Drejtësia e munguar

Bota kishte kthyer sytë kah Kosova në marsin e vitit 1999. Po bëhej përpjekje që krimi i ushtrisë se Slobodan Milosheviqit të ndalej. Bombardimet e NATO-s kishin filluar. Por, reagimi ndërkombëtar vetëm sa nxiti kreun serb Milosheviq dhe regjimin e tij që të ashpërsojë fushatën e tij kriminale ndaj shqiptarëve të Kosovës. Bombardimeve të NATO-s shteti serb iu përgjigj me një fushatë të re spastrimi etnik të Kosovës. Vrasjet masive, djegiet e shkatërrimet, dhunimet dhe dëbimet e shqiptarëve, burra, gra, pleq e fëmijë, u bënë përditshmëri në Kosovë. Forcat serbe, me mijëra ushtarë, policë e vullnetarë, u vunë në aksion për të zbrazur vendin nga shqiptarët.
Bota nuk mund të injoronte atë që ndodhte. Drejtësia ndërkombëtare u vu në lëvizje. Më 27 maj 1999, Tribunali i Hagës bëri publike aktakuzën kundër Milosheviqit dhe katër zyrtarëve të tjerë të lartë serbë. Akuza ishte për planifikim dhe ekzekutim të vrasjeve dhe dëbimeve të civilëve shqiptarë në Kosovë. Krime lufte dhe krim kundër njerëzimit.
Intervenimi i NATO-s i hapi rrugë përballjes me drejtësinë të atij që e quanin “Kasapi i Ballkanit”.
“Do të duhet kohë, por me forcën tuaj dhe vendosmërinë tuaj nuk ka dyshim se çfarë do të jetë rezultati. Fushata e spastrimit etnik në Kosovë do të përfundojë dhe do të ktheheni”, ishte porosia e Bill Clintonit, atëkohë president i SHBA-së, për më shumë se një milion refugjatët kosovarë të dëbuar nga regjimi i Milosheviqit.
“Ekziston dyshim i bazuar për të besuar se këta të akuzuar janë përgjegjës penalisht për dëbimin e 740,000 shqiptarëve të Kosovës dhe për vrasjen e 340 shqiptarëve të Kosovës”, kishte thënë asokohe kryeprokurorja Louise Arbour, në një konferencë shtypi në Hagë.
Fundi i luftës solli edhe më shumë dëshmi për krimet e kryera. Aktakuza u zgjerua, dhe derisa Kosova u çlirua nga Serbia, në vitin 2000 edhe Serbia shfrytëzoi rastin të lirohet nga Milosheviqi. Më 5 tetor 2000 ai u rrëzua nga pushteti, dhe një vit më vonë, nën presionin e madh të bashkësisë ndërkombëtare, Milosheviqi u ekstradua në Hagë, ku edhe do të gjykohej.
Qindra dëshmitarë u vunë përballë personit që ishte përgjegjës për tri luftëra, ku ndodhën krime të rënda kundër civilëve – Kosovë, Bosnje dhe Kroaci.
Gjykimi zgjati, pasi që aktakuza e tij u zgjerua, dhe asaj për krime në Kosovë iu shtuan edhe krimet në Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë. Dhe, në fund, në vend se të dënohej, pak para shpalljes së verdiktit, Milosehviqi vdiq në burgun e Hagës, duke e lënë procesin e tij përgjithmonë të papërmbyllur.
Megjithatë, të akuzuarit e tjerë me të, dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë serbë që u akuzuan pas tij, u dënuan për krimet e kryera në Kosovë.
Zëvendëskryeministri jugosllav, Nikola Shainoviq, u dënua me 22 vjet burgim. Kreu i ushtrisë, Dragolub Ojdaniq, u dënua me 15 vjet burgim. Kreu i policisë, Sreten Lukiq, u dënua me 22 vjet burgim. Komandanti i forcave ushtarake serbe për Kosovë, Nebojsha Pavkoviq, u dënua me 22 vjet burgim. Zëvendësministri i Brendshëm, VLastimior Gjorgjeviq, u dënua me 15 vjet burgim.
I gjithë aparati shtetëror serb u dëshmua se ishte përgjegjës për fushatën kriminale kundër shqiptarëve.
Historia e shtypjes
Historia e shtypjes së Kosovës është e gjatë. Që nga koha e mbretërisë serbe, Kosova ishte mbajtur dhunshëm nga Beogradi. Situata nuk ndryshoi shumë as në Jugosllavinë e pas Luftës së Dytë Botërore. Një përmirësim u vërejt me përmirësimin e pozitës kushtetuese të Kosovës me kushtetutën e Jugosllavisë socialiste të vitit 1974, kur vendi fitoi autonominë. Por, kjo autonomi u mor me dhunë nga pushteti jugosllav kur në Beograd në krye të regjimit komunist nisi të ngrihej Slobodan Milosheviqi. Kosova u vu në izolim nga Serbia, u vendos nën masat e dhunshme, dhe shqiptarët nisën të trajtoheshin hapur si qytetarë të rendit të dytë. Shqiptarët po dëboheshin nga puna, po bëhej përndjekja politike e shqiptarëve.
Kosova nisi rezistencën e saj. Fundi i viteve ’80 dhe gjysma e parë e viteve ‘90 ishin kohë e protestave paqësore dhe rezistencës pasive. Të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, shqiptarët e Kosovës shpresuan se rezistenca e tyre do të përkrahej nga Perëndimi.
Por, Milosheviqi kishte plane të tjera. Ai nisi luftërat në Slloveni, Kroaci e Bosnjë-Hercegovinë, duke shkatërruar edhe vetë shtetin e përbashkët, Jugosllavinë socialiste. Në fund, republikat e tjera u pavarësuan nga Serbia, ndërsa Kosova mbeti e pushtuar prej saj. Koha e rezistencës pasive kaloi, në skenë u shfaq Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Kosova hyri në zjarrin e luftës.
Por, forcat e Milosheviqit për armik nuk kishin vetëm UÇK-në, por këdo që ishte shqiptar. Tentimet për ndërmjetësim të një marrëveshjeje nga bashkësia ndërkombëtare dështuan për shkak se Beogradi nuk pranonte negocim.
Krimet e mëdha nisën. Zona të ndryshme të Kosovës u kthyen në gërmadha. Pamjet e masakrave në Kosovë po e pushtonin botën. Frika ishte nëse do të ndodhte diçka e tillë e ngjashme si në Kroaci dhe Bosnjë. Mediat vendore e ndërkombëtare e shihnin dhe raportonin rrezikun.
Intenca serbe për të zhbërë shqiptarët e Kosovës u pa qysh në ballafaqimin me familjen Jashari dhe masakrën që ndodhi në Prekaz, në marsin e vitit 1998.
Vrasja e gjithë familjes, përfshirë gratë, pleqtë e fëmijët, tronditi botën, por për pushtetin serb ky ishte një “aksion normal”.
“Ishte një aksion normal policor kundër një krimineli të njohur”, e pati cituar BBC gjeneralin serb Nebojsha Pavkoviq. “Ishte i suksesshëm. Detajet e tjera s’më kujtohen”.
Ato që Pavkoviq i quante “detaje” që nuk i kujtoheshin ishin 55 anëtarë të familjes Jashari, që ishin vrarë. Sipas BBC-së, “në Serbinë Milosheviqiane, natyrisht se ky është krejt një aksion normal policor”.
Mediat e fuqishme botërore këtë masakër e cilësuan si një thirrje të mprehtë për ata mijëra burra shqiptarë që u ishin bashkëngjitur radhëve të, deri më atëherë, një grupi të vogël e nën hije të luftëtarëve të njohur si UÇK.
Vrasjet do të vazhdonin.
Në fshatin Reçak të Komunës së Shtimes, në janarin e vitit 1999, kishte ndodhur një masakër, e cila do ta ndryshonte edhe më shumë kahun e asaj çka regjimi po bënte. U vranë 45 civilë.
Trupat e të vrarëve kishin mbetur në këtë luginë deri në mëngjesin e 16 shkurtit të vitit 1999. Më 16 shkurt, në mëngjes, në Reçak shkoi William Walker, asokohe shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë. Walker atëkohë u trondit.
"Fatkeqësisht nuk kam fjalë për të përshkruar indinjatën time personale ose atë të të gjithë atyre që ishin me mua në vendin e asaj që mund të quhet vetëm si një mizori e papërshkrueshme", pati thënë ai. Pak muaj më vonë Kosova do të tronditej edhe nga një masakër tjetër.
Në një fshat të vogël në Skenderaj të quajtur Izbicë u vranë rreth 150 persona.
Masakra e Izbicës zë vend edhe në raportin e Departamentit të SHBA-së.
Atëkohë u publikuan edhe fotografitë e bëra nga sateliti, në të cilat qartë shihen 147 varrezat e reja në Izbicë.
Edhe pse trupat ishin varrosur nga bashkëfshatarët, ata u zhvarrosën sërish nga forcat serbe, duke i dërguar në lokacione të ndryshme në Kosovë e Serbi.
Pak ditë më vonë sërish zona e Drenicës do të përballej me një tjetër masakër- atë në fshatin Rezallë.
Nga ushtria dhe policia serbe u ekzekutuan 98 shqiptarë, banorë të Rezallës dhe fshatrave përreth, nga të cilët 44 ishin të zhdukur, disa prej tyre u gjetën ndër vite në Rudnicë të Rashkës. Mbijetuan vetëm tre persona.
Kosova u përgjak edhe më tej me të tjera masakra, si ajo e Burgut të Dubravës, masakra e Studimës, masakra e Rugovës së Hasit, ajo e Krushës, në Qyshk të Pejës e raste të tjera.
Këto masakra u bënë pasqyra e regjimit të kryetarit të atëhershëm të Serbisë, Slobodan Milosheviq. Pamjet e tyre të shpërndara në botë bënë që NATO të bombardonte Serbinë, gjë që bëri që Serbia të shkëputej nga veprimet kriminale në Kosovë.
Intervenimi i NATO-s bëri që Slobadan Milosheviqi të ndiqej penalisht. U bë kryetari i parë i një vendi që do të gjykohej me akuza si kriminel lufte.
Procesi gjyqësor i shekullit pa epilog për “kryekriminelin”
Slobodan Milosheviqi edhe pse po konsiderohej një nga kriminelët më të mëdhenj të Ballkanit, prapëseprapë po vazhdonte synimet politike.
Pas humbjes së zgjedhjeve presidenciale në shtator të vitit 2000, ai refuzoi të pranonte humbjen, derisa protestat masive detyruan atë të jepte dorëheqjen një muaj më pas. Ai ishte akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim të pushtetit dhe më në fund u dorëzua tek autoritetet serbe më 1 prill 2001, pas një ngecjeje prej 26 orësh. Në qershor, ai ishte ekstraduar në Holandë dhe ishte akuzuar nga një gjykatë për krimet e luftës të Kombeve të Bashkuara.
Në gjykim janë paraqitur shumë dëshmitarë. Një pjesë e tyre të mbijetuar të masakrave.
Dëshmitë e tyre i kanë dhënë figura të rëndësishme politike e publike në Kosovë, por edhe nga jashtë.
Dëshmia e Wesley Clark – gjeneralit të NATO-s, ishte konsideruar si shumë e rëndësishme. Një fjali e shkëputur nga gjykimi e që Clark e kishte cituar Milosheviqin mbetet si fjalia që shpjegon më së thjeshti regjimin e tij. “Dhe u kthye nga unë e më tha: ‘gjeneral Clark’, ‘Ne dimë si të merremi me këta vrasës, këta përdhunues, këta kriminelë’. ‘E kemi bërë më parë’. Unë thashë, ‘Ani, kur?’ Ai tha, ’Në Drenicë, në vitin 1946’, E unë thashë, ‘Çfarë keni bërë?’ Ai tha, ‘I vramë’. ‘I vramë të gjithë’”.
Një gjë të tillë e kishte thënë në sy të tij.
Aktakuza ishte voluminoze. Veprat për të cilat ai akuzohej lidheshin kryesisht me krime lufte, por jo vetëm.
Ai po akuzohej për gjenocid në tri shtete.
Sipas aktakuzës vrasjet në Kosovë ishin kryer në mënyrë sistematike me qëllim të spastrimit etnik. Ishin vrarë burra, gra e fëmijë. Ish-RFJ-ja, sipas aktakuzës, kishte kryer sulme seksuale, dhunime në Kosovë, veçanërisht ndaj grave.
Rreth 80 mijë civilë ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre.
“Fushatë të përhapur ose sistematike të shkatërrimit të pronave të civilëve shqiptarë të Kosovës, e cila u arrit me granatimin e gjerë të qyteteve dhe fshatrave, djegien dhe shkatërrimin e pronës, përfshirë shtëpitë, fermat, bizneset, monumentet kulturore dhe vendet fetare; dhe shkatërrimin e pronës private, që bëri fshatra, qytete dhe rajone të tëra të pabanueshme për shqiptarët e Kosovës”, thuhej në përmbledhjen e aktakuzës.
Vrasje të qindra civilëve shqiptarë të Kosovës – burra, gra dhe fëmijë, që u kryen në mënyrë të gjerë ose sistematike anembanë krahinës së Kosovës.
Fushatë të përhapur ose sistematike të shkatërrimit të pronave të civilëve shqiptarë të Kosovës, e cila u arrit me granatimin e gjerë të qyteteve dhe fshatrave djegien dhe shkatërrimin e pronës, përfshirë shtëpitë, fermat, bizneset, monumentet kulturore dhe vendet fetare; dhe shkatërrimin e pronës private, që bëri fshatra, qytete dhe rajone të tëra të pabanueshme për shqiptarët e Kosovës.
Aktakuza e parë kundër Slobodan Milosheviqit, Milan Milutinoviqit, Nikola Shainoviqit, Dragolub Ojdaniqit dhe Vlajko Stojilkoviqit, në lidhje me krimet e kryera në Kosovë, u konfirmua më 24 maj 1999 dhe u bë publike më 27 maj 1999. Kjo aktakuzë u ndryshua më 29 qershor 2001. Më 29 tetor 2001 Prokuroria paraqiti aktakuzën e ndryshuar për herë të dytë. Më 5 shtator 2002, Dhoma Gjyqësore ndau procedurat gjyqësore kundër Slobodan Milosheviqit prej të akuzuarve të tjerë.
Aktakuza pohon se ndërmjet 1 janarit 1999 dhe 20 qershorit 1999, Slobodan Milosheviqi mori pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale (NPK) së bashku me një numër individësh të tjerë, duke përfshirë Milan Milutinoviqin, Nikola Shainoviqin, Dragolub Ojdaniqin, Vlajko Stojilkoviqin dhe të tjerë të njohur dhe të panjohur.
Sipas aktakuzës, gjatë periudhës në fjalë, Slobodan Milosheviqi ishte kryetar i RFJ-së, kryetar i Këshillit Suprem të Mbrojtjes së RFJ-së dhe komandant suprem i Ushtrisë Jugosllave, (UJ).
Në përputhje me pozitën e tij ai ushtroi autoritet komandues mbi UJ-në dhe forcat e policisë në vartësi të UJ-së. Përveç pushtetit të tij de jure, ai gjithashtu ushtroi kontroll de facto mbi institucione të shumta kyç ose të përfshira në kryerjen e krimeve të deklaruara në aktakuzë.
Shteti i dytë, për të cilin aktakuza pretendon se Slobodan Milosheviqi kishte kryer krime lufte në Kroaci. Krimet datonin më herët se në Kosovë.
Shfarosjen dhe vrasjen e civilëve kroatë kishte për qëllim Milosheviqi sipas Tribunalit të Hagës.
“Shfarosjen ose vrasjen e qindra civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë, përfshirë gra dhe pleq, në Dal, Erdut, Klisa, Lovas, Vukovar, Voqin, Baqin, Saborsko dhe fshatrat fqinje Shkabrnja, Nadin, Bruska, dhe Dubrovnik me rrethinë”, thuhet në përmbledhje të aktakuzës.
Me tej theksohen kamp-burgjet që regjimi i Milosheviqit i kishte aplikuar në këtë shtet.
”Burgosje dhe privim nga liria në mënyrë të zgjatur dhe të përsëritur të mijëra civilëve kroatë dhe civilëve të tjerë joserbë në objekte burgimi brenda dhe jashtë Kroacisë, duke përfshirë kamp-burgjet në Mal të Zi, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë”, thuhet aty.
Njëjtë sikur në Kosovë, edhe në Kroaci ishin dëbuar rreth 170 civilë.
“Shkatërrimin e qëllimshëm të shtëpive, pronës tjetër private dhe publike, institucioneve kulturore, monumenteve historike dhe vendeve të shenjta të kroatëve dhe popullatës tjetër joserbe në Dubrovnik dhe rrethinë, Vukovar, Erdut, Lovas, Sharengrad, Bapska, Tovarnik, Voqin, Saborsko,Shkabrnja, Nadin, dhe Bruska.”, thuhet në faqen e Tribunalit të Hagës.
Krime të tjera listoheshin, siç janë : imponimin dhe mbajtjen e kushteve çnjerëzore të jetesës për të burgosurit civilë kroatë dhe për të burgosurit e tjerë civilë joserbë brenda objekteve të përmendura të burgimit.
Bosnja po ashtu është vendi që ka përjetuar krimet e Slobodan Milosheviqit.
Vrasje të përhapura të mijëra myslimanëve të Bosnjës gjatë dhe pas marrjes nën kontroll të territoreve brenda Bosnjë-Hercegovinës.
Vrasjen e mijëra myslimanëve të Bosnjës në objektet e burgimit brenda Bosnjë-Hercegovinës.
Shkaktim të dëmtimit të rëndë trupor dhe mendor ndaj mijëra myslimanëve të Bosnjës gjatë kohës së qëndrimit të tyre në objektet e burgimit brenda Bosnjë-Hercegovinës.
Burgosjen e mijëra myslimanëve të Bosnjës në objektet e burgimit brenda Bosnjë-Hercegovinës në kushte jetese të llogaritura për shkatërrimin fizik të një pjese të atyre grupeve, nëpërmes urisë, ujit të ndotur, punës së detyruar, kujdesit mjekësor të papërshtatshëm dhe sulmeve të përhershme fizike dhe psikologjike.
“Shfarosje, vrasje dhe vrasje me paramendim të joserbëve, kryesisht të myslimanëve të Bosnjës dhe kroatëve të Bosnjës që jetonin në territoret në Banja Llukë, Bihaq, Bijeljin, Bileqa, Bosanska Krupa, Bosanski Novi, Bosanski Shamac, Bratunac, Brçko, Çajniçe, Doboj, Foça, Gacko, Sarajev (Ilijash), Kljuç, Kalinovik, Kotor Varosh, Nevesinje, Sarajevo (Novi Grad), Prijedor, Prnjavor, Rogatica, Sanski Most, Srebrenica, Tesliq, Vishegrad, Vlasenica dhe Zvornik.”, thuhet në përmbledhje të aktakuzës.
Ai nuk është dënuar për gjenocid në asnjërin shtet. Milosheviqi vdiq në qelinë e tij pas një sulmi në zemër, para se gjyqi i tij të përfundonte.
“Shkatërrimi i rastit me bashkimin e aktakuzave”
Krimet në këto tri shtete kanë ndodhur në periudha të ndryshme, por megjithatë janë bashkuar në një proces gjyqësor të vetëm.
Pas vdekjes se Milosheviqit ishte diskutuar shumë nëse procesi gjyqësor nëse nuk do të ishte i përbashkët do të mund të kishte dënim përfundimtar për së paku gjenocidin e njërit shtet për ku akuzohej.
Bashkimi i aktakuzës për tri shtete ishte vendosur më shumë se dy vjet pasi hetimi kishte nisur në këtë drejtim.
Arsyeja që ka dhënë prokurori Geofrey Nice në atë kohë, ka qenë se faktet dhe akuzat kanë pasur të bëjnë “me të njëjtën skemë, apo plan”, dhe pikërisht përpjekjen e Milosheviqit për të krijuar Serbinë e Madhe – “një shtet të centralizuar serb me përfshirjen e zonave të banuara nga serbët në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë dhe gjithë Kosovën”.
“Pa pasur një pamje të qartë, do të jetë shumë e vështirë për trupin gjykues të gjykojë këtë njeri, veprimet dhe mendimet e tij”, pati thënë Nice, i cili ka vazhduar të thotë se një gjyq i vetëm do të krijonte “kushte më të mira”, përfshirë një kohëzgjatje më të shkurtër dhe një listë më të shkurtër dëshmitarësh.
Një gjyqtar gjatë procesit kishte vdekur.
Një raportim për këtë çështje e pati bërë redaktorja e Institutit për Raportim të Luftës dhe Paqes, Rachel S. Taylor.
Pak kohë pas vdekjes se Milosheviqit kishte shtruar dilemën nëse gjyqësori i Hagës atëkohë ishte i efektshëm.
Tre persona në këtë artikull atëkohë kishin dhënë vërejtjet për këtë.
Marieke Vierda, bashkëpunëtore e vjetër në Qendrën Ndërkombëtare për Drejtësinë në Transicion dhe një ish-bashkëpunëtore e gjykatësit May, pati thënë rreth 15 vjet më parë se pasja e një çështjeje kaq të madhe është një “rrezik i madh”, sepse “nëse i pandehuri konsiderohet i paaftë për t’u gjykuar apo vdes gjatë gjykimit, atëherë, gjykata nuk ka më asgjë në dorë”.
Ajo kishte thënë se pasi të kishte përfunduar gjykimi për Kosovën, atëherë do të kishte pasur edhe më tepër argumente për një tjetër gjyq për krimet në Kroaci dhe Bosnjë. Por, ka thënë ajo, duhet të ngrihet pyetja “nëse ekzistonte ende një gatishmëri në radhët e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht vendeve donatore, për të vazhduar me dy çështjet e tjera”. Dhe nëse jo, “A do të kishim atëherë një boshllëk të madh historik dhe a nuk do të shkaktonim pakënaqësi në radhët e viktimave?”
Munira Subasiq, para gati 15 vjetësh president i Shoqatës së Grave të Srebrenicës, pranon këtë tezë, duke thënë se “Unë do të ndihesha e turpëruar dhe e tradhtuar nëse Milosheviqi nuk do të gjykohej për krimet e luftës në Bosnjë.
Atëkohë Richard Dicker, drejtor i atëhershëm i Programit të Drejtësisë Ndërkombëtare për organizatën “Human Rights Watch", ka thënë se pas bashkimit të të tria akuzave në një proces gjyqësor, mund të kishte qenë më mirë të kufizohej numri i akuzave – pra ulja e 66 akuzave të ngritura nga prokuroria në disa më pak.
Që nga viti 1989, kur ishte emëruar si president i Serbisë, diktatori dhe gjakpirësi Slobodan Milosheviq ka zhvilluar tri luftëra të mëdha në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Regjimi i tij është përgjegjës për më shumë se 200 mijë persona të vrarë, dhjetëra e mijëra të tjerë të plagosur, dhjetëra e mijëra gra të dhunuara e miliona të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Kurti për kërcënimin për luftë: Jemi vigjilentë, por jo të frikësuar

Mosfunksionimi i kondicionerëve ndërlikon punën në Pallatin e Drejtësisë
