe një masë për shpërndarje të Kuvendit. Haradinaj ka thënë se kjo s’është akt i lehtë e se “ka logjikë që deputetët të mos votojnë për vetëshpërndarje”.