13:31

Thaçi akuzon Kurtin për uzurpim të Zyrës së kryeministrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Albin Kurti ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare.

“Ne të gjithë duhet të fokusohemi në respektimin e plotë të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, për fat të keq kemi një njeri që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit edhe pas dy shkeljeve të rënda kushtetuese dhe po sillet si njeri i paligjshëm në skenën politike kosovare, si do që të jetë ne duhet të kemi durim, duhet që qartësisht të punojmë por edhe të respektojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë në ditët në vijim”, tha ai.

Sipas tij, vendimet e gjykatave duhet të respektohen, duke shtuar se vetë ai çdoherë i ka respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, edhe kur i kanë pëlqyer por edhe kur nuk i kanë pëlqyer.

"Unë kam respektuar gjithmonë edhe kur më kanë pëlqyer edhe kur nuk më kanë pëlqyer fare, por sido që të jetë askush nuk është mbi Kushtetutën, mbi ligjet. Unë si president i vendit do të vazhdojë të respektojë gjithë mandatin tim që del nga Kushtetuta e Kosovës, në veçanti me garantimin e funksionimit demokratik të institucioneve të vendit, duke përfshi këtu edhe Gjykatën Kushtetuese sepse mandati im nuk buron nga Gjykata Kushtetuese, por nga Kushtetuta. Ftesa ime është për të gjithë respektim i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që do të del", tha ai.

Thaçi këto komente i bëri pas vizitës në burgun e Dubravës, ku kujtojë të gjithë të burgosurit shqiptarë, të vrarë para 21 vjetëve.

13:15

Heshtja ndërkombëtare po i amniston masakrat e Serbisë në Kosovë, thotë Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi, në shenjë nderimi për të burgosurit shqiptarë të vrarë para 21 vjetësh, ka vizituar gjatë ditës Burgun e Dubravës në Komunën e Istogut.

Ai ka thënë se masakra në Dubravë është ndër masakrat më çnjerëzore që ka kryer Serbia në Kosovë.

Thaçi tutje ka thënë se përmes heshtjes, ndërkombëtarët po vazhdojnë t’i amnistojnë krimet që Serbia ka kryer në Kosovë.

“Kjo është një nga masakrat më çnjerëzore që ka kryer Serbia ndaj shqiptarëve. Ajo ka ushtruar gjenocid ndaj popullatës shqiptare. Si shtet i Kosovës do të vazhdojmë të punojmë që drejtësia të ngadhënjejë por shprehim shqetësimin për një lloj amnistie nga heshtja ndërkombëtare ndaj kësaj masakre por edhe masakrave tjera”, ka thënë ai.

Thaçi ka shtuar se Serbia herët apo vonë do të ballafaqohet me masakrat që i ka kryer në Kosovë.

21 vjet më parë në Burgun e Dubravës ka filluar të kryhet njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i Milosheviqit. Brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej datës 19 deri më 24 maj 1999. Ende për këtë masakër nuk është dënuar askush.