00:06

Krasniqi: Kosova s’duhet të refuzojë takimet, por të dijë çfarë të kërkojë në to

Sipas Jeta Krasniqit nga KDI-ja, Kosova nuk duhet të refuzojë të marrë pjesë në takimet ku ftohet nga ndërkombëtarët për ndërmjetësim të dialogut me Serbinë. Ajo ka thënë se Kosova duhet të marrë pjesë në takime, por duke ditur se çfarë kërkon aty.

Duke komentuar deklarimet e presidentit Hashim Thaçi se s’do të shkojë në tavolinën e dialogut me Serbinë nën udhëheqjen e Mirosllav Lajçakut nga Sllovakia si përfaqësues i BE-së, Krasniqi ka thënë se duke i refuzuar takimet, nuk mund të evitohen ato.

“Kur s’ka qëndrim unik të 27 vendeve të BE-së, përfaqësuesi i lartë s’mund të mbajë qëndrim. Tani kemi Lajçakun që s’mund të flasë pa pasur miratimin nga 27 vendet. Ne nuk duhet si Kosovë të refuzojmë takime, por duhet të dimë çfarë të kërkojmë në këto takime. Të nxjerrim më të mirën e mundshme. Duke refuzuar takimet, nuk evitohen ato. Lajçaku është caktuar aty e s’mund të ketë ndryshim për nominim të tij”, ka deklaruar Krasniqi.

E ka quajtur kaos politikën e jashtme të Kosovës, teksa ka thënë se ajo është reflektim i asaj të brendshme. Krasniqi ka thënë se Kosova duhet të flasë

“Mund të ketë nisje të dialogut në momentin kur ta kalojmë këtë krizë politike, nga ana tjetër ka edhe zgjedhje në Serbi dhe duhet pritur procesi të kryhet. Në momentin që dy shtetet dalin nga këto procese, pritet të ketë kthim në dialog. Kemi parë që përpara kemi pasur një afat kohor që ndërlidhej me zgjedhjet në Evropë dhe tani kemi një afat tjetër që ndërlidhet me zgjedhjet në SHBA për shkak të rolit të këtij vendi. Kemi mbështetjen e Gjermanisë e Francës, por duhet qartësuar gjërat, duhet qartësi brenda Kosovës. Kemi parë se si presidenti flet në emër të vet, kryeministri flet në emër të vet, e do të duhej të flitej me një zë unik. Është e vërtetë që është kaos i vërtetë. Është politikë e jashtme e pakoordinuar që vjen nga politika e brendshme e pakoordinuar. Po reflektojmë politikën e brendshme. Po ndodhin dy procese. Ai që po ndërmjetësohet nga Grenelli ku kishim katër letra për lëvizjen e lirë, por kemi edhe proces që po ndërmjetësohet nga BE-ja nga viti 2011. Duhet të ketë një qartësim. S’mund të ketë dy paralele që flasin për një marrëveshje të vetme. Duhet spektri i brendshëm të punojë me të dy palët. Kur flasim për BE-në duhet të ketë sqarim edhe më tej”, ka thënë ajo në Interaktiv.

00:03

Krasniqi: Formimi i 2-3 qeverive brenda një legjislature u pamundëson qytetarëve të japin besimin apo ndëshkimin me votë

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK) vlerëson se do të ishte e dëmshme nëse brenda një legjislature do të formoheshin 2-3 qeveri.

Qeveri të ndryshe me kombinime të ndryshme, do të zbehnin demokracinë në vend.

E ftuar në Interaktiv të KTV-së, ajo tha se kjo do të krijonte dilema te qytetarët se për kë po votojnë, apo edhe kë duan ta ndëshkojnë me votë.

“Nëse brenda një legjislature i kemi 2-3 qeveri të kombinimeve të ndryshme politike, atëherë për kë janë duke votuar qytetarët apo kë po e ndëshkojnë. Votat janë besim dhe ndëshkim, mund të dëmtojë llogaridhënien ndaj qytetarëve. Kjo e zbeh demokracinë në vend”, tha Krasniqi.

Ajo ka folur edhe për zgjedhjet të cila VV-ja i sheh si zgjidhje të vetme në këtë kohë.

Krasniqi tha se për këtë duhet parë vlerësimin e institucioneve përgjegjëse që po e menaxhojnë pandeminë COVID-19, por shtoi se zgjedhje do të ketë në rajon dhe më gjerë.

“Demokracia është e rëndësishme, siç është e rëndësishme edhe jeta e qytetarëve dhe kjo në fakt duhet të jetë primare”, tha Krasniqi.

23:50

Mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses cenon demokracinë në vend, sipas Krasniqit

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendit do t’i cenohej demokracia nëse dikush nga palët e përfshira në rastin për dekretin e presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër nuk pranon vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo ka thënë se “duket që ka një presion nga të gjitha palët që vendimi të merret në favor të tyre”.

“Ajo që mbetet e rëndësishme është që Gjykata Kushtetuese të interpretojë Kushtetutën dhe që aktgjykimi të respektohet nga palët e përfshira. Kjo është çështje që i mbetet GJK-së. I mbetet palëve të respektojnë atë, sepse s’ka zgjidhje tjetër pos kësaj. Jemi demokraci e re. Po ndërtojmë praktika që duhet të jenë të shëndetshme për demokracinë tonë dhe afatgjate. S’mund të kemi përzgjedhje të vendimeve që respektohen apo jo nga partitë, pse i shkojnë apo jo përshtati një politike. Mbetet të shihet, është e vështirë të jenë të gjitha të kënaqura, por me rëndësi është të sqarohen disa gjëra, kemi rast të parë kur mocioni nuk shpërbëhet menjëherë pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit, e duhet të dimë sa herë rrëzohet qeveria të shkohet në zgjedhje, a duhet t’i jepet mundësia një shumice parlamentare apo diçka tjetër. Kjo nënkupton se mund të kemi dy apo tre qeveri në legjislaturë. Të sqarohen disa gjëra, të krijohet një precedent, që të bëhen praktika që të na ndihmojnë për të ardhmen”, është shprehur ajo.

Krasniqi ka thënë se është e drejtë e gjithsecilit që të protestojë, duke komentuar paralajmërimin e Lëvizjes Vetëvendosje për “test-protestë”, por ka shtuar se “përderisa qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, kjo s’do të thotë që partitë të mos respektojnë aktgjykimin e GJK-së”.

“Si partitë edhe presidenti duhet të respektojnë aktgjykimin e të ndërmarrin veprimet e shkruara aty. Protesta, deklaratat nga partitë e presidenti duhet të rezervohen nga veprimet që mund të shihen si presion nga ana e Gjykatës Kushtetuese sepse cenon demokracinë e vendit dhe funksionimin normal të Republikës”, ka vazhduar Krasniqi.

Ajo ka kritikuar presidentin Hashim Thaçi për deklarimet e tij kundër Vetëvendosjes dhe përfshirjen në debatet për dekretin. Ka shtuar se roli i tij duhet të jetë unifikues dhe jo të mos lëshohet në komente ndaj partive.

Për shkarkim të tij, nëse dekreti shpallet antikushtetues, Krasniqi ka thënë se duhet të shpjegohet nga Gjykata nëse kjo paraqet “shkelje të rëndë kushtetuese”.

Sa i përket kontestimit të palëve në këtë rast, Krasniqi ka thënë se Kushtetuese duhet të sqarojë nëse kur rrëzohet një qeveri a duhet të ketë kthim në fazën zero që t’i jepet mandati partisë së parë, apo të shkohet në shumicën parlamentare. Sipas saj, “Kushtetuta ka lënë hapësirën që nuk përcakton afatin kohor, por duhet të shihet qartë se një parti apo një koalicion nuk mund të ketë pa afat kohën e tyre për të formuar qeverinë sepse kjo do të bllokonte formimin e institucioneve”.