Arbëri

Presidenti i Austrisë shkel rregullat e daljes dhe kapet nga policia në restorantin e shqiptarit në Vjenë

 

Për shkak të pandemisë në Austri lokalet duhet të mbyllen në orën 23:00. Presidenti austriak e ka harruar këtë rregull dhe është zbuluar nga policia – në lokalin e një shqiptari në Vjenë. Alexander van der Bellen ka kërkuar falje tashmë.

Restoranti “Sole” në Vjenë vështirë të ketë pasur reklamë më të fuqishme se sot në mediat austriake. Kjo për shkak të një mysafiri prominent. Pas një kohe të gjatë presidenti austriak Alexander van der Bellen mbrëmë vendosi të dalë për darkë me bashkëshorten dhe me dy miq. Pas mesnatës në kopshtin e lokalit “Sole” një patrullë e policisë austriake takoi dy mysafirë – me pije mbi tavolinë. Ishin presidenti dhe gruaja e tij, dy miqtë e tyre me gjasë ishin larguar më herët.

Sipas rregullave të reja të vendosura për shkak të virusit korona, lokalet në Austri duhet të mbyllen në orën 23:00. Lajmin për kapjen e presidentit në restorant e kanë bërë të ditur gazetat austriake dhe ndërkohë ka njoftuar edhe “Der Spiegel” në Gjermani.