21:23

Bokshi: Mungesa e strategjisë krijoi Gjykatën Speciale

Teki Bokshi, avokat, në emisionin Desku në KTV ka thënë se mungesa e strategjisë dhe mos aktiviteti i mjaftueshëm ka bërë që të krijohet Gjykata Speciale në Kosovë.

Ai ka rrëfyer se si kishte nisur bashkëpunimin me Natasha Kandiqin dhe vizitat në burgjet e Serbisë.

“Kur Natasha Kandiqi kishte ardhur në Rahovec dhe e kam takuar ajo na tha se nëse dëshironi unë mund t’iu krijoj kushtet që me ardhë në Serbi dhe me shku me i vizituar të burgosurit në burgjet serbe. Ideja ka qenë që të shkojmë të vizitojmë të burgosurit për me hulumtuar se a e dinë ata se ku janë personat e humbur. Puna në aktivitetin e parë që e kemi bërë atje me shumë peripeti Natasha ka siguruar listën e njerëzve të burgosur, kush janë bartë prej Kosovës dhe kush janë gjallë”, ka thënë Bokshi.

Ai tutje ka thënë se në ato lista kanë qenë 2350 të burgosur që janë bartë prej Kosovës dhe të gjithë janë dalë të gjallë. Kush s’ka qenë në ato lista, sipas tij, janë llogaritur si të zhdukur dhe kush nuk ka qenë në atë listë deri më sot nuk është gjetur.

“Prej fundit të korrikut të vitit 1999 ne kemi shkuar dhe praktikisht kemi pasur listat në të gjitha burgjet e Serbisë. Meqenëse në burgun e Mitrovicës ka pasur një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve që s’kanë pasur fare lëndë të hapura. Ata janë marrë ditëve të fundit të luftës, gjatë fushatës së bombardimeve. Atje na nuk kishim ku me marrë leje, zakonisht kur të shkohet të vizitohen të paraburgosurit duhet të merret leje, atëherë prej Gjyqtarit hetues. Ata s’kanë pasur kurrkund dosje të ngritura kështu që me angazhimin e Natasha Kandiqit na kanë caktuar të premten e parë të çdo muaji kemi pasur të drejtë që të shkojmë në shërbim të burgut dhe kemi pasur listat e njerëzve dhe kemi shkuar në vizitë”, ka thënë Bokshi.

Sipas tij Serbia ka vepruar shumë mirë me anë të formimit të një gjykate vendore për të gjykuar krimet e luftës, pritshmëritë prej se cilës në fillim ishin mjaft të mira.

“Ata janë gjetur shumë mirë për mos me iu ndodh ajo çfarë na ka ndodhur neve me Gjykatën Speciale. Ata kanë themeluar Kolegjin për Krime lufte dhe krim të organizuar. Falë presionit të fuqishëm ndërkombëtarë, praktikisht kanë investuar në ish-ndërtesën e zonës ushtarake ka investuar Bashkësia Evropiane ku kanë bërë të gjitha kushtet logjistike. Ishte krijuar një përshtypje se diçka vërtet do të ndodhë”, ka thënë Bokshi. “Por, ata i akuzuan një pjesë të krimeve më monstruoze që kanë ndodhur në Kosovë, por në secilën ditë e vit më tutje praktikisht gjithnjë e më pak. E në pesë vjet e fundit nuk kanë ngritë aktakuza”.

Sipas tij akuza për vrasjen në burgun e Dubravës ka dëshmi të fuqishme.

“Shembull akuza për vrasjen e të burgosurve në burgun e Dubravës, ku janë vrarë mbi 200 persona, ka dëshmi shumë të fuqishme. Sot e asaj dite akuza nuk është ngritë”, ka thënë Bokshi. “Në vitin e kaluar në Serbi janë proceduar dy raste, është përfunduar në fshatin Tërnje, dhe është në procedim e sipër lënda që është kthyer në rigjykim për çështjet e krimeve në Çyshk, Lybeniq, Pavlan dhe Zahaq. Këta janë persona të nivelit të ulët të përgjegjësisë”.

Sipas tij as përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare por as kosovarët nuk kanë bërë mjaftueshëm, derisa thekson se të dhënat për krimet e luftës duhet të centralizohen e jo të jenë të fragmentuara.

“Është krijuar një Instituti për Krime të Luftës që praktikisht nuk janë krijuar kushtet elementare që të punohet në mënyrë efektive. Bosnja e Hercegovina ka krijuar në Agjenci Shtetërore ku janë evidentuar të gjitha krimet e luftës dhe për secilin rast dhe viktimë ka të dhëna të mjaftueshme se ku ka ndodhur e kur ka ndodhur. Për ne të dhënat janë mbledhur në mënyrë fragmentare, nuk janë të centralizuara. Shpresoj që kjo punë të vazhdohet sa më herët pasi ka njerëz që dinë të punojnë dhe që së paku t’i kemi të centralizuara në një institucion”, ka thënë Bokshi. “Sikur sot të na kërkohen të dhënat për krimet e luftës dhe për viktimat duhet të shkojmë te Natasha Kandiqi në Beograd që ka të dhëna shumë më shumë se ne dhe të sistemuara”.

Sipas tij ende nuk është vonë që të centralizohen të dhënat dhe dëshmitë për krimet e luftës në Kosovë.

“Ne duhet të japim shembullin e parë. Kosova e ka mundësinë me e bo, ende nuk është shumë vonë megjithëse janë zbeh apo kanë humbur gjurmët e disa të dyshuarit për krime të luftës kanë vdekur”, ka thënë Bokshi.

Tutje ai ka thënë se nuk mund të ketë amnisti për krimet e luftës.

“Krimet e luftës me konventa ndërkombëtare nuk ka mundësi që të amnistohen. Nuk do të dëshiroja që të ndodhë kurrë ajo, praktikisht do të ishte shkelje e rëndë dhe fyerje ndaj atyre personave që kanë vdekur. Sa e sa shqiptarë janë vrarë gjatë luftës. Shumica e të vrarëve kanë qenë civilë. Prej tyre vetëm 2400 apo 2500 kanë qenë ushtarë (të tjerë civilë)”, ka thënë Bokshi.

Ai pret që Gjykata Speciale të jetë korrekte, porse ajo është krijuar për shkak të mungesës së strategjisë nga pala kosovare.

“Po ta krijonim ne një Gjykatë tonën mendoj se deri të kjo situatë nuk do të vinim. Kjo Gjykatë Speciale është e njëanshme dhe se jam i bindur që do të gjykojnë në mënyrë korrekte dhe të drejtë, por është e rëndësishme se çfarë u servohet atyre. Me mos aktivitet të mjaftueshëm dhe me mangësi të strategjisë ne kemi sjellë veten në një situatë të tillë që kemi krijuar një Gjykatë në të cilën nuk kemi asnjë ndikim. Është dashur që këto të ndodhin në Kosovë”, ka thënë Bokshi.

21:03

Bokshi rrëfen për habinë e serbes kur pa se po gjykohej një i dyshuar për vrasjen e dy shqiptarëve

Avokati Teki Bokshi në emisionin Desku në KTV ka rrëfyer një rast në Gjykatën e Nishit kur një grua kishte shprehur habinë se po gjykohej një i dyshuar për vrasjen e dy shqiptarëve.

Bokshi ka treguar se ka përfaqësuar familjen Bogujevci dhe Duriçi.

“Disa raste më karakteristike që ia vlen të theksoj është se unë kam përfaqësuar familjen Bogujevci dhe Duriçi, në rastin kur është gjykuar Sasha Cvetan, në procedurën kur është nxjerrë aktgjykimi i shkallës së parë, ngase ai aktgjykim nga Gjykata Supreme e Serbisë është prishë, por në riprocedurë ka përfaqësuar një ekip tjetër i avokatëve të Fondit për Drejtën Humanitare në Beograd”, ka thënë ai. “Kështu që unë kam marrë pjesë në gjykimin kur ai është dënuar me 20 vjet”.

Ai thotë se ky ishte një gjykim nën një presion të lartë.

“Dhe sipas bindjes sime atëherë kur është mbajtë gjykimi i qasshëm ka qenë vetëm Sasha Cvetan dhe për hir të realiteti është gjykuar me standarde dhe Fondi për të Drejtën Ndërkombëtare të vetmen vërejtje e ka pasur se pse nuk janë akuzuar edhe bashkëakuzuarit e tjerë, të cilët në ndërkohë janë nxënë. Është fjala për rastin e Podujevës dhe njësitin Skorpionët. Ai ka qenë një gjykim që është përcjellë edhe nga ana e ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë dhe është një gjykim që është mbajtë në rrethana shumë të tensionuara në Serbi. Kjo ka qenë diku në vitin 2005”, ka thënë Bokshi.

Bokshi ka treguar se si Cvetan kishte kërkuar që të gjykohej në Prishtinë.

“Gjyqtarja Biljana Sinanoviq, e cila ka udhëheqë procesin, ka pasur shumë probleme të mëdha me të akuzuarin, i cili shumë shpesh e quante që ju jeni në tradhtare e interesave serbe, unë do të kaloja më mirë po të gjykohem në Prishtinë. Unë do të kërkoj që të më dërgoni në Prishtinë sepse atje sigurisht se do të jenë më korrekt. Në rrethanat e krijuara në kohën e UNMIK-ut besoj se do të kalonte më lehtë, megjithatë ka pasur një mori provash dhe praktikisht ai vet e ka pranuar kur është proceduar për herën e parë në Gjykatën e Prokuples e ka pranuar veprën dhe ka pasur dëshmitarë serbë që kanë qenë në Njësinë Skorpione. Deponimi i tij është kontestuar nga avokatët për shkak se kinse në kohën kur është proceduar ai kinse avokati s’ka qenë aty”, ka thënë ai.

Tutje ai ka rrëfyer për habinë që kishte shprehur një grua se si një ushtarak po gjykohej për vrasjen e dy shqiptarëve.

“Sa për ilustrim po e tregoj një rast kur kam qenë me kolegun tim Mustafa Radoniqi në korridorin e Gjykatës së Nishit dhe ne ishim me një avokat kosovar i përkatësisë serbe i cili mbronte një vrasës, një të dyshuar për krime të luftës në Kosovë dhe ai ishte me një grua dhe në ndërkohë u bashkangjitë edhe një grua tjetër edhe e pyeti ‘për çka je këtu?’ ajo iu përgjigjur se e kam burrin në burg për shkak se po e akuzojnë se ka vrarë dy shqiptarë. Tash kjo gruaja tjetër i thoshte: A për dy shqiptarë po e mbajnë në burg a. Iu doke ajo punë absurde se qysh mundet me e mbajtë pushteti serb një ushtarak që ka vrarë dy shqiptarë kinse sipas saj me vra shqiptarë është punë rutinore dhe e pa sanksionueshme”, ka thënë Bokshi.

Tutje ai ka thënë se tash gjykime penale nuk ka.

“Janë raste të rralla kur i takojnë që janë në evidencë në terminale doganore. Janë dy-tre raste kur i kanë mbajtur nga një muaj dhe i kanë lëshuar”, u shpreh ai. “Unë kam vazhduar të punoj në kuadër të realizimit të drejtave tranzicionale për kompensimin e dëmit për paraburgim kundërligjor. Për shembull grupi i Gjakovës kanë arritur që të lirohen nga përgjegjësia juridikopenale meqenëse ata kanë mbajtur nga 708 ditë paraburgim. Ata kanë qenë të gjykuar me dënim të përbashkët prej 1632 viteve, por në fund Gjykata Supreme pas burgosjes së Milosheviqit u prishë lënda sipas ankesave. E kthyen çështjen në rigjykim dhe e shkruajtën me u mbrojtë në liri. Dhe për 11 vjet më nuk e kanë prekë me dorë, derisa për qëllim të arritjes së kompensimit të dëmit unë me një kolegë kemi ngritur procedurë në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë i kemi atakuar veprimet e organeve të jurispodencës së Serbisë për shkak të shkeljes së të drejtës në gjykim në afat të arsyeshëm”.

E kompensimi është realizuar.

“Dhe neve na ka aprovuar Gjykata Kushtetuese se është shkelë e drejta për gjykim në afat të arsyeshëm. Kështu që ka urdhëruar Gjykatën e Qarkut në Pejë, e cila ka qenë e bartur gjykata paralele e ka urdhëruar që të veprojë sipas kësaj çështje. Dhe meqenëse praktikisht që ka qenë një gjykim krejt farsë Prokurori i çështjes e ka tërhequr akuzën kështu që neve na është krijuar baza juridike që të kërkojmë kompensimin e dëmit dhe pjesa më e madhe është realizuar”, ka thënë Bokshi.

20:51

Bokshi: Aktakuza ndaj Milosheviqit, dokument historik për krimet e luftës në Kosovë

Avokati Teki Bokshi në emisionin Desku në KTV ka thënë se aktakuza ndaj Slobodan Milosheviqit ka mbetur si dokument historik për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë.

Megjithatë, ai thotë se kjo assesi nuk ka vendosur drejtësi.

“Mendoj se assesi nuk është vendosur drejtësia atëherë as me aktakuzë ndaj Milosheviqit edhe me procedimin e bashkëakuzuarve të tjerë - Milan Milutinoviqi, që ka qenë kryetar i Serbisë, Nikolla Shainoviq, Dragoljub Ojdaniq dhe Vllajko Stoilkoviq, në ndërkohë Stoilkoviq ka vdekur, dihet që ka bërë vetëvrasje para parlamentit të Serbisë kur ka marrë ftesën që të paraqitet në Gjykatën e Hagës. Në ndërkohë Milutinoviq është liruar nga aktakuza. Përkundër që kanë peshë historike kjo aktakuzë nuk ka përmbushur asnjë kërkesë dhe pritje, posaçërisht të familjeve të viktimave”, ka thënë Bokshi.

Bokshi thotë se karakteristike është se aktakuza ka marrë vetëm disa prej rasteve të masakrave që kanë ndodhur në Kosovë.

“Në këtë aktakuzë janë përmendur masakra e Reçakut, ku ka pasur 45 viktima, masakra në fshatin Bellacerkë ku kanë qenë 55 viktima, më tutje Krusha e Madhe 103 viktima, në të cilat janë emërtuar edhe viktimat. Në Gjakovë 6 viktima, Pagalishtë 20 viktima, në Izbicë 95 viktima, dhe në fund në Gjakovë grupi tjetër prej 20 viktimave”, ka thënë ai. “Një pjesë e vogël kjo ku janë përmendur 305 viktima me emra e mbiemra, praktikisht ideja e Tribunalit të Hagës janë përmendur viktimat me prova të pakontestueshme. Kjo aktakuzë, meqenëse nuk është përfunduar, ka mbetur si dokument historik për krimet e luftës që janë bërë në Kosovë”.

Tutje ai thotë se për dallim prej aktakuzës që ka pasur Bosnje e Hercegovina, Milosheviqi, ka qenë i akuzuar për gjenocid, në aktakuzën për Kosovën ka qenë i akuzuar për krime ndaj popullsisë civile dhe për shkelje të ligjeve të luftës, duke e përfshirë këtu edhe deportimin, vrasjet, dhe shpërngulje të dhunshme.

“Prandaj, kjo aktakuzë edhe sikur të procesohej deri në fund mendoj se s’i kish përmbushë kërkesat dhe pritjet që kanë qenë. Siç është e njohur janë proceduar dikund rreth 160 e disa persona. Ideja fillestare ka qenë që me këtë aktakuzë t’i përmbahen intensitetit dhe përgjegjësisë juridikopenale të kryersëve të këtyre veprave penale, posaçërisht urdhërdhënësit. Mirëpo, praktikisht këtij kriteri deri në fund nuk u janë përmbajtë për shkak se këtu janë akuzuar gati krejt udhëheqësia politike e ushtarake-policore e Serbisë që është e vërtetë, pavarësisht se si kanë përfunduar ato procese është çështje për diskutim, por ka pasur raste edhe kur janë akuzuar edhe roje të burgjeve dhe nivele të ndryshme. Në njëfar mënyre me këto aktakuza, me politikën e akuzimit nga e ana e Prokurorisë së Trubunalit të Hagës është mbuluar krejt territori i ish-Jugosllavisë”, ka thënë Bokshi.

Ai ka shtuar se është e vërtetë që më së shumti janë akuzuar serbë, pastaj kroatë, boshnjakë, shqiptarë – dy rastet tona të njohura, të cilët iu kanë dështuar atyre, dhe janë liruar.

“Bile në fund janë futur edhe dy të akuzuar maqedonas që të mos mbetet e pambuluar ajo pjesë e pambuluar lidhur me konfliktin që ka ndodhur në Maqedoni. Praktikisht këto gjykime mund të thuhet se kanë qenë politike, për shkak se gjykimet kanë qenë korrekte dhe gjykime që kanë lënë gjurmë edhe në shkencën juridike, në të drejtën penale ndërkombëtare. Prokuroria është ajo që e ka politizuar dhe ajo e ka sjellë në tavolinë gjykatës lëndë”.

Megjithëse, sipas tij, ka pasur edhe vendime krejtësisht të papritshme.

“Shembull është liruar shefi gjeneral i Shtabit të Ushtrisë Jugosllave, Momçillo Perishiq, i cili ka pas të bëjë me bombardimin e Dubrovnikut, me të cilën gjykata e shkallës së parë e ka gjykuar me dënim shumë të lartë, ndërsa në shkallën e dytë e ka liruar në tërësi. Me legjislacioni juridikopenal të Jugosllavisë së atëhershme përgjegjësia komanduese nuk ka qenë e paraparë, megjithëse Tribunali i Hagës ka pasur statutin e vet, në bazë të së cilit i ka paraparë veprat penale”, ka thënë Bokshi.