1 perditesime
Arbëri

Asnjë maune me mallra serbe s’është futur sot në Kosovë

Asnjë maune me mallra serbe s’është futur sot në Kosovë
Foto nga arkivi: Driton Paçarada
14:53

Asnjë maune me mallra serbe s’është futur sot në Kosovë

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci ka thënë se vendimi i ri ka filluar të zbatohet nga ana e autoriteteve të Kosovës dhe se asnjë maune me mallra serbe nuk është futur në Kosovë. Megjithatë sipas tij, gjatë të dielave është e zakonshme të mos ketë transport të mallrave për shkak se është ditë pushimi dhe nuk mund të kryejnë procedurat ligjore.

“Asnjë kamion nuk ka hyrë sot në Kosovë, as në pikën kufitare në Merdare e as në atë në Jarinje”, ka thënë Stavileci.

Ekipi i KOHËS ka qëndruar të dielën disa orë në pikën kufitare në Merdare, por asnjë kamion me mallra të dedikuara për Kosovën nuk ka hyrë në këtë pikë kufitare. Gjatë kësaj kohe ka hyrë vetëm një kamion me mallra nga Polonia, që Kosovën e ka shfrytëzuar si vend transit, për të vazhduar për në Shqipëri.

12:29

Një kamion me mallra serbe s’lejohet të hyjë në Kosovë

Nga Merdarja, të dielen në mëngjes, nuk është lejuar të hyjë në Kosovë një kamion me mallra nga Serbia, në kuadër të zbatimit të reciprocitetit, të miratuar nga Qeveria në detyrë e Kosovës, ka raportuar të dielen televizioni shtetëror serb.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka nisur me zbatimin e reciprocitetit për mallrat serbe, teksa ka vlerësuar se barrierat e Serbisë vazhdojnë të dëmtojnë importuesit dhe eksportuesit në Kosovë, duke i shkaktuar deficit tregtar Kosovës.

Sipas vendimit të Qeverisë, në raportet tregtare me ndërmarrjet serbe, ndalohet dokumentacioni rreth produkteve bujqësore dhe industriale në të cilin nuk përdoret emri “Republika e Kosovës”, transmeton KOHA.

“Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin 'Republika e Kosovës' në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, shkruhet në vendimin e Qeverisë.